Ndërlidhjet

EXPRESS
Ardhja e Tadiqit në Kosovë është edhe një dëshmi se pavarësia e Kosovës është ende në shumë aspekte virtuale, e në aspektin më qenësor është pavarësi pa sovranitet. Të paktën deri më 15 qershor, kur thuhet se do të aprovohet Kushtetuta e Kosovës, e me gjasa edhe pas asaj date, Kosova nuk do të jetë sovrane në kuptimin e plotë të fjalës, e Tadiqi dhe cilido tjetër zyrtar Serb do të mund të hyjë dhe dalë në Republikën e Kosovës sa herë që i bie në mend, pa kërkuar leje nga institucionet e Kosovës. Kjo edhe nuk është ndonjë gjë tragjike në periudhën transitore deri sa jemi në fazën e pavarësisë pa sovranitet dhe deri sa sovrani, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit te Sigurimit, mbetet UNMIK-u. Dhe, duke ditur se sovrani ende mbetet Rueckeri, përndryshe dashamirës i pavarësimit, por që ende duhet ta respektojë misionin dhe ta luajë rolin e mbretit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ka mundur të bëjë atë shaka mirëseardhjeje për Tadiqin, duke pohuar se kjo është vizita e parë e një kryetari të shtetit në Republikën e Kosovës. Përderisa e gjithë vizita e Tadiqit është përplot me elemente të shtirjeve dhe gënjeshtrave, Tadiqi shtiret kinse viziton pjesën e territorit të Serbisë, UNMIK-u shtiret se kinse ai vjen në vizitë private, votuesit serbë në Serbi dhe në Kosovë shtiren se Tadiqi kinse demonstron vendosmërinë e tij që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë, pse edhe kryeministri Thaçi të mos tallet me një të vërtetë të pamohueshme të vizitës së parë të një kryetari të shteti, duke u shtirur se kinse ai paska vizituar Republikën e Kosoves?...

INFOPRESS
Edhe një vizitë ilegale e një lideri serb shënon këtë fundjavë në Kosovë. Madje, këtë radhë ishte ai më i madhi i Serbisë. Presidenti serb, Boris Tadiq, nën petkun e politikanit të reformuar, vazhdon të hedhë pluhur në sytë e atyre që i ofrojnë ende ‘karotën' Serbisë, me mendimin se kursi politik i tij do të ndryshojë. Është cilësuar si vizitë private dhe akt personal i Tadiqit, megjithatë, vizita e tij në Kosovë është konsideruar edhe si provokim për rrezikimin e integritetit territorial të Kosovës. Vizita e fundit e Tadiqit në Kosovë ishte pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe atëherë i nervozuar për proceset në të cilat po ecte Kosova, ai shprehu në një formë ose tjetër nacionalizmin e fshehur serb. Ishte e qartë se ajo vizitë Tadiqit i shërbeu edhe për fushatë presidenciale, ndërkaq vizita e së shtunës, megjithëse bëhet pak para zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale që do të mbahen në Serbi, e bëhet përpjekje që të mbahen edhe në Kosovë, nuk shkon përtej provokimit. Kjo, për faktin se tashmë Kosova është shtet i pavarur dhe po njihet vazhdimisht nga shtetet e ndryshme...

ZËRI
Moska zyrtare, në një dokument konfidensial, të cilin ua kishte dhënë shteteve të Grupit të Kontaktit, më 7 shkurt të këtij viti, siç ka marrë vesh "Zëri" nga burimet diplomatike perëndimore, ua kishte bërë me dije shteteve më të mëdha të Perëndimit që ka informacione të bollshme për të konkluduar që Kosova së shpejti do ta shpallë pavarësinë, dhe që ky shtet do të njihet më pas, prej këtyre shteteve perëndimore. Autoritetet më të larta të Rusisë në këtë dokument kanë kundërshtuar në mënyrë të prerë pavarësimin e Kosovës, duke përsëritur sërish (siç bëjnë në fakt sot e kësaj dite), që bërja e Kosovës shtet, duke anashkaluar vendimmarrjen e Këshillit te Sigurimit të OKB-së, është në kundërshti me rendin dhe të drejtën ndërkombëtare. Në anën tjetër, sipas burimeve diplomatike perëndimore, në këtë dokument Moska zyrtare përpiqet t'i analizojë pasojat e pavarësimit të Kosovës. Nga perspektiva e zhvillimeve që pasuan, pas 17 shkurtit, kur Kuvendi i Kosovës (ri)shpalli pavarësinë e Kosovës, mund të thuhet që shumica dërrmuese e këtyre parashikimeve kanë dalë të pasakta, pos njërit, i cili, për më keq, është edhe më i rrezikshmi për Kosovën. Pra, diplomacia ruse kishte paraparë trazira të mëdha në Kosovë në ditët dhe javët pas shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, konflikte në baza etnike midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe, krizë të madhe humanitare me refugjatët e shumtë serbë, të cilët do të braktisnin Kosovën. Të gjitha këto ngjarje do të kishin pasoja edhe për stabilitetin e rajonit...

KOSOVA SOT
Ministri i Jashtëm italian, D'Alema, është shprehur shumë i brengosur për stabilitetin e Ballkanit, që, sipas tij, mund të kërcënohet me "punën e pakryer" në Kosovë. "Ekziston një brengë e madhe për Ballkanin, pasi çështja e Kosovës mund të forcojë ndjenjën nacionaliste në Serbi dhe të çojë këtë vend drejt izolimit. Ky do të ishte faktor shumë serioz i destabilitetit në Ballkan", ka deklaruar D'Alema për televizionin amerikan 'CNBC', në gjuhën italiane. D'Alema, i cili është angazhuar për pavarësinë e Kosovës, por edhe për pranimin e shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian, konsideron se në Kosovë po luhet një ndeshje e hapur, por shumë delikate, ku Italia do të mund të luante një rol shumë të rëndësishëm. "Me vjen keq që më duhet ta braktis këtë ndeshje para kohës", ka deklaruar D'Alema, i cili në muajin maj, sikurse e gjithë qeveria italiane, do t'ia dorëzojë kompetencat Silvio Berluskonit...

BOTA SOT
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, gjyqtarët, prokurorët dhe gardianët e burgjeve që kanë punuar në institucionet e Kosovës, nuk janë duke i dhënë llogari për punën e tyre kompetentëve. Situata alarmante është në Mitrovicë, ku nuk funksionojnë organet e gjyqësisë, drejtësisë, burgu, dogana e institucione tjera. Bartësit serbë të funksioneve edhe më tej marrin rrogat nga institucionet e Kosovës dhe shfrytëzojnë beneficione të tjera, ndërsa nuk punojnë. Kjo situatë ka vënë në vështirësi funksionimin normal dhe unik të sistemit gjyqësor në pjesën e Kosovës së Veriut. Institucionet e Kosovës duhet ta shtrijnë pushtetin edhe në atë pjesë të vendit. Sistemin unik të gjyqësisë e drejtësisë e ka kërcënuar veriu. Në Gjykatën Komunale dhe në Prokurorinë Komunale të Gjilanit nuk janë duke punuar dy gjyqtarët, sekretarët e tyre dhe zëvendësprokurori. Ata, edhe pse nuk punojnë, i marrin të ardhurat dhe beneficionet e tjera, duke keqpërdorur kështu paranë e tatimpaguesve të Kosovës...

LAJM
Analisti serb nga Beogradi, Dejan Anastasijeviq, ka deklaruar për BBC-në se UNMIK-u e ka të pamundur të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë. "Nuk shoh asnjë mënyrë praktike në të cilën UNMIK-u do të mund të lejonte mbajtjen e një palë zgjedhjeve, ndërsa të pengonte të tjerat. Mos të flasim për atë se si do të dukej sikur UNMIK-u të konfiskonte njërën listë zgjedhore, kurse tjetrën ta linte aty". Anastasijeviq tha se ajo që mund të bëjë UNMIK-u pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, është që t'i shpallë ato të pavlefshme. Analisti serb parashikon se pas zgjedhjeve të 11 majit, në komunat me shumicë serbe do të krijohen dy struktura paralele. "Njëra do të jenë strukturat e UNMIK-ut dhe tjerat, strukturat e zgjedhura nga Serbia. Kjo është vatër potenciale për konflikt, sidomos kur bëhet fjalë për organizatat komunale dhe shërbimet publike, të gjitha këto do të bëjnë probleme dhe do të jenë temë e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve", tha analisti Anastasijeviq. Sipas tij, Serbia nuk e njeh sovranitetin e Kosovës dhe me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale po përpiqet të vendosë autoritetin e vet...

KOHA DITORE
Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur rrugën me të shkurtër që t'i vërë nën kontroll ndërmarrjet më fitimprurëse dhe proceset me rëndësi në Kosovë, duke i dërguar njerëzit e saj të besueshëm në bordet udhëheqëse të tyre, me procedurë të shpejtë dhe pa kritere. Derisa në këto pozita emërohen apo përzgjidhen pa shumë zhurmë njerëz, që nuk kanë kualifikimin apo përvojën e duhur, ardhjen e njerëzve të PDK-së në krye të ndërmarrjeve, zyrtarët e Qeverisë e cilësojnë si tejet të natyrshme për një parti që drejton pushtetin. Ndonëse opozita e kritikon Qeverinë se po emërohen njerëz pa kritere, pos të jenë anëtarë të PDK-së, zëdhënësi i Qeverisë, Hajredin Kuçi, thotë se nuk do të thotë që një njeri vetëm se është anëtar i PDK-së të mos emërohet në një pozitë udhëheqëse. Sa për kriteret, ai ka një përgjigje: "Nuk ka rëndësi pse dikush emërtohet në një post nëse është i PDK-së, me rendësi është që ai të jetë profesionist. Nuk do të thotë se tash vetëm pse është i PDK-së nuk duhet të jete ne pozitë". Ai nuk jep arsyetim për te kundërtën: cilat janë gjasat e një profesionisti të jetë në post, nëse nuk është anëtar i PDK-së. Mirëpo, një sqarim për këtë situatë e jep lideri i partisë opozitare AAK. Ramush Haradinaj e cilëson këtë periudhë të emërimeve të njerëzve të PDK-së si kthim të kohës së pasluftës...


XS
SM
MD
LG