Ndërlidhjet

FT: "Pak gjasë për marrëveshjen e çastit të fundit BE-Serbi"



“Financial Times”

Autoritetet pro-evropiane në Serbi shpresojnë të nënshkruajnë këtë javë, marrëveshjen e zvarritur tashmë mbi stabilizim asociimin me Bashkimin Evropian, për të nxitur gjasat e kandidatëve pro-evropianë në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, megjithëse mundësitë për një marrëveshje të këtillë të çastit të fundit duken të zbehta.

Holanda dhe Belgjika kanë dalë me një propozim kompromisi, në bazë të të cilit marrëveshja do të nënshkruhej në qershor, pas zgjedhjeve në Serbi, në të cilat nacionalistët dhe radikalët anti-evropianë duken të vendosur të fitojnë numrin më të madh të vendeve në Parlament.

Qeveria holandeze dhe ajo belge kanë bllokuar çdo marrëveshje të deritashme, duke kërkuar nga Serbia që fillimisht të arrestojë Ratko Mlladiqin, të akuzuar për krime lufte.

Këto qeveri tani thonë se janë të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen, me kusht që të mos ratifikohet apo miratohet në cilëndo pjesë të sajën, derisa Serbia të mos bashkëpunojë në tërësi me Tribunalin e Hagës për krime lufte.

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka thënë se qeveria e tij është e gatshme dhe e aftë për ta nënshkruar që tani Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

"Shpresoj se Evropa do të na tregojë sa serioze është për prospektin evropian të Serbisë", ka thënë zoti Jeremiq.

Sondazhet e fundit flasin se rreth 37 për qind e votuesve do të votojnë për radikalët, të cilët kundërshtojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkaq 32 për qind janë në favor të presidentit Boris Tadiq.

Bilancin e pushtetit mbase do ta përcaktojë kryeministri në largim, Vojisllav Koshtunica, i cili gjithashtu kundërshton çfarëdo marrëveshjeje me Brukselin, për shkak të njohjes që shumica e Bashkimit Evropian i ka bërë pavarësisë së Kosovës.

Holanda dhe Belgjika kanë qenë nën presion të fuqishëm diplomatik nga vendet tjera anëtare të Bashkimit Evropian, kryesisht nga Franca dhe Britania e Madhe, për të mundësuar nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë.

Por, zyrtarët e këtyre dy vendeve thonë se nuk mund të shkojnë përtej planit të tyre të kompromisit, që ceremonia e nënshkrimit të bëhet më 16 qershor.
XS
SM
MD
LG