Ndërlidhjet

Kurti: Heshtja e Kosovës më 11 maj hap shtegun për ndarje


Albin Kurti

Albin Kurti

"Nëse Kosova hesht më 11 maj, hapet shtegu për kantonizimin ose ndarjen e Kosovës”, thotë udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, thuajse çdo ditë jeni në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës, duke prezantuar te banorët pikëpamjet tuaja rreth zhvillimeve politike në Kosovë. Çfarë po synoni të arrini në këto takime?

ALBIN KURTI
Ne po i organizojmë dhe po i mobilizojmë banorët e fshatrave me rëndësi strategjike në Kosovë, kundër decentralizimit, kundër të ashtuquajturit eksterritorialitet të kishave dhe manastireve ortodokse, që për më tepër po quhen me dashakeqësi dhe padrejtësisht, serbe.

Po ashtu, po i mobilizojmë edhe për demonstratën tonë të radhës kundër zgjedhjeve të Serbisë, e cila do të mbahet më 9 maj të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë folët për decentralizimin, e keni cilësuar atë si një projekt ushtarak të Serbisë. Çka keni nënkuptuar me këtë?

ALBIN KURTI
Ta zëmë, në Komunën e Vitisë, banori i fshatit Skifteraj, që të shkojë në qendrën e vet, në qytezën e Vitisë, duhet të kalojë nëpër komunën e re që do të formohet, ajo e Kllokot Vërbovcit.

Natyrisht që Ahtisaari e ka ditur që një projekt i tillë nuk ka mundësi të funksionojë.

I vetmi shpjegim është që në fakt Serbia po përforcohet brenda Kosovës, në mënyrë që në këto komunat e reja, të cilat do të përpiqet që t’i ndërlidhë territorialisht dhe institucionalisht, të krijojë një platformë për agresionin e ri në Kosovë.

Decentralizimi, siç e ka paraparë Ahtisaari, nuk mund të jetë funksional dhe i qëndrueshëm në Kosovë. Ai ka kuptim vetëm për ta forcuar dhe zgjeruar Serbinë brenda Kosovës.

Duke parë se ky decentralizim është tërësisht mbi baza etnike dhe për prioritet ka territorin, atëherë nuk ka se si të quhet ndryshe përveçse projekt ushtarak i Serbisë.

Ne kemi shkuar në fshatrat Brus, Mogillë, së shpejti do të shkojmë në fshatin Stanishor, pra në të gjitha ato fshatra që e ndërpresin ndërlidhjen territoriale të enklavave serbe, që kontrollohen nga strukturat e Serbisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se me veprimet tuaja mund ta stoponi zbatimin e decentralizimit?

ALBIN KURTI
Jo ne. Ne do të ndihmojmë që fshatarët e atyre vendeve ta stopojnë decentralizimin.

Unë mendoj se nëse fshatarët ngritën në këmbë dhe e kundërshtojnë zbatimin e decentralizimit në fshatrat e tyre, atëherë ai do të pengohet.

Shembull për këtë janë fshati i Hajvalisë dhe ai i Cërnicës – i pari është paraparë të hyjë në Komunën e Graçanicës, i dyti në Komunën e Barteshit, mirëpo pikërisht për shkak se banorët atje janë organizuar dhe kanë kundërshtuar, i kanë nxjerrë prej komunave përkatëse serbe.

Mendoj se edhe nëse fshatrat tjera shqiptare veprojnë kësisoj, po ashtu do të arrijnë sukses që të mbesin në komunat ku janë.

Decentralizimi është afrim i pushtetit kah qytetari me kusht që paraprakisht Kosova bëhet njëmend sovrane dhe mbi të gjitha eliminohen strukturat paralele të Serbisë, të cilat në fakt i dirigjojnë serbët gjithandej.

RADIO EVROPA E LIRË
Vetëvendosje - vetë emri i lëvizjes që drejtoni, ju aludon në të drejtën për vetëvendosje. Pas shpalljes së pavarësisë, keni menduar të ndryshoni emrin, apo edhe vetë natyrën e lëvizjes?

ALBIN KURTI
Nuk do ta ndryshojmë emrin e lëvizjes sonë dhe nuk mendojmë se rrethanat kanë ndryshuar esencialisht, në mënyrë që ne ta ndryshojmë formatin e lëvizjes sonë.

Pavarësia, e cila u shpall dhe u njoh, është pavarësi pa substancë, pikërisht për shkak se nuk është realizuar nëpërmjet vetëvendosjes, pra nëpërmjet referendumit.

Qeveria e Kosovës është një qeveri pa dhëmbë, e cila është shkaku kryesor që pavarësia po mbetet veçse në letër.

Kemi shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës në letër, i cili nuk ka as ministri të mbrojtjes, as ministri të punëve të jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kontrollon policinë, nuk kemi ushtri, nuk kemi integritet territorial dhe as ulëse në OKB.

Përderisa institucionet e Republikës së Kosovës prodhojnë dokumente, letra dhe imazhe të duartrokitjeve dhe buzëqeshjeve kolektive të zyrtarëve të ndryshëm kosovarë, Serbia po prodhon realitet të ri në terren.

Prandaj, përderisa populli i Kosovës nuk pyetet se në çfarë sistemi politik dëshiron të jetojë dhe në këtë mënyrë të vendosë po ashtu edhe për koordinatat e këtij sistemi, ne mendojmë se kemi shumë arsye të ekzistojmë kështu siç jemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë realiteti të ri po prodhon Serbia në Kosovë?

ALBIN KURTI
Së pari, cungimi i parë i sovranitetit të Kosovës në mënyrë flagrante u bë në veri. Po shihet që kufiri i Kosovës me Serbinë atje, dikur ishte administrativ, e tash në vend që të bëhej ndërkombëtar, nuk është fare.

Në anën tjetër, zgjedhjet e Serbisë që do të mbahen në Kosovë më 11 maj, janë cungimi i dytë flagrant i sovranitetit dhe integritetit territorial.

Dhe, praktikisht, Serbia po e ndërton një Serbi të vogël përbrenda Kosovës, e cila ngadalë, por sigurt, po shndërrohet në një republikë të re serbe në Kosovë, ngjashëm sikurse që është ajo në Bosnje.

Qeveria e Kosovës po mjaftohet me deklarata të ndryshme, me kundërshtime verbale, mirëpo qëndrimet e saj nuk po pasohen me kurrfarë veprimesh ose vendimesh për ta penguar Serbinë dhe ndërmarrjen e saj kriminale brenda në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni paralajmëruar protesta më 9 maj, kundër zgjedhjeve lokale serbe, ndërkohë që ende pa u mbajtur, këto zgjedhje cilësohen si të paligjshme nga faktori ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës. Atëherë, çfarë efekti do të ketë kjo protestë?

ALBIN KURTI
Ne do të tregojmë që nëse politikanët tonë e durojnë një shkelje të tillë të sovranitetit nga Serbia përmes mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në 23 komuna të Kosovës, jemi ne qytetarët, është populli i Kosovës ai që nuk do të lejojë që e gjithë Kosova të heshtë dhe në këtë mënyrë të hapë rrugën për ndarjen e Kosovës.

Mendoj se më 11 maj po na e matin pulsin e 2 milion e gjysmë njerëzve, nëse e pranojmë një ndërhyrje të tillë të Serbisë.

Nëse Kosova hesht, një gjë është e sigurt – do të hapet shtegu për kantonizimin e Kosovës, për ndarjen e saj të brendshme dhe për bërjen e saj një Bosnje të dytë, pra një vend tërësisht jofunksional.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do t’i njohë këto zgjedhje, UNMIK-u ka deklaruar se nuk do t’i njohë rezultatet, por çështja është diçka tjetër – çështja është se si të bëhet që serbët e Kosovës dhe këto struktura ta njohin Kosovën sovrane. Këta po sillen thuajse janë ende në vitet ’90.

Mendoj se këto zgjedhje po tolerohen nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, me qëllim që pushteti që del prej këtyre zgjedhjeve serbe, të fillojë ca negociata të reja me Qeverinë e Kosovës.

Përvoja ime dhjetëvjeçare në politikë tregon që çdoherë kur s’ka drejtësi, ka negociata.

Unë mendoj se pushtetit të Prishtinës do t’i vendoset karshi një pushtet tjetër, kinse legjitim, i serbëve të Kosovës, i dalë nga zgjedhjet e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, javë më parë, u miratua Kushtetuta, të cilën ju e keni quajtur udhëzim administrativ për planin e Ahtisaarit. Megjithatë, siç ndodh në praktikë, u pëlqeu ose jo qytetarëve, Kushtetuta respektohet. Çfarë do të bëni ju pas 15 qershorit, kur do të hyjë në fuqi kjo Kushtetutë? Do ta respektoni atë?

ALBIN KURTI
Kushtetuta e Kosovës e ka në zemër të saj planin e Ahtisaarit, i cili, në fakt, ndodhet edhe mbi Kushtetutën dhe interpretimin e të cilit e bën ekskluzivisht Pieter Feith, apo shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Përderisa kjo Kushtetutë e ka planin e Ahtisaarit përbrenda, si e tillë nuk është e pranueshme për ne dhe unë mendoj se nuk është pranueshme edhe për popullin e Kosovës.

Nuk është e rastësishme që nuk pati referendum, jo vetëm për shkaqe parimore, por edhe për shkak se e dinin se një kushtetutë e tillë nuk kalon te populli.

Prandaj, i keqpërdoren 170 deputetë, apo më mirë të them 97 prej tyre, të cilët me aklamacion, madje duke mos votuar, por duke u ngritur në këmbë për të duartrokitur, e miratuan pa kurrfarë debati një kushtetutë, e cila përcakton jetën e dy milionë e gjysmë qytetarëve në vitet e ardhshme, në mos edhe më shumë sesa kaq.

Prandaj, ne mendojmë se një kushtetutë e tillë është kushtetutë anti-popullore, anti-shqiptare, është kundër interesave tona dhe unë jam i bindur se pikërisht për këtë arsye, ajo nuk do të jetë asnjëherë e zbatueshme në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të bëhet Albin Kurti pjesë e skenës politike?

ALBIN KURTI
Unë mendoj se pikërisht duke qëndruar në opozitë me këtë sistem politik, je në politikë.

Brenda këtij sistemi politik dhe institucioneve të tij, mund të merresh me çështje teknike administrative, por kurrsesi me politikë.

Mendoj se përderisa Kosova nuk e ka një qeveri që ka një pushtet të vërtetë, përfshirë këtu kontrollin mbi policinë, buxhetin, resurset ekonomike dhe natyrore, ushtrinë dhe integritetin territorial, ka shumë kuptim që ne të bëjmë rezistencë dhe t’i bashkojmë të pakënaqurit në Kosovë, që gjithsesi janë shumicë, në mënyrë që ta realizojmë qëllimin tonë të plotë, duke mos u mjaftuar me shumë pak, siç kanë bërë politikanët e Kosovës, që kanë dëshmuar se janë tërësisht politikanë të karrierave personale.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur thoni bashkimin e të pakënaqurve, nënkuptoni me këtë edhe zhvillim të demonstratave, apo shprehje të pakënaqësive me protesta në ditët, javët apo muajt e ardhshëm?

ALBIN KURTI

Gjithsesi, ne do t’i organizojmë qytetarët e pakënaqur për protesta dhe demonstrata, lidhur me sundimin jodemokratik të Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të EULEX-it, me zbatimin e planit të Ahtisaarit, i cili na e ndan dhe përçan vendin në baza fetare dhe etnike, si dhe lidhur me çështje të ndryshme sociale dhe ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë kritikoni qasjen e institucioneve karshi statusit të Kosovës, cila, sipas jush, është zgjidhja për Kosovën?

ALBIN KURTI
Zgjidhja për Kosovën është vullneti dhe interesi i këtij populli, e kjo është një Republikë e Kosovës, e pavarur dhe sovrane, sikurse vendet tjera të zhvilluara, e jo kështu me sundime të ndryshme ndërkombëtare, jo transparente, që nuk na japin llogari dhe të cilat vetëm se shkaktojnë rënie ekonomike dhe për më tepër e kantonizojnë përbrenda Kosovën, ashtu siç kanë bërë më herët me Bosnjën.

Pra, nuk mjafton të quhesh shtet i pavarur dhe sovran, por duhet të bëhesh i tillë. Këtë bërje nuk ta bën dikush tjetër, por duhet ta bësh vetë.

Stejt Departamenti amerikan dhe SHBA-të në përgjithësi i anashkaluan Kombet e Bashkuara dhe UNMIK-un për ta pranuar dhe njohur Kosovën, ndërkohë që Qeveria e Kosovës po flerton së bashku me UNMIK-un dhe nuk po ndërmerr vendime politike sovrane pasi që u bë shpallja dhe njohja e pavarësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG