Brenda këtij viti, Kosova do të përmbushë agjendën e saj që filloi me shpalljen e pavarësisë, njohjen e saj e deri te anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, thanë sot udhëheqësit më të lartë të Kosovës.
Pas takimeve të ndara që presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi zhvilluan me ambasadorin e sapoemëruar britanik në Prishtinë, Andrew Sparkes, udhëheqësit kosovarë thanë se Republika e Kosovës nuk po injorohet nga askush, por, përkundrazi, sipas tyre, është një rast unik i këtyre 30 vjetëve të fundit, që një shtet i ri të gëzojë një përkrahje kaq të madhe ndërkombëtare.
Në anën tjetër, ambasadori britanik, Andrew Sparkes, tha se beson që Kosova nuk do të trajtohet asnjëherë si konflikt i ngrirë dhe se pas 15 qershorit, do ta pasojë një tranzicion i vërtetë nga UNMIK-u te misioni i EULEX-it.
“Është e qartë se duhet të ketë një tranzicion, ashtu si parashihet me planin e Ahtisaarit, nga UNMIK-u, te EULEX-i. Ne do të vazhdojmë të fokusohemi në planin e Ahtisaarit që ka të bëjë me tërë Kosovën dhe nuk ka vend për konflikt të ngrirë”, tha ambasadori britanik.
Sipas tij, EULEX-i do të shtrihet edhe në veriun e Kosovës.
“Veriu është pjesë e Kosovës dhe kështu do mbetet”, tha ai.
Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se qasja e politikës kosovare është jo vetëm ndërtimi i demokracisë dhe zhvillimi ekonomik, që do të jenë procese sfiduese, por edhe përkushtimi i saj për integrime euroatlantike.
“Në proceset që do t’i kemi para vetes e që do të jenë me shumë sfida, sepse ne nuk themi qe ne kemi mbaruar punët, ka shumëçka që do të jetë pjesë e projektit tonë të përgjithshëm, për jetë më të mirë të qytetarëve dhe për një Kosovë stabile, e cila do të ketë në vazhdimësi qasjen e saj për raporte të mira me fqinjë dhe e cila do të lëvizë energjikisht në proceset e integrimeve euroatlantike”, u shpreh Sejdiu.
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, Kosova do të hapë një etapë të re të zhvillimit të saj si shtet, me mbikëqyrje ndërkombëtare, si parashihet edhe në pakon e presidentit Ahtisaari.
“Pas 15 qershorit, për Kosovën hapet një perspektivë e re historike, sepse hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Autoritetet kosovare do të udhëheqin me Kosovën nën mbikëqyrjen dhe mbështetje civile e ndërkombëtare dhe me praninë e NATO-s”, tha Thaçi.
“Autoriteti ndërkombëtar do të jetë edhe më i qartë dhe do të ketë një adresë të përgjegjësisë, prandaj obligim i institucioneve të Kosovës është thellimi i këtij bashkëpunimi dhe ecja jonë e përbashkët”, theksoi Thaçi.
Duke u ndërlidhur me Samitin e kryetarëve të shteteve të Evropës Qendrore që do të mbahet më 2 dhe 3 maj në Ohër të Maqedonisë, udhëheqësit kosovarë thanë se besojnë që ky samit është planifikuar edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, andaj, sipas tyre, kjo mund të jetë arsyeja pse autoritetet maqedonase nuk i kanë ftuar autoritetet e Prishtinës.
Ndryshe, si presidenti Sejdiu, ashtu edhe kryeministri Thaçi, vlerësuan se Kosova dëshiron që me Maqedoninë të ndërtojë raporte shumë të mira fqinjësore, si edhe me vendet tjera të rajonit.