Ndërlidhjet

Shteti i ri - me toponime të vjetra


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Pavarësisht se shumica e qyteteve dhe vendbanimeve në Kosovë, që nga paslufta njihen me emrat e rinj shqip, me ligjet e pakos së Ahtisaarit, atyre do t’u kthehen emrat e vjetër, apo emrat që kryesisht janë serbë.


Skenderaj apo Serbicë, Kastriot apo Obiliq, Kamenicë apo Dardanë, Besianë apo Podujevë: janë këto vetëm disa nga shumë vendbanimet e Kosovës, me toponime problematike - toponimi i parë shqip i ndryshuar në dekadat e fundit dhe i pari me domethënie në gjuhën serbe dhe i emërtuar në kohën e regjimit jugosllav.

Megjithatë, edhe pse shumë nga qytetet apo fshatrat njihen me emra shqip, zyrtarisht edhe për një kohë ata do të kenë emërtimet e vjetra.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se kjo çështje është lënë për t’u ndryshuar më vonë.

”Për momentin, emërtimet e vendbanimeve janë sipas zonave, kadastrave, që i ka gjetur UNMIK-u. Edhe pse ka shumë të meta, ne nuk i kemi hyrë kësaj çështjeje tash, për ta mos ngritur në nivelin e ndonjë polemike eventuale, kështu që çështja e emërtimeve mbetet të zgjidhet më vonë nga vetë komunat. Komunat i fusin emërtimet nëpër statutet e tyre dhe i inkorporojnë. Tash për tash është sipas listës që e ka UNMIK-u”, thotë Ferati.

Lista e UNMIK-ut përfshin emërtimet e vjetra të vendbanimeve. Analisti politik, Muhamet Mavraj, kritikon institucionet e Kosovës pse kanë lejuar që kjo listë të përfshihet edhe në pakon e Ahtisaarit dhe rrjedhimisht toponimet të krijojnë konfuzion te qytetarët.

“Padyshim se do të bëhet një lëmsh. Padyshim se institucionet e Kosovës do të jenë të obliguara që t’i zbatojnë ato që i kanë nënshkruar, ato që i kanë pranuar. Fatkeqësisht kjo është bazë e statusit të Kosovës. Me atë kushtetutë, me atë pako, Kosova është tokë serbe e banuar me shumicë shqiptare, të jemi krejtësisht të qartë këtu. Normalisht që shumica e mediave dhe populli nuk do t’i përfillë ato”, thotë Mavraj.

Megjithatë, ministri Ferati konsideron se kjo është një çështje që do të zgjidhet lehtë në të ardhmen nga vetë komunat.

“Do të jetë kompetencë e komunave për t’i ndryshuar ato. Komunat kanë të drejtë t’i ndryshojnë emrat e vendbanimeve, t’i votojnë në Kuvend, i sjellin ato, dalin në gazetën zyrtare dhe ne i inkorporojmë. Pra, çështja e emërtimeve të vendbanimeve është një proces që vazhdon”, thotë Ferati.

Sipas Feratit, lista e emërtimeve të gjetura nga UNMIK-u është përfshirë në ligjin për kufijtë administrativë të komunave, i cili ligj hyn në ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisaarit.

Muhamet Mavraj shpreh dyshimin se komunat, apo edhe institucionet do të mund të ndryshojnë më vonë ligjet që dalin nga kjo pako, nga e cila bazën e ka edhe vetë statusi i Kosovës.

”Nga ana e institucioneve, kjo nomenklaturë nuk do të mund të bëjë asgjë dhe as që dëshiron të bëjë diçka. Këta janë mjaftuar me emrin shqip të Skenderajt dhe ka mbaruar filmi për ta. Duhet vetë populli, mediat, opinioni publik në përgjithësi të thirren në emërtimet shqipe: jo Podujevo-Podujevë, por Besianë; jo Istog, por Burim; jo Kosovo, por Kosovë - ashtu si ne i themi në gjuhën shqipe, ashtu duhet t’i themi edhe në të ardhmen dhe duhet ta bëjmë zakon dhe ky zakon më pas të kalojë në vlerë dhe më pas edhe në ligje shqip”, tha Mavraj.

Megjithatë, pas krijimit të shtetit më të ri në botë, vetë emri i tij në rrafshin ndërkombëtar vazhdon të jetë i ndryshëm. Disa e quajnë Kosova, ashtu siç njihet Kosova në shqip, të tjerët Kosovo, siç njihet vendi në gjuhën serbe.

Vetë institucionet e Kosovës, kur flasin për Kosovën në gjuhën angleze, Kosovës i referohen me mbaresën O në fund.

Në letrat zyrtare që presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi ua kanë dërguar shteteve të ndryshme botërore, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, në gjuhën angleze kanë shfrytëzuar emrin Kosovo, me O në fund.
XS
SM
MD
LG