Ndërlidhjet

logo-print

"Procesi i decentralizimit do të fillojë atëherë kur të gjitha parakushtet krijohen, e parakushtet do të krijohen pas datës 15 qershor", thotë për Radion Evropa e Lirë, Fehmi Mujota, nga Partia Demokratike e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mujota, Serbia është e vendosur që me gjithë kundërshtimet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Kosovë. Cilat mendoni se do të jenë pasojat e kësaj këmbëngulësie të Serbisë?

FEHMI MUJOTA
Vetë Serbia është e bindur që pas 17 shkurtit 2008, realiteti në Kosovë ka ndryshuar, Kosova është e pavarur dhe sovrane, por është një përpjekje për të mbajtur një iluzion tek qytetarët serbë të Kosovës, që për pasojë do të kishte një efekt negativ në integrimet institucionale të qytetarëve, në këtë rast të serbëve në pjesën veriore.

Përndryshe, të gjitha efektet tjera ligjore në Kosovë do të jenë të pazbatueshme, përkatësisht nuk ka efekte ligjore nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Kosovë.

Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë rrugën e tyre për integrim të tërësishëm të qytetarëve të Kosovës në jetën institucionale dhe sigurisht pas të gjitha normave demokratike të organizimit të zgjedhjeve që do t’i sigurojë Kosova dhe institucionet e saj.

Çdo organizim i zgjedhjeve pa vendimin e institucioneve të Kosovës dhe institucioneve relevante ndërkombëtare, përgjegjëse për gjendjen në Kosovë në kohën e tranzicionit nga data e aprovimit të Kushtetutës deri tek hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, ka efektet e veta negative, në kuptim të asaj që është një ndërhyrje në punët e brendshme ose në jetën demokratike të një shteti tjetër.

Nuk ka shpjegim tjetër pos ndërhyrje në jetën demokratike të një shteti tjetër dhe do të marrë përgjigjen po ashtu në mënyrë përkatëse demokratike për të zbatuar obligimet kushtetuese të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Ndërkohë, gjendja në veriun e Kosovës ka mbetur e pandryshueshme, pothuajse tërësisht e ngrirë, që pas shpalljes së pavarësisë. Çfarë qasje mendoni se duhet të zbatohet në këtë drejtim?

FEHMI MUJOTA
Përderisa nuk ka një demokratizim të brendshëm të Serbisë dhe një qasje konstruktive në raport me realitetet ndërkombëtare, sigurisht se ka qenë çështje e pritur që të kemi një gjendje afërsisht të ngrirë institucionale në veriun e Kosovës.

Por, me ndryshimin që po ndodh në institucionet demokratike të Kosovës, me aprovimin e ligjeve bazike që rregullojnë çështjet e pakicave kombëtare, me theks të veçantë për pakicën serbe, hapësirën që u jepet për të organizuar jetën e tyre demokratike brenda Kosovës dhe për të realizuar interesat jetike, nacionale, me siguri se kjo gjendje do të ndryshojë dhe do të jetë e kontrolluar në mënyrë efektive dhe demokratike nga institucionet ndërkombëtare dhe ato të Kosovës.

Veprimet e banorëve serbë për momentin kanë dy orientime; i pari është një nënshtrim nga një frustrim politik, që sjell politika aktuale nga Beogradi dhe, i dyti, një vëmendje e shpërqendruar ndaj jetës institucionale në Kosovë, e cila me siguri do të plotësohet me plotësimin e të gjitha atyre obligimeve që ka marrë Kosova në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe në raport me qytetarët e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni marrë mjaft shumë me çështjen e decentralizimit. Kur mendoni se duhet të fillojë të zbatohet ky proces, dikur aq shumë i përfolur?

FEHMI MUJOTA
Çështja thelbësore, do të thosha e gjithë procesit negociator për statusin e Kosovës në Vjenë, është zhvilluar në drejtim të asaj se çfarë do të ketë kompetenca në institucionet lokale, përkatësisht në ato pjesë ku ka shumicë serbe.

Një diskutim i gjatë i këtyre çështjeve që ka përfunduar me përmbledhjen e përgjithshme në pakon e Ahtisaarit, në propozimin gjithëpërfshirës, i cili tanimë është bërë edhe pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe legjislacionit bazik, besoj se do të arrijë t’i japë efektet e veta në momentin kur institucionet e Kosovës do të arrijnë deri te ajo pikë e zbatimit praktik të këtyre obligimeve që janë marrë edhe në bazë të dokumentit të Ahtisaarit, por edhe në bazë të Kushtetutës së Kosovës, të aprovuar në Kuvendin e Republikës.

Mendoj se procesi i decentralizimit do të fillojë atëherë kur të gjitha parakushtet krijohen, e parakushtet do të krijohen pas datës 15 qershor.

Institucionet e Kosovës janë të obliguara që sa më parë të jetë e mundur t’i bëjnë veprimet e tyre mbi bazë të obligimeve.

Ne shpresojmë shumë që në këtë veprim do të jenë të integruar edhe banorët serbë në cilindo vendbanim që jetojnë në Kosovë, për të qenë pjesë e institucioneve lokale dhe atyre qendrore të vendit, në kuptimin më efektiv të mundshëm.

Tanimë kemi shenjat e para pozitive. Institucionet qendrore funksionojnë mirë, ministrat dhe ministritë përkatëse që drejtohen nga ta.

Natyrisht që edhe nëpër komuna pritet të kemi zbatimin praktik të të gjitha atyre vendimeve dhe secili qytetar i Kosovës t’i marrë obligimet e veta mbi bazën e Kushtetutës.

Në këtë drejtim, mendoj se edhe qytetarët serbë, që do të jenë të zgjedhur me votën legjitime të qytetarëve, do t’i marrin obligimet e tyre në kohën e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mujota, Kosova tani gjendet në një situatë konfuzioni midis misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të Bashkimit Evropian. Shumëkush e ka cilësuar këtë çështje si dualizëm misionesh. Ju si do ta quanit?

FEHMI MUJOTA
Më duket se është çështje më e domosdoshme që institucionet e Kosovës të bëjnë punën e tyre në harmoni me institucionet ndërkombëtare dhe më tepër do ta quaja si një pozicion i qartësimit të pozitave aktuale të këtyre dy misioneve.

Besoj se në kohën e duhur do t’i qartësojnë pozicionet e tyre në raport me realitetin në Kosovë, në raport me Kushtetutën e Kosovës, në raport me obligimet ndërkombëtare të marra.

Dhe, nuk shoh ndonjë pengesë të madhe për funksionimin e institucioneve të vendit dhe zbatimin e Kushtetutës ashtu siç është aprovuar në Kuvendin e Kosovës.

Natyrisht, ne do të përpiqemi të ndihmojmë në ato segmente në të cilat mund të ndihmojmë, për të kaluar këto paqartësi, nëse ekzistojnë mes këtyre mekanizmave.

Por, më tepër mbetet çështje ndërkombëtare e zgjidhjes së këtij keqkuptimi ose interpretimi të gabuar në qasjen me qeverisje.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG