Ndërlidhjet

logo-print

Kush do të ketë autoritetin pas 15 qershorit?


Flamuri i BE-së dhe ai i OKB-së

Flamuri i BE-së dhe ai i OKB-së

UNMIK-u ende nuk e ka të qartë se çfarë do të bëhet me këtë mision pas 15 qershorit, kohë kjo kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës.


Më shumë se një muaj, para se Kushtetuta e Kosovës të hyjë në fuqi, administrata e Kombeve të Bashkuara vazhdon me punën e njëjtë dhe ende nuk ka nisur të reduktojë personelin e vet.

Aktualisht, nuk dihet ende nëse më 15 qershor do të shuhet UNMIK-u, apo nëse do t’i transferojë kompetencat te institucionet vendore dhe te misioni i Bashkimit Evropian.

“UNMIK-u i përshtatet situatës në terren që 10 vjet, që nga 99-ta. Natyrisht që tash, kur Kushtetuta do të hyjë në fuqi, ne do ta kemi parasysh këtë dhe do të rikonfigurohemi sa të jetë e nevojshme, natyrisht në konsultim me Nju Jorkun dhe partnerët tanë“, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, duke mos saktësuar se çka nënkupton në të vërtetë ky rikonfigurim.

Por, në anën tjetër, edhe EULEX-i, edhe Zyra Ndërkombëtare Civile, po përgatiten që më 15 qershor të marrin përgjegjësitë, edhe pse zyrtarë të të dy misioneve, megjithatë, ende janë në pritje të vendimeve nga Kombet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffie, thotë se misioni do të zbarkohet gradualisht, meqenëse ata vazhdojnë të mos pranohen nga komuniteti serb.

“Kemi thënë gjithmonë se misioni i BE-së dhe Zyra Ndërkombëtare Civile do të zbarkohen gradualisht dhe përmes dialogut. Ne do vazhdojmë që të diskutojmë me njerëzit në komunitet, se si është forma më e mirë për ta bërë këtë, por tensionet mbesin të njëjta”, tha Andy Mcguffie.

Në anën tjetër, Karin Limdal konfirmon se qindra pjesëtarë nga stafi prej më se 2000 personash i EULEX-it, kanë filluar të vijnë në Kosovë.

“Ne po sjellim njerëz edhe tani kur po flasim. Në dy javët e kaluara patëm 150 njerëz që kanë arritur dhe po vazhdojmë të ndërtojmë misionin. Jemi në kontakte të vazhdueshme me UNMIK-un, me OKB-në në Nju Jork, me partnerët lokalë rreth asaj se si t’i marrim përgjegjësitë”, thotë Limdal.
Ndryshe, zyrtarë të të tri misioneve ndërkombëtare nuk komentojnë idenë e zyrtarëve rusë, që në të ardhmen misioni i sundimit të ligjit i BE-se dhe Zyra Ndërkombëtare Civile të jenë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

“Ka shumë spekulime të mediave se çka do të ndodhë, por këto janë vendime politike që merren në Nju Jork dhe unë nuk kam informacione për këtë çështje”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Ndërkaq, Andy McGuffie, nga Zyra Ndërkombëtare Civile, thotë se i takon Kombeve të Bashkuara që të vendosin se si të implementojnë mandatin e tyre në Kosovë.

“I përket OKB-së që të vendosë se si do të zbatojnë mandatin e tyre pas 15 qershorit, pasi që të hyjë në fuqi Kushtetuta. Nuk më takon mua që të komentojë këtë. Por, ne pajtohemi me shefin e UNMIK-ut, që nuk guxon të ketë duplifikim të pranisë ndërkombëtare këtu”, tha McGuffie.

“Të gjitha vendet anëtare të BE-së janë të përkushtuara që të zbarkojnë misionin e tyre në tërë Kosovën, në atë mënyrë që promovon paqe dhe stabilitet. Këto janë parimet për të cilat punojmë”, theksoi ai.

Ndryshe, që nga 17 shkurti, kur Kosova shpalli pavarësinë, nuk ka pasur një vijë të qartë të ndarjeve të pushteteve.

Në mungesë të një vendimi të Këshillit të Sigurimit, UNMIK-u thotë se ende nuk ka filluar faza tranzitore dhe rrjedhimisht ende administron Kosovën, ndërkohë që misioni i BE-së tashmë ka nisur përgatitjet për të marrë nën mbikëqyrje fushat që i takojnë me pakon e Ahtisaarit.

Ekspertët juridikë thonë se aktualisht në Kosovë ekzistojnë 4 pushtete, duke përfshirë këtu, përveç UNMIK-ut, EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës, edhe Qeverinë serbe, e cila vazhdon të qeverisë në Kosovë përmes strukturave paralele në enklavat serbe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG