Ndërlidhjet

BE kritikon Rusinë për qëndrimin ndaj Abhazisë


Bashkimi Evropian e ka kritikuar Rusinë për vendimin që të dërgojë më shumë trupa paqësore në rajonin e Abhazisë, i cili kërkon ndarje nga Gjeorgjia.

Rusia ka thënë se do të dërgojë ushtarë shtesë në Abkhazi, për t'u përballur me planet e Gjeorgjisë për ndonjë sulm të mundshëm.

Shefi i diplomacisë evropiane, Javier Solana, tha pas takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se ky hap nuk ndihmon fare në zbutjen e tensioneve midis Moskës dhe Tbilisit.

"Edhe nëse shtimi i paqëruajtësve rusë është brenda kufijve, po do të donim të heqim perceptimin e acarimit, nuk do të ishte masë e urtë që numri i tyre të shtohet tani. Këtë ia thashë në mënyrë shumë miqësore ministrit rus Lavrov", tha Solana.

Lavrov tha se shtimi i trupave është brenda kufirit të përcaktuar me marrëveshjen e armëpushimit të vitit 1994 që e ndërmjetësuan Kombet e Bashkuara.

Abkhazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga kontrolli i Tbilisit në vitet e 1990-ta, dhe të dy rajonet kërkojnë pavarësi apo përfshirjen brenda Rusisë.

Gjeorgjia ka akuzuar Moskën se veprimet e fundit ndaj rajoneve të Abhazisë dhe Osetisë Jugore mund të destabilizojnë rajonin.
XS
SM
MD
LG