Ndërlidhjet

logo-print

"BE-ja përçan Serbinë"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka marrë përgjegjësinë që me rezolutë ta kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Në vend të rezolutës, legjislativi i shtetit është përcaktuar që t'i thotë "Jo" organizmit të këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Kosovës, vetëm nëpërmjet një deklarate. E harmonizuar brenda në kabinetin e kryetarit të Kuvendit nga shefat e grupeve parlamentare, deklarata nuk është ngarkuar me më shumë se dy paragrafë të shkurtër. Por, edhe si e tillë, ajo nuk është hedhur në votim. "Duke pasur parasysh përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe, si dhe kërkesën që edhe qytetarët serbë të Kosovës të votojnë, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet qëndrimin e presidentit, të qeverisë dhe të UNMIK-ut. Kuvendi konsideron se këto zgjedhje dhe rezultatet e tyre nuk do të kenë efekt në Kosovë", thuhet në tekstin e deklaratës që u është kumtuar ligjvënësve nga kryeparlamentari, Jakup Krasniqi...

EXPRESS
Bashkimi Evropian ka nënshkruar, të martën, Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me Serbinë, duke i dhënë një shtytje të fuqishme për zgjedhjet e 11 majit forcave serbe pro-evropiane, të udhëhequra nga Boris Tadiq. Çështja e Kosovës, përkatësisht situata e paqartë rreth fatit të UNMIK-ut dhe misioneve të BE-së ICO/EULEX nuk kanë qenë prioritet në takimin e ministrave të Jashtëm evropianë, të cilët, të martën, kanë diskutuar për Ballkanin Perëndimor. Vazhdimi i paqartësisë se çfarë do të ndodhë me praninë ndërkombëtare në Kosovë pas 15 qershorit, ka nxitur edhe më shumë spekulimet për skenarët e mundshëm. Dy nga 27 anëtarët e bllokut evropian, Holanda dhe Belgjika, kanë lëshuar pe dhe është arritur kompromisi që Serbisë t’i afrohet marrëveshja, pa përmbushur obligimet ndaj Tribunalit të Hagës...

NACIONAL
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se ka propozuar që simboli i pavarësisë, Adem Demaçi, të hyjë nën përkujdesjen institucionale shtetërore dhe fillimin e procedurës së shpalljes muze të shtëpisë së përfaqësisë së UÇK-së gjatë vitit 1998-99 në Prishtinë. “Respektimi i vlerave, por edhe i individëve, duhet të jetë institucional dhe bartësit e këtyre vlerave dhe përgjegjësive që i kanë pasur më herët, duhet t’i gëzojnë edhe me mbrojtje institucionale”, tha kryeministri Thaçi. Zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi, tha se ky është një vullnet dhe vendim politik për të respektuar një personalitet, i cili ka kontribuar shumë. “Adem Demaçi identifikohet me pavarësinë, lirinë dhe me rezistencën e Kosovës. Ne e kemi shprehur vendimin tonë dhe besoj që baca Adem nuk ka nevojë për mëshirë, por ka nevojë për përkujdesje institucionale”, tha Kuçi...

ZËRI
UNMIK-u dhe OKB-ja duhet shumë më zëshëm ta zbardhin karakterin e njëmendtë të zgjedhjeve serbe në Kosovë që janë një-etnike dhe që problematizojnë konceptin themelor politik të bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën si shoqëri shumetnike. Një segment thelbësor në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, më 11 maj, ose është anashkaluar fare, ose është përmendur vetëm prej diplomatëve të shteteve të mëdha perëndimore, e jo edhe prej atyre që janë më të thirrur ta bëjnë këtë gjë: Prej autoriteteve më të larta të UNMIK-ut dhe të OKB-së. Që prej qershorit të vitit 1999, kur pas përfundimit të luftës në Kosovë, përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u krijua administrata ndërkombëtare (UNMIK-u), në vazhdimësi, thuaja përditë, si prej PSSP-ve (shefave të UNMIK-ut), ashtu edhe prej diplomatëve dhe politikanëve perëndimorë, e gjithsesi, edhe në çdo raport tremujor të Sekretarit te Përgjithshëm të OKB-së, i cili përcillte gjendjen në Kosovë dhe informonte Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një fjali dhe një qëndrim ka qenë udhërrëfyes i bashkësisë ndërkombëtare: Kosova duhet të jetë një shoqëri shumetnike dhe demokratike...

LAJM
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, edhe një herë ka përsëritur se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë është e papranueshme dhe ilegale. Në një ligjëratë të mbajtur të martën, para pjesëtarëve të TMK-së, në Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës , presidenti Sejdiu tha se dikush ka ende iluzione për Kosovën. “E keqja më e madhe është krijimi i iluzionit se ende Kosova nuk është stabilizuar, se ka mundësi të rikthimit të Kosovës nën Serbi. Kjo bëhet për të mbajtur tensione tek një pjesë e njerëzve që kanë rënë pre e fjalëve të mëdha, si dhe krijimi i iluzionit tek ajo kategori që kanë bërë krime në Kosovë se ajo gjendje do të kthehet prapë. Ne iu themi qartë se kurrë më nuk do të ketë vazhdimësi të kësaj”, ka thënë presidenti Sejdiu...

EPOKA E RE
Presidenti serb, Boris Tadiq, ka deklaruar, të martën, në Luksemburg, se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian nuk e parapërcakton statusin e ardhshëm të Kosovës, duke thënë se për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kanë punuar edhe ata që po e kritikojnë, duke përfshirë edhe PDS-në dhe kryeministrin Vojisllav Koshtunica. Presidenti i Serbisë ka thënë se “më duhet të them këtu në Luksemburg, i rrethuar nga politikanët evropianë, se MSA-ja me BE-në është hartuar në bazë të marrëveshjes së përbashkët të shtetit të Serbisë, të qeverive serbe, të cilat i kanë udhëhequr Zoran Gjingjiq dhe Vojisllav Koshtunica, dhe se ndaras bisedohet për MSA-në dhe statusin e Kosovës...

KOSOVA SOT
Ndërsa janë duke u bërë përgatitjet për nxjerrjen e pasaportave të reja, Qeveria, së bashku me UNMIK-un, pritet që të përcaktojnë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve aktuale. Kjo gjë pritet të definohet gjatë fazës së tranzicionit. Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Halil Bllaca, tha se Ministria e Punëve të Brendshme është duke i finalizuar punët në Udhëzimet Administrative dhe kontraktimin e repromaterialit për prodhimin e dokumenteve civile, që do të thotë edhe pasaportave. “Pasaportat do të jenë me elemente biometrike, por për këtë fazë, mjerisht, pa çip, për shkak të kohës së shpejtë që duhet të prodhohen ato dhe kohës së lartë financiare”, tha Bllaca...

BOTA SOT
Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se gjatë këtij tremujori janë shënuar ulje të shumta të shpenzimeve në karburante dhe telefonata në rreth 52 për qind, ndërkaq ka gjetur zgjidhjen për largimin e një numri të ministrive nga shtëpitë private në objekte shtetërore. Kryeministri Hashim Thaçi, vendimin e qeverisë për kufizimin e shpenzimeve, e vlerësoi si një vendim të drejtë dhe në kohën e duhur. “Është vërejtur se vetëm në tre muajt e parë të qeverisë janë zvogëluar shpenzimet rreth 52 për qind për karburante dhe telefonata. Ky proces duhet të vazhdojë me rigorozitet nga të gjithë ne”, ka thënë Hashim Thaçi...

INFOPRESS
Bashkimi Evropian nuk duhet t’i bëjë koncesione Serbisë rreth Kosovës së pavarur, e cila është pranuar deri më tani prej 18 shteteve të këtij unioni, edhe pse ai nuk ishte kundër ofertës së BE-së për Serbinë që ta nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim. Kështu ka deklaruar kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimit që pati me drejtorin për Çështje të Politikës Evropiane në Ministrinë e Jashtme britanike, Anthony Smith. Gjatë këtij takimi u bisedua rreth tranzicionit në Kosovë, ndërkaq duke e komentuar ofertën e BE-së bërë Serbisë për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim para zgjedhjeve në këtë shtet, Sejdiu ka thënë se Kosova është e interesuar që i gjithë rajoni të lëvizë në proceset e integrimeve, në këtë rast edhe Serbia... Ndërsa, Smith ka thënë se pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës nënkupton mbështetjen që komuniteti ndërkombëtar do t’ia japë ruajtjes së sovranitetit të shtetit më të ri...
XS
SM
MD
LG