Ndërlidhjet

Daci: Opozita në mandatin e kaluar ka dëmtuar Kosovën


Nexhat Daci
Nexhat Daci

"Me sharje dhe njollosje të gjithçkaje në Kosovë, u krijua një mjedis politik që kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës të thirren në ato të dhëna", thotë Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Daci, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një deklaratë, me të cilën kundërshton zgjedhjet serbe në Kosovë. Ka të atillë që thonë se përgjigjet ndaj këtij veprimi të Serbisë duhet të jenë më të prera. Ju, si mendoni, cilat janë masat, që institucionet kanë në duar në këtë drejtim?

NEXHAT DACI
Ndoshta kritikët, kësaj radhe, kanë të drejtë në plogështinë në përgjithësi, jo të veprimit, por të reagimit të institucioneve të Kosovës. Megjithatë, duhet bërë publike dhe të qartë.

Ne kemi hyrë në një periudhë, prej fillimit të këtij viti, në një punë të koordinuar bashkërisht, institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

Dhe, kur hyn në një rrugë të koordinuar, është shumë vështirë të dilet prej asaj rruge.

Besoj se të gjithë deputetët dhe qytetarët e kuptojnë se është rrugë e domosdoshme e tranzicionit ose e kalimit të problemeve në funksionimin e shtetit normal.

U bë shumë mirë deklarimi i pavarësisë së Kosovës dhe ishte i shkëlqyeshëm pranimi i Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, në radhë të parë, nga SHBA-të dhe shumë vende të Bashkimit Evropian.

Funksionimi i këtij shteti nuk është i lehtë, edhe si opozitë e kuptojmë; megjithatë, bindja ime është që krerët e institucioneve të Kosovës nuk kanë transparencë të duhur, të mjaftueshme, për t’u thënë qytetarëve të Kosovës se rrjedhat janë të këtilla, ‘ne mendojmë se kjo rrugë është më e mirë për këtë arsye, është më e keqe’...

Prandaj, unë nuk e gjykoj veprimin, aq sa mungesën e informacionit që nuk i jepet qytetarit të rëndomtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për komunitetin ndërkombëtar, sa mendoni se është duke shkaktuar konfuzion çështja e tranzicionit të UNMIK-ut dhe marrja e përgjegjësive nga Bashkimi Evropian?

NEXHAT DACI
Unë ndaj mendimin se është një konfuzitet gati i plotë, sepse informatat ndryshojnë nga dita në ditë.

Për një shtet të porsalindur është vërtet shumë vështirë nëse janë tri-katër pika të vendimmarrjes.

Atëherë, qytetari i Kosovës zhgënjehet, sepse nuk i lihet shansi asnjë institucioni në Kosovë të demonstrojë se di apo nuk di të krijojë shtetin, di apo nuk di të mbajë shtetin.

Shpresoj dhe jam i gatshëm të punojmë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës të hyjë në fuqi në datën kur është deklaruar.

Do të thotë, pas 15 qershorit, besoj se do të kthjellohet në një mënyrë atmosfera dhe do të dimë kush është përgjegjës për çka në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush mendoni se do të jetë?

NEXHAT DACI
Përgjegjësitë e funksionimit të shtetit për standardin e qytetarëve duhet të kalojnë në duar të Qeverisë së Kosovës.

Unë jam i bindur se duhet të jetë Qeveria e Kosovës përgjegjëse për funksionimin e shtetit normal demokratik të Kosovës, e ndihmuar kuptohet nga misioni i BE-së, ajo që ka qenë e koordinuar, dhe UNMIK-u sigurisht duhet të jetë në fazën përfundimtare.

Përgjegjësitë e funksionimit të shtetit për standardin e qytetarëve duhet të kalojnë në duar të Qeverisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo çështje më së shumti është duke u pasqyruar në veriun e Kosovës. Atje gjendja ka mbetur në status-quo, që prej shpalljes së pavarësisë. Si mendoni se mund të zgjidhet ky problem?

NEXHAT DACI
Atë që institucionet e Kosovës mund ta bëjnë dhe nuk e bënë për këto 8 vjet dhe nuk po bëhet asgjë as sot, është se shqiptarët në veri janë lënë në një pozicion edhe më të keq se gjatë okupimit.

Nuk e çan kokën asnjë institucion i Kosovës për jetën elementare të qytetarëve tanë.

Unë jam mjaft i indinjuar me këto sjellje tona, sepse i di problemet që janë me veriun, të mos ndihmosh qytetarin tonë, të mos e ndihmosh shkollën, ambulancën, të mos u krijosh rrugë...

Ne duhet t’u japim prioritet dhe në një kohë sa më të shpejtë duhet të fillojë ta ndjejë qytetari i Kosovës se Kosova është republikë, është shtet sovran e i pavarur dhe interesohet për qytetarët e saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër, e cila, kohët e fundit, ka filluar të nxisë shqetësime, është çështja e demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë. Çfarë mendoni se duhet bërë në këtë rrafsh?

NEXHAT DACI
Qytetarët ose dëgjuesit e radios suaj e dinë se unë e kam kritikuar punën e Ekipit të Unitetit.

Kjo çështje është kryer në një periudhë para këtyre institucioneve. Janë marrë obligimet, obligime besoj të vështira dhe të rënda, por janë marrë dhe janë votuar në Parlamentin e Kosovës.

Prandaj, besoj dhe jam i bindur thellë se përgjegjësitë që janë marrë dhe obligimet sipas pakos së presidentit Ahtisaari, ose duhet të respektohen të tërat, ose ne duhet t’i rianalizojmë.

Nuk është e mundur që Kosova të japë atë që është e dhimbshme për qytetarët e Kosovës, për mazhorancën.

Ne e përkrahim atë që të përkrahet edhe procesi i decentralizimit dhe proceset tjera, por nëse faktori tjetër ose subjekti tjetër nuk do të përkrahë asgjë, minoritetet nuk duan të përkrahin asgjë, atëherë ne do të vijmë në një pozicion kur duhet të rishqyrtojmë se në cilën fazë mund të aktualizohet një çështje.

Unë mendoj se qytetarët duhet të jenë të qetë dhe të besojnë në institucione.

Unë dua të besoj se Qeveria e di përgjegjësinë e vet, që Parlamenti e di përgjegjësinë e vet dhe ato që janë marrë si obligime, nëse në tërësi realizohen, duhet të rregullohet edhe çështja, por ekskluzivisht në mes të dy qeverive, në mes të dy shteteve, të Maqedonisë dhe të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Daci, ju i takoni një force opozitare në skenën politike të Kosovës. Sa është opozita e konsoliduar në Kosovë?

NEXHAT DACI
Unë nuk mund të gënjej. Nuk është e konsoliduar sa duhet dhe është mirë që nuk është e konsoliduar sa duhet.

Më lejoni ta bëj të njohur dhe publike – opozita në mandatin e kaluar ka krijuar më shumë dëme për Kosovën, sesa që e ka ndihmuar Kosovën dhe vetveten.

Me sharje dhe njollosje të gjithçkaje në Kosovë, ne krijuam një mjedis politik që kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës të thirren në ato të dhëna.

Prandaj, unë si përgjegjës i një partie opozitare po mundohem në vazhdimësi ta ul edhe rejtingun personal timin, si kryetar i LDD-së, edhe të LDD-së, por edhe të opozitës, që të mos baltosin gjithçka, të mos njollosin gjithçka që dëmton krejt popullin e Kosovës dhe krejt shtetin e Kosovës.

Por, të jemi opozitë e çiltër dhe propozuese në kritikën e mosrealizimit të programit qeveritar ose të premtimeve para atij programi.

Dhe, mendoj se do të shkojmë në konsolidim të ngadalshëm. Unë nuk jam adhurues i një opozite që për të ardhur në pushtet, do të rrënojë qytetarin e Kosovës ose shtetin e Kosovës.

Këtu jam shumë i kujdesshëm. E di që kam kritika edhe brenda vetë LDD-së, por do të qëndroj, sepse e kemi një Kosovë të vogël, e kemi një atdhe, e kemi një shtet dhe nuk mundemi ta djegim për interesa personale të një ministri që do të bëhet dikush apo të një diçkaje tjetër.


XS
SM
MD
LG