Ndërlidhjet

Ndikimi i zgjedhjeve komunale të Serbisë në Kosovë


Serbët duke votuar në Graçanicë, 28 tetor 2006.

Serbët duke votuar në Graçanicë, 28 tetor 2006.

Një pjesë e Këshillit Nacional Serb në veri të Kosovës mbështet mbajtjen e zgjedhjeve, kurse pjesa tjetër, nga pjesa qendrore, nuk sheh se ato sjellin ndonjë efekt për përmirësimin e jetës së komunitetit serb.


Serbët e Kosovës ndajnë mendime të ndryshme lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në disa komuna të Kosovës.

Një pjesë e Këshillit Nacional Serb në veri të Kosovës mbështet mbajtjen e zgjedhjeve, përderisa pjesa tjetër e këtij organizimi politik, nga pjesa qendrore e Kosovës, nuk sheh se zgjedhjet sjellin ndonjë efekt për sa i përket përmirësimit të jetesës për komunitetin serb.

Kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, thotë se në zgjedhjet e 11 majit, serbët e Kosovës do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë nëpër komunat ku ata janë shumicë.

“UNMIK-u ka bartur përgjegjësinë te institucionet shqiptare dhe u ka mundësuar shqiptarëve që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Tash, mundet që njësoj t’i bartë përgjegjësitë për zgjedhje te autoritetet serbe, që edhe ata t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, thotë Milan Ivanoviq.

Përkundër deklarimeve të përditshme të autoriteteve ndërkombëtare, përfshirë edhe UNMIK-un në Prishtinë, se këto zgjedhje do të mund të shpallen të pavlefshme qysh në start, Milan Ivanoviq beson se Këshilli i Sigurimit do t’i njohë rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe pranojë përfaqësuesit lokalë serbë si përfaqësues të zgjedhur e legjitimë.

”Lidhur me këto zgjedhje, mendoj se UNMIK-u duhet ta pranojë përcaktimin dhe vullnetin e popullit serb”, thotë Ivanoviq.

Mirëpo, ndryshe nga Ivanoviq, mendon Rada Trajkoviq, po nga Këshilli Nacional Serb, por nga pjesa qendrore e Kosovës.

Trajkoviq vlerëson se mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në disa komuna të Kosovës, nuk do të sjellë asgjë të re dhe nuk do të zgjidhë asnjë problem të serbëve në Kosovë.

“Joachim Ruecker, si shef i UNMIK-ut, kundërshton mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si shkelje të Rezolutës 1244”, thotë Trajkoviq.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë, sipas Trajkoviqit, bëhet me nismën e Vojisllav Koshtunicës për të fituar vota më shumë, pikërisht duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë të serbëve të Kosovës.

Ndryshe, Beogradi, në bashkëpunim me serbët e Kosovës, po përgatit mbajtjen e zgjedhjeve në të dyja nivelet edhe në Kosovë.

Më 11 maj, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë parasheh që në Kosovë të hapë 279 qendra votimi në 23 komuna.

Autoritetet kosovare vlerësojnë se serbët e Kosovës, duke e shfrytëzuar të drejtën e dyshtetësisë, mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, por jo edhe për zgjedhjet komunale, të cilat do të kishin efekt për sa i përket vetëfunksionimit të komunave, ngase do të ngreheshin struktura paralele në kuadër të pushtetit lokal.

Një qëndrim të ngjashëm, tash për tash, mban edhe administrata e UNMIK-ut, duke i cilësuar zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë si jolegjitime.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG