Ndërlidhjet

logo-print

UNDP: Sektori energjetik në krizë


Termocentrali 'Kosova A'

Termocentrali 'Kosova A'

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNDP, sot ka prezantuar raportin e zhvillimit njerëzor në Kosovë 2007, të quajtur Energjia dhe Zhvillimi. Sipas këtij hulumtimi, që nga viti 1999 e deri më tash, në sektorin e energjisë janë investuar më shumë se 700 milionë euro, ndërkaq gjendja vazhdon të mbetet kritike.


Mbi 700 milionë euro janë investuar në sektorin e energjisë elektrike, që nga viti 1999.

Nga kjo shumë, më shumë se 200 milionë euro janë shpenzuar për riparimin e Termocentralit Kosova B, rreth 200 milionë euro janë shpenzuar për importin e energjisë, ndërkaq të tjerat për përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese.

Megjithëkëtë, gjendja në sektorin e energjisë vazhdon të jetë kritike, ka thënë sot, Frode Mauring, shef i zyrës së Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e njohur si UNDP.

Këto vlerësime, Mauring i ka bërë gjatë prezantimit të hulumtimit ‘Energjia për Zhvillim’.

Ai, ndërkaq, tha se në mes të viteve 2002-2007, qeveritë e Kosovës, njëra pas tjetrës, kanë shpenzuar 128 milionë euro nga buxheti i konsoliduar për energji.

Porosia kryesore që del nga ky raport, Mauring thotë se është ngritja e vetëdijes së qytetarëve për t’i kryer obligimet ndaj KEK-ut.

“Buxheti i konsoliduar i Kosovës nuk duhet të paguajë për faturat e qytetarëve dhe vjedhjen e energjisë. Buxheti i konsoliduar i Kosovës duhet të mbështesë shëndetësinë, arsimin dhe investimet kapitale në infrastrukturë”, tha Mauring.

Në fund të fundit, shton ai, kjo nuk është vetëm çështje e përmbushjes së detyrave për Korporatën Energjetike të Kosovës, por, në të njëjtën kohë, sipas tij, është tregues për dobësimin e vazhdueshëm të sundimit të ligjit.

Pasiguria në furnizimin e energjisë është një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë, thotë Mauring, duke shtuar se sektori privat është kusht për zhvillimin ekonomik dhe zvogëlimin e varfërisë.

“Në Kosovë, në vitin 2008, bizneseve u duhet të shpenzojnë rreth 10 për qind të të hyrave të tyre, për të prodhuar vetë energjinë e nevojshme. Kjo do të thotë se ata do të jenë më pak konkurrentë në treg, më pak investime, më pak punësim dhe si rezultat i gjithë kësaj – më shumë varfëri”, shprehet Mauring.

Ndryshe, Justina Shiroka Pula, ministre e Energjisë dhe Minierave, shkurt foli vetëm për përmbajtjen e raportit dhe falënderoi UNDP-në për përgatitjen e tij, dhe jo për masat që do të ndërmarrin për përmirësimin e gjendjes së energjisë.

“Për vitin 2007, ky raport ka trajtuar tërësisht çështjen e energjetikës dhe rëndësinë që ajo ka në zhvillimin e shpejtë, të qëndrueshëm të ekonomisë në Kosovë”, tha Shiroka Pula.

Në anën tjetër, në raport thuhet se hapi më i rëndësishëm që mund të bëjnë institucionet e Kosovës është që t’ua sqarojnë qytetarëve problemet e tanishme dhe të kërkojnë mbështetjen e gjerë të tyre për t’i tejkaluar ato.

Në raport gjithashtu vlerësohet se do të nevojiten rreth 500 milionë euro për t’i rehabilituar dhe përmirësuar rrjetet e transmisionit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike, gjatë periudhës dhjetëvjeçare.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG