Ndërlidhjet

logo-print

Mosfunksionimi i gjykatave në veri - shkelje e të drejtave të njeriut


Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 15 mars 2008

Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 15 mars 2008

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës, për më shumë se dy muaj, gjenden jashtë funksionit, duke shkaktuar kështu, sipas juristëve, një vakuum ligjor, me pasoja të rënda për sundimin e ligjit.


Kapllan Baruti, kryetar i Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, bashkë me një staf prej 10 deri në 15 personash nga gjithsej 170 punëtorë të kësaj gjykate, ka zhvendosur një pjesë të punës në Vushtrri.

"Në Vushtrri jemi duke punuar një grup shumë i vogël, vetëm 10 -15 përfaqësues, vetëm në vepra penale dhe në shkresat që nuk durojnë shtyrje", thotë Baruti.

Që nga 20 shkurti, për, siç thonë, shkaqe sigurie, autoritetet e UNMIK-ut kanë ndërprerë transportimin e punonjësve shqiptarë nga jugu në objektin e Gjykatës në veri të Mitrovicës.

Ndërkohë, një muaj pas pavarësisë, më 17 mars, ndërtesa e gjykatës në Mitrovicë u bë vendi i përleshjeve mes serbëve dhe policisë e KFOR-it, ngjarje kjo që la një polic ndërkombëtar të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.

Zyrtarët e UNMIK-ut nuk kanë ndonjë plan konkret se kur kjo gjykatë do t’i kthehet punës normale.

"Në veri kemi parë sfida të ndryshme të autoriteteve të UNMIK-ut, autoriteteve që mandati u sigurohet nga Rezoluta 1244. Gjykatat janë ende në juridiksionin e UNMIK-ut, ndërkohë që rimarrja e kontrollit ende është e një rëndësie të madhe. Nuk kemi ndonjë afat kohor se kur do kthehemi. Megjithatë, shqetësim yni mbetet çështja e sigurisë", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Pas shpalljes së pavarësisë, serbët, me kërkesë të Beogradit zyrtar, kanë braktisur institucionet e Kosovës, përderisa gjykatat në disa mjedise serbe po zhvillojnë punën nën juridiksionin e Ministrisë Serbe të Drejtësisë.

Në pjesën veriore të Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë mundur asnjëherë të shtrijnë kontrollin, ndërkaq tani po vazhdon të sfidohet edhe misioni i UNMIK-ut.

Kapllan Baruti kritikon institucionet vendore dhe ndërkombëtare se nuk po punojnë sa duhet për të mundësuar funksionimin e sërishëm të gjyqësorit në veriun e Mitrovicës.

"Kemi kontakte të vazhdueshme me personat kompetentë, kemi garanci dhe premtime se po punohet. Por, nuk kemi premtime rreth kohës se kur do të kthehemi", thotë Baruti.

Baruti thekson se për shkak të rrethanave të reja të krijuara në veri dhe për shkak të pamundësisë së kryerjes së punës, të drejtat e qytetarëve janë duke u cenuar.

Ai thotë se shumica e procedurave gjyqësore të nisura, kanë mbetur në gjysmë, për shkak se dokumentacioni ka mbetur në gjykatat në veri të Mitrovicës.

"Mosfunksionimi i lëndëve të juridikaturës ka shkaktuar një vakuum të madh juridik dhe po ndikon në shkeljen e të drejtave të njeriut, të garantuara me konventat ndërkombëtare dhe në legjislacionin vendor. Mirëpo, ne nuk kemi qasje dhe kjo, sipas mendimit tim, është një lëshim i organeve të sigurisë, të cilat po punojnë shumë pak në kthimin tonë, por edhe për sigurinë tonë gjatë orarit të punës", tha Baruti.

Ai shfaq druajtjen e tij se shumë nga materialet dhe lëndët e ndryshme gjyqësore janë tërhequr nga gjykatat në veri, nga ish-punonjësit serbë të gjykatave.

"Kam disa informata, prej burimeve të sigurta, por jo të verifikuara, se gjatë qëndrimit të kolegëve serbë në veri, kanë nxjerrë disa lëndë, i kanë ngarkuar në kamionë dhe i kanë çuar në drejtim të panjohur. Por, edhe ato që kanë qenë brenda, janë shkatërruar", shprehet Baruti.

Objekti i gjykatës në veri të Mitrovicës qe uzurpuar për disa ditë me radhë, nga ish-punonjës të gjykatave serbe, të cilët pretendonin kthimin në, siç thonë, vendet e tyre të punës, të cilat i kishin mbajtur para se të vendosej administrata ndërkombëtare në vitin 1999.

UNMIK-u pohon se në okupimin e objektit kanë qenë të përfshirë edhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Intervenimi i policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it për të liruar objektin, hasi në rezistencën e serbëve, që çoi në trazirat e 17 marsit.

Sidoqoftë, aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime mes Zyrës së OKB-së në Beograd dhe Qeverisë serbe, për, siç thuhet, mundësinë e rikthimit të autoritetit të UNMIK-ut në veri.

"UNMIK-u nuk është i involvuar në këto bisedime, por po i shikojmë për së afërmi këto fusha ku është sfiduar UNMIK-u nga Beogradi, por nuk mund të jap detaje", thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie.

Këto bisedime janë kundërshtuar nga institucionet e Kosovës, meqë në to nuk merr pjesë asnjë kosovar. Rrjedhimisht thuhet se çfarëdo marrëveshje që mund të dalë nga këto takime, do të jetë e pavlefshme.
XS
SM
MD
LG