Ndërlidhjet

Rritet papunësia në Kosovë


Prishtinë - Sheshi Nënë Tereza

Prishtinë - Sheshi Nënë Tereza

Mbi 43 për qind e popullsisë në Kosovë është e papunë, ndërkaq pjesa më madhe e të papunëve janë të rinj. Këto shifra, Kosovën e radhisin në vendin e parë në Evropë, sa i përket shkallës se papunësisë. Kështu thonë zyrtarë të qeverisë në Ditën Ndërkombëtare të Punës.


Dita Ndërkombëtare e Punës, Kosovën e gjen me shifrën më të lartë të të papunëve në Evropë.

Kështu thotë Hafiz Leka, kryesues i divizionit të punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ai thotë se mbi 43 për qind e popullsisë në Kosovë është e papunë.

Kjo shifër është rritur për 2.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar, thotë Leka, duke shtuar se shqetësues në këtë fushë mbetet fakti se 93 për qind e të papunëve janë të papunë për një periudhë afatgjate, çka do të thotë se presin punë më tepër se 12 muaj.

“Kemi trendët e ngritjes së shkallës së papunësisë, kur është fjala për papunësinë e regjistruar nëpër rrjetin e shërbimit të punësimit të Kosovës. Afër 48 për qind nga të regjistruarit janë femra, pjesa tjetër janë meshkuj. Afër 60 për qind e të regjistruarve si të papunë i referohen nivelit të pakualifikuar, çka do të thotë se është një shifër marramendëse. Në anën tjetër, më shumë se 72 për qind e të regjistruarave janë me nivel të arsimit të mesëm“, thotë Leka.

Por, këto shifra mund të jenë shumë më të larta, thekson ai, duke shtuar se jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit.

Leka pohon se problem në këtë kuadër është se pjesa më e madhe e të papunëve janë të rinj. Mbi 51 për qind e të papunëve janë të moshës prej 16 deri në 39 vjeç.

“Grupmoshat, sidomos ato prej 15 deri 24 vjeç, përballen me shkallën më të lartë të hyrjeve në forcën e punës, pra me papunësi - rreth 7. 7 për qind. Kjo vërtet është një pasqyrë që tregon se çfarë është tregu i punës dhe në çfarë gjendjeje e kemi papunësinë në nivel të Kosovës”, thotë Leka.

Zoti Leka nuk është edhe i kënaqur me trajtimin e këtij problemi nga vetë institucionet kosovare.

Ai pohon se numri i vogël i kapaciteteve njerëzore në Ministrinë e Punës nuk mundëson një qasje më serioze karshi këtij problemi.

“Nuk kemi personel të mjaftueshëm, sepse, sipas analizave tona, del se proporcioni i një zyrtari tonë, që trajton çështjen e papunësisë, me numrin e të papunëve, është 1 me 1828. Do të thotë, është 12 herë në disproporcion me standardet ndërkombëtare”, thotë Leka.

Por, Ibrahim Rexhepi, ekspert për çështje ekonomike, pohon se ky është vetëm një arsyetim i institucioneve kompetente, për shkak se nuk kanë arritur ta ulin shkallën e papunësisë.

“Ky është një arsyetim i paqenë, një fakt se ministria do të arsyetojë vetveten, për shkak se nuk ka kapacitete njerëzore. Mirëpo, këto çështje janë çështje që mund të zgjidhen brenda ditës. Nëse problem është mungesa e dy-tre njerëzve, është absurde të thuhet se për shkak të kësaj po ngec papunësia në Kosovë”, shprehet Rexhepi.

Ibrahim Rexhepi thotë se vetmja mënyrë për uljen e shkallës së papunësisë, është krijimi i një mjedisi më të përshtatshëm për investime.

“Nuk duhet pritur menjëherë se mund të bëhen mrekulli, për shkak se është vërejtur edhe në programin qeveritar që nuk shihet një qasje konkrete ndaj zbutjes së papunësisë. Kjo qeveri dhe cilado qeveri tjetër do të ishte e suksesshme, nëse krijon ambient dhe bazament ligjor e institucional, krijon siguri qoftë fizike, qoftë për kapitalin, dhe atëherë të flitet për mundësinë e punësimit. Hapi i parë i saj më real do të ishte bujqësia dhe investimet publike”, thotë Rexhepi.

Ndryshe nga shifrat zyrtare, statistikat e disa organizatave joqeveritare tregojnë se shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në më shumë se 60 për qind.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG