Ndërlidhjet

Potencialet e terrorizmit në Kosovë


Vendkalimi kufitar Kosovë - Serbi në Jarinë

Vendkalimi kufitar Kosovë - Serbi në Jarinë

Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për vitin 2007 mbi terrorizmin në botë, ka theksuar se brishtësia e kufijve në Kosovë, që kalohen lehtë nga individët që trafikojnë njerëz, armë dhe narkotikë, pengon përpjekjet në luftën kundër terrorizmit.

Raporti thekson se në Kosovë edhe më tej konsiderohen se janë të përfshira në aktivitete të dyshimta terroriste disa organizata joqeveritare.

Ndërkohë, edhe kërcënimi i dëshmitarëve është vlerësuar si një nga pengesat në luftën kundër terrorizmit.

Raporti ka përmendur edhe praninë e AKSH-së në Kosovë, duke venë theksin te fakti se pjesëtarë të kësaj organizate kanë vazhduar që t'i frikësojnë qytetarët e Kosovës.

Autoritetet e rendit në Kosovë pranojnë se brishtësia e kufijve, sidomos në kufijtë Kosovë-Serbi, po ndikon në sigurinë e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Veton Elshani, konsideron se duke marrë për bazë mosfunksionimin e pikave kufitare në veri të Kosovës, nga Serbia mund të hyjë çdokush dhe me çfarëdo.

"Mund të them se siguria është mjaft e brishtë, duke marrë parasysh se pikërisht në ato dy vendkalimet kufitare, ku ka mundësi të kalojë ndonjë mall apo ndonjë ngarkesë që nuk mund të kontrollohet nga ana jonë, ne nuk kemi ekspertë për ato çështje, nuk i kemi pajisjet në këto pika kufitare", tha Elshani.

"Në përgjithësi, ne mundohemi që brendapërbrenda territorit të Kosovës, në momentin që hyjnë ngarkesa nga Serbia, t'i kontrollojmë, pa marrë parasysh, edhe për mallra, edhe për trafikim të qenieve njerëzore në përgjithësi, për të gjitha veprat penale që kryhen", tha ai.

Zoti Elshani ka shtuar se sa i përket asaj që raporti i Departamentit Amerikan përmend AKSH-në, Kosova është një shtet që ka dalë nga lufta dhe i rrethuar me vende që kanë qenë në konflikte.

"Në Kosovë ka mundësi të shohim grupe të armatosura, duke marrë parasysh se kemi pasur edhe konflikt në Kosovën lindore apo në Serbinë jugore, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, mandej në Maqedoni", thotë Elshani.

"Do të thotë, ne jemi të rrethuar nga vendet që kanë kaluar nëpër konflikte. Mirëpo, SHPK-ja, UNMK-u dhe KFOR-i janë institucionet që mund të merren me situata të tilla dhe mund të përballen me grupe të tilla", u shpreh ai.

Edhe eksperti për çështje sigurie, Nuredin Ibishi, thotë se mungesa e kontrollimit të kufirit bën që siguria në Kosovë të jetë jo e kënaqshme.

"Kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe kështu i definuar si kufi administrativ, edhe pse është dashur ndryshe të definohet qysh më herët, po vazhdon të jetë i brishtë, në kuptim të kontrollit të mirëfilltë, qoftë nga policia, po ashtu edhe nga KFOR-i", thotë Ibishi.

"Disa herë janë ndërmarrë masa gjegjëse që ai të përmirësohet, mirëpo mendoj se ai vazhdon të jetë në një formë i pambuluar dhe i pakontrolluar mirë", thekson Ibishi.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit theksohet se SHPK-ja dhe njësia kundër terrorizmit e policisë së UNMIK-ut janë përgjegjëse për luftimin e terrorizmit, por sukseset e tyre janë të pakta, për shkak të mungesës së burimeve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG