Ndërlidhjet

Maloku: Edhe pas 15 qershorit, veriu do të jetë i trazuar


Naim Maloku
Naim Maloku

"Duhet t’i heqim iluzionet se do ta kemi nën kontroll veriun e Kosovës menjëherë pas 15 qershorit", thotë Naim Maloku, nga Komisioni Parlamentar për Siguri, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, në raportin mbi terrorizimin të Departamentit Amerikan të Shtetit, Kosova është vlerësuar si një vend që kërcënohet, për shkak të shumë rrethanave – ndër ta brishtësia e kufijve, prania e Armatës Kombëtare Shqiptare, prania e disa organizatave joqeveritare me aktivitete të dyshimta. Sa në të vërtetë mendoni ju se Kosova është e rrezikuar nga terrorizmi?

NAIM MALOKU
Mendoj se nuk ka ndonjë rrezikim të madh nga terrorizmi, që do të kishte përmasa shqetësuese apo elemente për t’u shqetësuar shumë.

Mirëpo, është fakt se Kosova ka hyrë në një fazë krejt të re; do të thotë, shpallja e pavarësisë ka iniciuar reagime jashtëzakonisht të ashpra të Serbisë, pra të mekanizmave “jashtë-institucionalë” të Serbisë, Serbia ende nuk ka arritur t’i reformojë mekanizmat e vet të sigurisë, Serbia nuk ka arritur që t’i zhdukë apo t’i vë nën kontroll edhe segmentet paramilitare, të cilat kanë operuar gjatë krejt kohës së luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Pra, të gjitha ato segmente, të gjithë ato organizma ushtarakë e paraushtarakë, që janë sot jashtë kontrollit edhe të politikës oficiele të Serbisë, apo lihen me qëllim për ta destabilizuar rajonin, pra janë dy variante që i përdor Serbia dhe i ka përdorur në të kaluarën, janë praktikisht elemente që bëjnë Kosovën dhe të gjithë ata që merren me sigurinë në Kosovë, të kenë parasysh këto dhe të ndërmarrin masa që situata e sigurisë të mos dalë jashtë kontrollit.

Normalisht, edhe brenda Kosovës ka disa elemente, është përmendur në raport edhe AKSH-ja, mirëpo AKSH-ja ka humbur elementet shtyse të formimit të saj, elementet mbi të cilat është bazuar platforma e AKSH-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse merren parasysh deklaratat e zyrtarëve të UNMIK-ut pas trazirave të 17 marsit në Mitrovicë, kanë thënë se atje kanë qenë të përfshirë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe. Marrë parasysh mosshtrirjen e të gjitha institucioneve në veri të Kosovës, sa mund të dalë nga kontrolli situata në veri?

NAIM MALOKU
Gjërat që ndodhën në veri të Mitrovicës, mund të them se kanë befasuar edhe KFOR-in, edhe UNMIK-un dhe të gjithë ata që janë marrë me parashikimet e reagimeve të segmenteve të caktuara, qoftë të serbëve vendorë apo të ndihmuar nga mekanizmat e Serbisë, për vetë mënyrën e nivelit të ashpërsisë së reagimit.

I kemi pasur brenda disa minutave mbi 30 bomba dore të hedhura në forcat e policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it, si pasojë e të cilave ka pasur numër jashtëzakonisht të madh të policëve të UNMIK-ut të lënduar dhe një i vrarë. Pra, ashpërsia dhe mënyra e reagimit ka qenë e paparashikuar.

Mendoj se janë ndërmarrë masat që të mos përsëriten gjëra të tilla, por siguria në Kosovë mbetet e brishtë, për faktin se nuk është bërë shtrirja e institucioneve të sigurisë së Kosovës në veri.

Policia e UNMIK-ut gjendet atje, por me faktin se vetë prezenca e UNMIK-ut po zbehet në Kosovë, me atë po humb edhe fuqia, edhe motivimi i policëve të UNMIK-ut për të kryer detyrën.

Ky dualizëm mes UNMIK-ut dhe EULEX-it krijon një situatë të tillë në Kosovë që siguria të jetë mjaft e brishtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, pas 15 qershorit, kur pritet një reduktim i UNMIK-ut dhe marrja e detyrave nga EULEX-i, i cili nuk pranohet në veri të Kosovës, a parashihni një përshkallëzim të situatës atje?

NAIM MALOKU
Unë mendoj se NATO-ja duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë në veri të Kosovës dhe për kufijtë, për faktin se edhe pas 15 qershorit ne do të kemi EULEX-in në një fazë të instalimit në Kosovë, pra të zbarkimit dhe ajo fazë mund të jetë shumë e ndjeshme.

Duhet t’i heqim iluzionet se do ta kemi nën kontroll veriun menjëherë pas 15 qershorit. Do të duhet edhe një kohë, ndoshta edhe 2-3 vjet, derisa të shtrihet e tërë fuqia e pushtetit dhe derisa ligji të vihet në veprim në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të evitohet në të vërtetë ndarja e veriut të Kosovës, nëse merren parasysh deklaratat e zyrtarëve serbë, e fundit e kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, se ndarja e Kosovës është e pashmangshme?

NAIM MALOKU
Ata e kanë pasur këtë synim – kanë thënë se ndarja e Kroacisë është e pashmangshme, por nuk ka ndodhur; pastaj, ndarja e Bosnjës është e pashmangshme, ajo është ndarë në njëfarë forme, janë krijuar disa kufij të brendshëm me Dejtonin, por është duke u integruar.

Për Kosovën nuk ka formula të tilla dhe nuk ka forca ushtarake dhe policore zyrtare të Serbisë në veri të Kosovës, sikur ka pasur në Sllavoninë lindore, pas pavarësimit të Kroacisë dhe pas Dejtonit.

Pra, Kosova është njohur nga të gjitha ato shtete që e kanë pranuar dhe nuk dyshoj në vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për moskrijimin e kufijve të brendshëm të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të marrë kohë krejt integrimi i veriut në tërësinë territoriale të Kosovës?

NAIM MALOKU
Unë mendoj se duhet një plan. Qeveria nuk ka plan të integrimit të asaj pjese.

Mendoj se këto deklarata që Kosova është vendi më i sigurt, kufijtë e Kosovës janë më të sigurtit në Ballkan, në rajon, e kanë ndoshta efektin mediatik dhe pak qetësues për qytetarët e Kosovës.

Por, ne e dimë se si është gjendja reale, faktike dhe nuk ka nevojë më me deklarata të tilla.

Duhet plan konkret pas 15 qershorit, nëse veç hiqet UNMIK-u, që ende nuk e kemi një datë të caktuar se a ka filluar tranzicioni a jo, prej cilës datë ka filluar numërimi i atij 120 ditshi të tranzicionit, ku pastaj do të kemi EULEX-in dhe jo UNMIK-un.

Në momentin kur nuk e kemi UNMIK-un, por vetëm EULEX-in, Qeveria e Kosovës me EULEX-in duhet të bëjë një plan operativ të afatizuar me data, se si do të bëhet integrimi i asaj pjese dhe shtrirja e pushtetit qendror të Kosovës në krejt territorin e Kosovës.

Duhet plan konkret, me faza, me data dhe të gjithë duhet të jenë të përkushtuar që ai plan të implementohet.

Unë mendoj se brenda dy vjetëve, ky është mendimi im personal, jo i partisë, një qeveri që e bën një plan operativ të saktë dhe në të cilin do të precizohen të gjitha obligimet që duhet t’i kryejë Qeveria, Kuvendi, EULEX-i, KFOR-i, pra nga përmbajtja e atij plani, mendoj se Qeveria e Kosovës do ta ketë shtrirjen në krejt territorin.
XS
SM
MD
LG