Ndërlidhjet

logo-print

Jostabiliteti energjetik rrit çmimet dhe papunësinë



Pasiguria e furnizimit me energji elektrike është një nga problemet kryesore për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, e sidomos të sektorit privat në Kosovë.

Kështu vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, mungesa e energjisë po ndikon në rritjen e shkallës së papunësisë dhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se të gjitha këto më pas ndikojnë edhe në rritjen e varfërisë.

“Në rend të parë duhet të kuptoni se pozitën më të vështirë e ka komuniteti i biznesit, për arsye se është e pamundur që me këtë problematikë të energjetikës, të jetë konkurrues, karshi konkurrencës së jashtme. Kuptohet se e tëra kjo ndikon edhe në koston e produkteve në Kosovë dhe në mënyrë direkte apo indirekte e ka edhe implikimin e vet në ngritjen e çmimeve dhe në krizën sociale në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Edhe Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se shpenzimet e biznesit rriten prej 10 deri në 25 për qind më shumë, për shkak të nevojës se zëvendësimit të mungesës së energjisë me burime tjetra alternative.

Pikërisht për këtë, thotë ajo, komuniteti i biznesit ngrit çmimet për shërbime dhe produkte.

“Duke marrë parasysh se kemi ngritje të shpenzimeve, atëherë natyrisht se edhe produktet apo shërbimet do të dalin më të shtrenjta, kur kalkulohet edhe vlera e humbjes nga mosprezenca e vazhdueshme e energjisë elektrike. Në realitet, përveç se e dëmtojnë prodhuesin, dëmtojnë edhe konsumatorin, i cili duhet të paguajë çmim më të shtrenjtë. Por, në anën tjetër, e bëjnë produktin kosovar më pak konkurrent në treg, në raport me produktet dhe shërbimet që ofrohen nga vendet tjera”, thotë Kusari Lila.

Furnizimi jostabil me energji elektrike nuk po lejon zvogëlimin e shkallës së papunësisë, thotë Kusari Lila, duke shtuar se për shkak të vështirësive për t’i mbuluar humbjet, bizneset nuk mund të zgjerojnë veprimtarinë e tyre.

“Mungesa e energjisë elektrike e dëmton punësimin në mënyrë të drejtpërdrejtë, për shkak se bizneset kanë më tepër shpenzime, janë më pak konkurrentë në treg, por, në anën tjetër, ndikojnë edhe në mungesën e investimeve të jashtme në Kosovë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike”, thotë Kusari Lila.

Ndryshe, raporti i fundit i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara thotë se potenciali i humbur për investime për shkak të shpenzimeve të operimit të gjeneratorëve, është baras me shpenzimet për punësimin e 3.5 punëtorëve shtesë.

Por, Safet Gërxhaliu pohon se ky numër mund të jetë edhe më i madh.

“Minimumi është ky. Do të thotë, është një problematikë, e cila është shndërruar në një plagë kancerogjene, një problematikë që është duke u heshtur dhe e tëra kjo në mungesë të përgjegjësisë individuale edhe institucionale”, pohon Gërxhaliu.

Sidoqoftë, sipas një raporti të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, problemet me furnizim me energji elektrike, bizneseve individuale u kushtojnë më shumë se 2 mijë euro në muaj.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG