Ndërlidhjet

NYT: "Koshtunica më i rrezikshëm se Nikoliqi"



"New York Times"

Lideri i Partisë Radikale të Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka thënë se ai nuk është reinkarnim i Slobodan Millosheviqit.

Jo pse ai mendon se Millosheviqi ishte i keq, sepse, siç pohon Nikoliq, Millosheviqi nuk ishte kriminel, por bëri shumë gabime.

Problemi me Millosheviqin qëndronte në faktin se ai kurrë nuk përfundonte atë që e fillonte.

"Të gjitha luftërat që i filloi, ai i dorëzoi", thotë Tomislav Nikoliq, për të shtuar se ai nuk mund të cilësohet si një Millosheviq tjetër.

Këto pohime të Nikoliqit nuk kanë flakur shqetësimet që në rast të fitores së Partisë Radikale, Serbia mund të rrëshqasë drejt një konfrontimi të ri me Perëndimin.

"Në vitet e 90-ta, Perëndimi kishte drejtuar gishtin nga Millosheviqi, si diktator dhe atë e kishte fajësuar për izolim të Serbisë", thotë analisti liberal serb, Dejan Anastasijeviq, i cili shton se "nëse Nikoliqi fiton, ai do të jetë i zgjedhur në rrugë demokratike dhe Perëndimi do të mendojë se serbët kanë shpirt të keq dhe meritojnë vetëshkatërrimin".

Nikoliq akuzon rëndë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por përjashton mundësinë e një lufte të re për Kosovën.

Nikoliq thotë se perëndimorët nuk kanë se përse të frikësohen nga epilogu i zgjedhjeve, ndonëse për shkak të kushteve të padrejta që u janë imponuar, ato po çojnë Serbinë drejt Lindjes, përkatësisht Rusisë, Kinës dhe Indisë.

Nikoliq ka fituar popullaritet duke luajtur në kartën e zemërimit të votuesve serbë me pavarësinë e Kosovës.

Nikoliq thotë se nëse do të fitojë, atëherë do të tentojë që me mjete diplomatike të kontestojë, siç e quan ai, "pavarësinë ilegale" të Kosovës.

Nikoliq thotë se në parim ai mbështet integrimin e Serbisë në Evropë, por Perëndimi, duke mbështetur pavarësinë e Kosovës, po shtyn Serbinë drejt braktisjes së këtyre aspiratave.

Kohët e fundit, Nikoliq ka intensifikuar marrëdhëniet me Rusinë dhe nuk fsheh se Serbia do të dëshironte të mbante një këmbë në lindje dhe një në perëndim.

"Evropa do të bëjë gabim nëse na përjashton, sepse do të na çonte te pala tjetër, ndërsa ne duam që në Serbi t’i kemi të dyja, edhe Rusinë, edhe Evropën", thotë Tomislav Nikoliq.

Përderisa liberalët serbë e portretizojnë zotin Nikoliq si demagog radikal, disa diplomatë perëndimorë thonë se ai paraqet rrezik më të vogël për interesat e Perëndimit, sesa kryeministri aktual Koshtunica.

"Vojisllav Koshtunica është nacionalist romantik, anti-perëndimor i shekullit 19", thotë një diplomat perëndimor, duke shtuar se "Nikoliq është më pragmatik".
XS
SM
MD
LG