Ndërlidhjet

logo-print

Guehenno: S'imagjinoj konflikt mes misionit të OKB-së dhe të BE-së


Jean Marie Guehenno

Jean Marie Guehenno

Zëvendëssekretari i OKB-së, Jean Mari Guehenno, në vizitën që e ka quajtur një mision faktmbledhës mbi situatën në Kosovë, ka përçuar mesazhin se OKB-së dëshirën të lë pas vetes në Ballkan stabilitet dhe paqe.



Nuk imagjinoj ndonjë konflikt mes misionit të OKB-së dhe atij të BE-së, ndërsa sekretariati i OKB-së nuk vendosë se kur UNMIK do të lë Kosovën, tha sot në Prishtinë, zëvendëssekretari i OKB-së, Jean Mari Guehenno.

Ai ka thënë se OKB-ja do t'i përshtatet rrethanave në terren, duke mos saktësuar kështu se çfarë do të ndodhë me misionin e UNMIK-ut pas 15 qershorit.

Guehenno, informacionet mbi situatën në terren i ka marrë në një takim të përbashkët nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi e zëvendësshefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker dhe Larry Rosin.

Guehenno ka thënë se OKB-ja është e përkushtuar që të lë pas vetes paqe dhe stabilitet në Ballkan.

"Në këtë periudhë kritike duhet që të gjithë të punojmë, në mënyrë që të evitojmë çfarëdo situate që mund të çojë në dhunë", tha Guehenno, duke shtuar se qëllimi i vizitës së tij është që të mbledhë fakte mbi situatën më të re në terren.

"Vizita bëhet në kohën kur ka shumë thashethëna, shumë ide kundërthënëse dhe është me rëndësi që të dëgjojë nga faktorët kryesorë që janë të përfshirë në proces, se cila është situata, çfarë janë pritjet, në mënyrë që OKB-ja të luajë rol konstruktiv, për të arritur stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe Ballkan", tha Guehenno, i cili është zyrtari i parë i lartë i OKB-së që e viziton Kosovën pas pavarësisë së saj.

Ai, i pyetur për fatin e UNMIK-ut, pasi që në Kosovë të jetë vendosur EULEX-i, ka hezituar të japë një përgjigje konkrete

"OKB-ja i përshtatet rrethanave. Ne jemi në diskutime të vazhdueshme në Këshillin e Sigurimit, në Kosovë, me BE-në, për të parë se cila është rruga që siguron paqe dhe stabilitet dhe që implementon Rezolutën 1244", tha Guehenno, i cili, megjithatë, ndryshe nga ç'mendohet, nuk sheh se mbetja e UNMIK-ut dhe e EULEX-it në Kosovë mund të shkaktojë dualizëm misionesh.

"Nuk imagjinoj ndonjë konflikt, OKB-ja vepron në bazë të 1244-shit. Nuk i përket sekretariatit të OKB-së që të vendosë se kur duhet ose jo të largohet UNMIK-u. I përket Sekretarit të Përgjithshëm që të raportojë rreth situatës dhe më pas të nxirret përfundimi mbi zhvillimet që mund të kenë ndodhur", tha Guehenno.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu ka theksuar se në takimin e përbashkët është biseduar për praninë e ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë.

Sejdiu është shprehur optimist për përfundimin, siç ka thënë, të suksesshëm të misionit të OKB-së në Kosovë.

"Biseduam edhe për një qartësi të veçantë në kuadër të misionit ndërkombëtar të UNMIK-ut mbi bazë të Rezolutës 1244, në proces të transmisionit progresiv të kompetencave dhe natyrisht me ardhjen e misionit evropian apo ICO-s. Në këtë kuptim, ne shprehëm besimin e plotë për këtë angazhim që do të kemi dhe në qartësinë e mandatit për integritetin funksional të institucioneve të Kosovës", tha Sejdiu.

Jean Marie Guehenno, që drejton edhe Departamentin për Operacione Paqeruajtëse në OKB, do të vizitojë të dielën Mitrovicën, ku do të takojë përfaqësuesit rajonalë të UNMIK-ut dhe liderët lokalë serbë.

Do të jetë kjo vizita e parë e një drejtuesi të lartë të OKB-së në veri, pas trazirave të atjeshme të 17 marsit, të cilat morën jetën e një polici ndërkombëtar.

Pas Kosovës, Guehenno do të vizitojë Serbinë.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG