Ndërlidhjet

Kosova, vend me liri të kufizuar mediale


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare

Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, thonë se Kosova, si shtet i pavarur, bën pjesë në grupin e vendeve me liri të kufizuar të shtypit.


Bashmir Xhemaj, drejtues i bordit të asociacionit të gazetarëve, thotë se gazetaria kosovare vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme.

Ai thotë se problemi më i madh qëndron në pamundësinë e vetëfinancimit.

"Duke u bazuar edhe në raportin e "Freedom House", një organizatë mjaft prestigjioze që bën vlerësimet për nivelin e shtypit dhe të medias, se sa është i lirë apo jo në një vend, atëherë mund të konkludohet se gjendja e shtypit të lirë në Kosovë nuk është në nivelin e kënaqshëm”, thotë Xhemaj.

“Kemi të bëjmë me një shtyp të kufizuar dhe një nga shkaqet që përmend edhe raporti, është se shumica e mediave nuk vetëmbahen dhe ato normalisht janë të detyruara t’i nënshtrohen bizneseve, të cilat pastaj kanë ndikimet e tyre. Shpeshherë, kjo gjë është edhe praktikë që bizneset janë të lidhura me politikanë", shprehet Xhemaj.

Ai tha se veç presioneve të ndryshme që gazetarët mund t'i kenë nga institucionet e ndryshme, apo politikanët për të cilët ata shkruajnë, gazetarët, sipas tij, kanë presione edhe nga vetë redaksitë në të cilat punojnë.

"Ne, si asociacion i gazetarëve profesionistë, në komunikimet që kemi me kolegët gazetarë, shpeshherë dëgjojmë shembuj të shkeljeve që u bëhen brenda redaksive, për vetë faktin se shumica e teksteve apo edhe e gjërave të tjera censurohen dhe për këtë krijohet defekti që nuk kemi një shtyp dhe një media të lirë", thotë Xhemaj.

Edhe Naim Gashi, redaktor në agjencinë e lajmeve "Kosovalive", thotë se në lirinë e shprehjes po ndikon politika.

Sipas tij, financimi i pavarur i mediave kosovare do të krijonte një hapësirë të mjaftueshme, që fjala e lirë të përshkohet më me saktësi.

"Unë mendoj se pavarësia financiare e mediave kosovare është bazamenti kryesor për të krijuar mundësinë e fjalës së lirë, për arsye se te komuniteti i gazetarëve ekziston një gatishmëri shumë e madhe për ta thënë fjalën e lirë", tha Gashi.

Nga ana tjetër, veterani i gazetarisë, Ramiz Kelmendi, konsideron se shumica e mediave në Kosovë nuk janë të pavarura.

Kelmendi thotë se para së gjithash, mediat në Kosovë do të duhej të ishin të lira.

Sipas tij, mjerisht, një pjesë e mirë e mediave lë shumë për të dëshiruar, e sidomos për hapësirën e lirë të shprehjes.

“Jo se nuk janë të lira në kuptimin që mund të bëjnë çfarëdo që duan, por pikërisht kjo që bëjnë çfarëdo që duan, këto media për mua nuk janë të lira. Mediat tona janë shumë të varura dhe nuk janë aspak të pavarura, po them për një pjesë të tyre“, tha Kelmendi.

Zoti Kelmendi tha se shqetësimi më i madh në këtë periudhë kohore, është se shumë gazetarë nuk e kanë egon e vet profesionale, por, sipas tij, janë të prirë që t'i nënshtrohen politikave redaksionale.

Me rastin e ditës botërore të shtypit të lirë, AGPK-ja ka organizuar një tryezë diskutimi, me temën " Media, si një forcë për ndryshime".

Me këtë rast është thënë se vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2008, në asociacionin e gazetarëve janë raportuar tetë raste të kërcënimeve ndaj lirisë së shtypit.


XS
SM
MD
LG