Ndërlidhjet

Hamiti: Në Kosovë janë katër pretendues për qeverisje


Sabri Hamiti

Sabri Hamiti

“Unë mendoj se është e domosdoshme që të ndërpritet ky konfuzion, sidomos pas datës 15 qershor”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Sabri Hamiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Hamiti, Kosovën si shtet, deri më tash e kanë njohur rreth 40 shtete. Si e shihni ju procesin e njohjes së shtetësisë?

SABRI HAMITI
Ky është një numër i konsiderueshëm i shteteve që kanë njohur deri më tash pavarësinë e Kosovës.

Fillimi ka qenë dinamik dhe shumë i mirë, me një ngecje në javët në vazhdim. Mendoj se kjo njohje do të fillojë me ritme të tjera.

Është me rëndësi të madhe që të kemi njohje edhe nga disa shtete në rajon, të kemi njohje nga shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian, si dhe të vendeve të tjera të botës.

Po insistoj dhe po nënvizoj shtetet e BE-së, sepse ne kemi një orientim të integrimeve dhe e dimë se është kusht elementar i njohjes së shteteve të BE-së për të filluar bashkëpunimin rreth këtyre integrimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tani gjendet në një situatë konfuzioni midis misionit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të BE-së. Cili është mendimi juaj për kërë çështje? A shihni ju ndonjë dualizëm misionesh?

SABRI HAMITI
Absolutisht dualizëm misionesh. Në gjendjen aktuale që ka Kosova tani, ne kemi një katërsh, do të thosha pretendues për qeverisjen e Kosovës.

Është Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë dhe aprovimit të Kushtetutës.

Kemi një funksion të plotë administrativ ende të UNMIK-ut.

Kemi një mision të BE-së që mbulon dy fusha të rëndësishme, të sigurisë dhe të gjyqësisë, dhe një përfaqësues civil ndërkombëtar.

I katërti është pretendimi i Serbisë që të ngrejë struktura të degazhuara në vendet ku kanë një shumicë minoriteti. Pretendimet janë të çuditshme për një vend siç është Kosova në gjendjen e tashme.

Por, ju po insistoni në këto dy misionet, UNMIK dhe EULEX. Unë mendoj se është e domosdoshme që të ndërpritet ky konfuzion, sidomos pas datës 15 qershor, kur mendohet se do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Pra, të dihet saktësisht se cili mision çka ka, sepse përndryshe do të kemi përzierje të mëdha.

Ku ka përzierje të mëdha dhe nuk ka koordinim të mirë, ka edhe papërgjegjësi të mëdha.

UNMIK në Kosovë, pas 15 qershorit, nuk mund të ketë në të njëjtën kohë edhe EULEX.
Pra, do të jetë një difernicim, një saktësim i këtyre misioneve.

Ndoshta UNMIK-u mund të jetë një zyrë, si përfaqësim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, por me fuqi administrative, kontrolluese ose monitoruese, siç po thuhet deri më tani, është e pamundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një deklaratë me të cilën kundërshton zgjedhjet serbe në Kosovë. Ka të atillë që thonë se përgjigjet ndaj këtij veprimi të Serbisë duhet të jenë më të prera. Ju, çka mendoni?

SABRI HAMITI
Unë do të thosha që artikulimi i atij reagimi do të ishte që Kuvendi i Kosovës nuk i pranon dhe kërkon ndalimin e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, sidomos pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur.

E dyta, Serbia, kurrë pas luftës, nuk ka bërë zgjedhe lokale në Kosovë.

E treta, qeveria, me fuqitë që i ka ekzekutive, dhe UNMIK-u me fuqinë që e ka edhe ekzekutive, edhe të përcaktuar si detyrë nga Kombet e Bashkuara, të mos pranojnë zgjedhje lokale në Kosovë.

Po them UNMIK-u, sepse edhe sot e kësaj ditë, derisa të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, është UNMIK-u ai që ka të drejtë të shpallë dhe të mbajë zgjedhje në Kosovë.

Pra, këto do të ishin pikat themelore.

Formula se si ka reaguar Kuvendi, mund të duket një formulë më e zbutur, por kjo është formulë që e kanë adoptuar të gjithë shefat e grupeve parlamentare, pozitë dhe opozitë.

Kam bindjen se ka mbisunduar ideja që fuqia ekzekutive, vepruese ta quajmë, e institucioneve të Kosovës, për të bërë atë që quhet ndalesë, është konsideruar si jo e mjaftueshme.

Prandaj, kemi një ripërsëritje të asaj se zgjedhjet nuk janë legale, nuk janë legjitime, nuk do të prodhojnë kurrfarë efekti dhe do të jenë të anuluara.

Kjo përafërsisht është ajo që është detyrë dhe ajo që është politikë ose që është kalkulim politik i momenteve aktuale në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej sfidave me të cilat po përballen institucionet e Kosovës është veriu i Mitrovicës. Si mendoni se mund të ndryshohet gjendja atje?

SABRI HAMITI
Veriu i Kosovës – një problem që zgjat me vite, që shtrohet për zgjidhje sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Puna elementare, unë mendoj se është ajo që KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut, e Kosovës, kryesisht ata që kanë për detyrë ruajtjen e territorit të Kosovës, të kalojnë në sigurimin e kufirit të Kosovës. Kjo është themelore.

Pastaj, të provohet me integrimet në bazë të ligjeve në fuqi dhe në bazë të Kushtetutës.
Ajo dalje në kufi, për mua është themelore.

Unë mendoj se nuk ka shanse të zgjidhet problemi i Mitrovicës duke bërë hapa mbrapa, si në rastin e djegies së pikave doganore dhe në rastin e shpërnguljes së institucioneve, siç është gjyqësia.

Këto duhet të kthehen dhe duhet të fillojë të zgjidhet problemi. Përndryshe, do të humbet hapësira njëherë e fituar dhe do të humbet koha.

Unë mendoj se ky është problemi pse edhe Beogradi insiston që atje ta ketë një terren, në të cilin do t’i provojë ndikimet e veta direkt në territorin e Kosovës, qoftë në kuptimin politik, qoftë në kuptimin e ndërhyrjes institucionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, Serbia vazhdon edhe më tej insistimin për ndarjen funksionale të Kosovës, midis shqiptarëve dhe serbëve. Cili është mendimi juaj?

SABRI HAMITI
Ju po e formuloni shumë saktë – ndarje funksionale e Kosovës.

Kjo është politika koncistente e Serbisë kundrejt Kosovës ose kundër Kosovës, e cila po merr trajtat e kohës së tashme.

Tanimë dihet që Kosova është shpallur e pavarur, tanimë dihet që një korpus i madh shtetesh e kanë njohur dhe të tjerat do ta njohin.

Serbia nuk do ta njohë Kosovën; në të njëjtën kohë, do të luajë lojën politike institucionale të implikimit në brendësi të saj, nëpërmjet ndërtimit të strukturave pushtetore sipas shijes së vet.

Kjo i bie që të legalizojë organe paralele, të provokojë dhe të provojë pavarësinë e Kosovës.

Unë mendoj se ky është një moment shumë delikat dhe ato zgjedhje, ato prova të këtij tipi të ndarjes funksionale të brendshme, nuk duhet të pranohen assesi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG