Ndërlidhjet

logo-print

HRW: Prishtina dhe Tirana të nisin hetimet serioze


Libri i Carla Del Pontes

Libri i Carla Del Pontes

“Informacione shtesë kanë dalë në sipërfaqe që sforcojnë dyshimet për rrëmbimin e disa personave dhe transferimin e tyre përtej kufirit në Shqipëri pas luftës në Kosovë”, ka njoftuar organizata “Human Rights Watch”.


“Dyshime serioze dhe të qëndrueshme kanë dalë në sipërfaqe për keqtrajtimet e tmershme që kanë ndodhur në Kosovë dhe në Shqipëri pas luftës”, ka thënë Fred Abrahams, hulumtues në Human Rights Watch, i cili ka bërë hetime mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri nga viti 1993 deri në vitin 2000.

Sipas tij, “qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë tani duhet të dëshmojnë përkushtimin e tyre mbi drejtësinë dhe sundimin e ligjit, duke zhvilluar hetime të duhura”.

Këto dyshime janë bërë publike në librin e fundit të Carla Del Pontes, ish kryeprokurores së Trinunalit Ndërkombëtar të Hagës.

Në një komunikatë për opinion, HRW thotë se ka në duar informacione dhe dokumentacion të pavarur që ofrojnë bazë për atë që Del Ponte shkruan mbi abuzimet e pasluftës në Kosovë, në librin që mban titullin “Gjahu: Kriminelët e luftës dhe unë”.

“Informacionet mbi trafikimin e organeve janë sugjestive, por janë larg së qenit të kompletuara”, ka thënë Abrahams, duke shtuar se “megjithatë, është fakt se qindra njerëz, shumica prej tyre serbë, janë raportuar si të zhdukur pas luftës".

"Qeveria në Kosovë dhe ajo në Shqipëri duhet të bëjnë përpjekje të përcaktojnë fatin e këtyre njerëzve, duke nisur hetime serioze me mbrojtje adekuate të dëshmitarëve”.

Human Rights Watch thotë se ka folur veç e veç me dy persona që kanë qenë prezent gjatë vizitës së hetuesve të Tribunalit të Hagës dhe të UNMIK-ut në shtëpinë e përfolur në Burrel për trafikim organesh dhe që të dy kanë mbështetur rrëfimin e përshkruar në librin e Del Pontes.

“Grumbullimi i dëshmive të qendrueshme për të nisur një përndjekje krininale dhe grmbullimi i dëshmive për të shtuar peshën e dyshimeve janë dy gjëra të ndryshme, dhe dëshmitë e gjetura në afërsi të Burrelit qartazi shtojnë peshën e dyshimeve”, ka thënë Abrahams.

Këto pohime në librin e zonjës Del Ponte janë hedhur poshtë nga ministri i jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, si “amorale dhe të pabaza”.

Human Rights Watch thotë se zoti Basha “duhet t’i marrë më seriozisht këto dyshime, sepse ai e din nga përvoja e tij se ka dëshmi të qëndrueshme për transferimet ndërkufitare”, thotë zoti Abrahams, duke rikujtuar edhe punën e zotit Basha në Tribunal, në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut dhe, siç thuhet, hetimet e tij personale për objektet e paraburgimit në Shqipërinë veriore.

Megjithatë, Human Rights Watch pranon se nuk ka kryer hetimet e veta mbi njoftimet e fundit, përveç se ka shikuar materialin që i është prezantuar Tribunalit Ndërkombëtar, raportin e hetuesve të UNMIK-ut dhe bisedën që ka zhvilluar me dy personat në Burrel.

Në fund, kjo organizatë bën thirrje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, qofshin ata shqiptarë apo serbë.

“Qeveria serbe mbase me të drejtë është duke u ankuar për rrëmbimet e raportuara dhe transferimin e serbëve në Shqipëri”, thotë zoti Abrahams, por, e njejta qeveri, thotë ai, “gjithashtu ka dështuar të bashkëpunojë për të zbardhur fatin e një numri shumë më të madh të shqiptarëve të cilët janë zhdukur që prej luftës”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG