Ndërlidhjet

Serbia në fund të përgatitjeve për zgjedhjet lokale në Kosovë


Votimet e serbëve ne Graçanicë

Votimet e serbëve ne Graçanicë

Pavarësisht kundërshtimeve të UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, partitë politike serbe janë në fund të përgatitjeve për zgjedhjet lokale serbe, që do mbahen edhe në Kosovë më 11 maj.


Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë, ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, përderisa pjesë të materialit për votim tashmë ka dërguar edhe në Kosovë.

Politikanët serbë të Kosovës janë të vendosur që të garojnë edhe për zgjedhjet lokale, pavarësisht kundërshtimeve të UNMIK-ut dhe institucioneve për këto zgjedhje.

Lubomir Kragoviq, përfaqësues në Mitrovicë i Partisë Radikale Serbe nuk ka asnjë dilemë rreth zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, përkundrazi ai thekson se pjesëmarrja në këto zgjedhje do t'u përmirësojë jetën banorëve serbë.

"Sa i përket zgjedhjeve lokale, kemi një porosi për të gjithë qytetarët, se me fitoren tonë do te këtë më shumë mundësi, që të kthehen ne pronat e veta. Ndërsa për zgjedhjet parlamentare shpresojmë se në krye të qeverisë do të vihet kreu i radikalëve Tomislav Nikoliq", thotë Kragoviq.

Këmbëngulës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe ne Kosovë janë edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike të presidentit serb Boris Tadiq. Dragisha Gjokoviq, nga kjo parti vlerëson se me zgjedhjet do të përpiqen që t'ia kthejnë sovranitetin Serbisë.

"Pavarësisht rrethanave po mundohemi që t'i organizojmë zgjedhjet në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe do të mundohemi që të paktën të kthejmë një pjesë të sovranitetit të Serbisë, që i është marrë para 8 – 9 vjetësh", thotë Gjokoviq.

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike Serbe të Koshtunicës Zoran Saviq deklaron se subjektet politike në mjediset serbe i kanë bërë përgatitjet e fundit, për zgjedhjet e së dielës.

"Po i përgatisim të gjitha sipas planit, nuk ka asgjë të papritur, nuk ka probleme për zgjedhjet parlamentare. Sa i përket zgjedhjeve lokale, këtu jemi më të fortë, dhe shpresojmë në fitore", thotë Saviq.

Në anën tjetër, pavarësisht se administrata ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara pati theksuar se ka sinjale se qeveria serbe mund të anulojë zgjedhjet lokale në Kosovë, tash kur kanë mbetur 6 ditë para zgjedhjeve, një gjë e tillë nuk duket se do të ndodhë.

Sidoqoftë, UNMIK-u mbron qëndrimin se do të anulojë zgjedhjet lokale serbe, nëse ato mbahen këtë të dielë.

"Ne kemi qartësuar pozicionin tonë në Beograd, ato janë të paligjshme, nëse mbahen do të shpallen të pavlefshme. Ne po theksojmë se vendimi për zgjedhjet lokale duhet të tërhiqet, ndërkaq sa i përket zgjedhjeve parlamentare mbetet pozicioni i njëjtë- as nuk do ndihmojmë e as nuk i pengojmë ato", thotë zëdhënësi i UNMK-ut Rusell Geekie, i cili nuk saktëson se çfarë masash do të ndërmarrë UNMK-u për të ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe.

"Nuk është çasti i duhur që të flasim se çka do të bëjmë e çka jo, por me rëndësi është që autoritet ne Serbi të rishqyrtojnë vendimin e tyre për të mbajtur zgjedhje lokale në Kosovë", tha Rusell Geekie.

Autoritetet serbe kanë deklaruar se me mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare serbe synojnë rikthimin e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Ndërkohë, mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë përmes një deklarate është hedhur poshtë javën e kaluar nga Kuvendi i Kosovës.

Sidoqoftë, përfaqësues të institucioneve te Kosovës dhe UNMIK-u, kanë deklaruar se të vetmet mjete që do të përdorin kundër këtyre zgjedhjeve do jenë ato ligjore, që nënkupton se mbajtjen e tyre nuk do ta pengojnë, por vetë zgjedhjet dhe rezultatin e tyre do ta shpallin të pavlefshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG