Ndërlidhjet

logo-print

Ahmeti: Maqedonia ta njohë pavarësinë e Kosovës


Ali Ahmeti

Ali Ahmeti

“Njohja e Kosovës nga Maqedonia duhet të jetë në linjën e deklaratave të mëhershme që janë bërë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti në prag të fillimit të fushatës elektorale janë shpeshtuar incidentet mes aktivistëve të partive të ndryshme në teren. Cili është vlerësimi juaj, do të arrijë Maqedonia të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike?

ALI AHMETI
Mendoj se në të mirën e gjithë Maqedonisë është që zgjedhjet të jenë të lira, fer dhe demokratike, të pranueshme për të gjitha palët.

Të gjitha partitë që garojnë në këto zgjedhje duhet të apelojnë tek anëtarësia e vet që të mos ketë problem, kështu që përgjegjësia u takon të gjithëve, por përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve u takon institucioneve të shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë prisni nga zgjedhjet parlamentare të qershorit?

ALI AHMETI
Pres të mos përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2006, pra të kemi një qëndrim korrekt dhe të drejt në drejtim të respektimit të vullnetit të komunitetit shqiptar në Maqedoni.

Dhe ai vullnet të reflektohet në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të Maqedonisë në koalicionet e ardshme.

Unë nuk paragjykoj që tani se kush do të fitojë, por mendoj se është shumë e drejtë që vullneti i komunitetit shumicë domosdo duhet të respektohet, pasi vetëm në këtë menyrë ndërtohet një stabilitet politik i qëndrueshëm dhe nuk do të na përsëritet ajo që na ndodhi për 18 muajsh në Kuvendin e Maqedonisë.

Sepse nëse na ndodh viti 2006 atëherë pushon më arsyeja se përse tek shqiptarët të ekzistojnë dy apo tri parti politike, apo përse shqiptarët të votojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, kryeministri aktual Nikolla Gruevski ka bërë të ditur se parapëlqen që edhe pas zgjedhjeve të vazhdojë koalicionin me PDSH-në...

ALI AHMETI
Unë nuk mendoj se kjo do të përsëritet, pasi pas 18 muajve apo pas një viti sërish do të kemi zgjedhje të parakohshme.

Ne nuk mund të tallemi apo të luajmë me ndjenjat e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

Nëse edhe njëherë ndodhë ajo që ndodhi në vitin 2006, atëherë jam i mendimit se ata njërëz që marrin një vendim të tillë të gabueshëm nuk e duan Maqedoninë apo sigurisht se janë të përcaktuar për ndonjë koncept tjetër të cilën unë nuk e di.

RADIO EVROPA E LIRË
Me çfarë platforme Bashkimi Demokratik për Integrim merr pjesë në këto zgjedhje, apo çfarë ofron para elektoratit ?

ALI AHMETI
Oferta jonë është e hapur. Për punët që ne premtojmë se do ti bëjmë, qytetarët shqiptarë të Maqedonisë janë të sigurtë se ne edhe do t’i realizojmë.

Ne ndryshojmë nga partia shqiptare në pushtet që pa të drejt i ka përfaqësuar shqiptarët se jep premtime, por asnjë premtim nuk e përmbushë.

RADIO EVROPA E LIRË
Maqedonia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, përkundër asaj se shumë herë ishte thënë se është vetëm çështje kohe kur Shkupi do të njohë Kosovën. Ku qëndron sipas jush problemi për këtë zvarritje ?

ALI AHMETI
Tani unë arsyet e vërteta nuk i di se përse Maqedonia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Nuk e di nëse kjo ka ndodhur për shkak të ashpërsimit të raporteve mes partnerërve të koalicionit qeveritar që në momentin kur Menduh Thaçi deklaroi se pavarësia e Kosovës do të ndodh kur të thotë partia e tij, dhe që negativisht ndikoi tek Nikolla Gruevski, apo nëse kjo zvarritje ka ndodhur për shkak të ndonjë frike nga ndonjë provokim i mundshëm nga Serbia.

Përkundër kësaj, mendoj se njohja e Kosovës nga Maqedonia duhet të jetë në linjën e deklaratave të mëhershme që janë bërë, deklarata shumë konstruktive nga kreu i shtetit se Maqedonia do të jetë në përkrahje të vendimeve që do të sillen nga SHBA-të, OKB-ja, Brukseli dhe NATO-ja.

Kështu që në ketë linjë duhet të qëndrojë Maqedonia dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG