Ndërlidhjet

Njohja e Kosovës nga vendet fqinje


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës

Qeveria e Kosovës thotë se ka bërë mjaft që t’u garantojë Maqedonisë dhe Malit të Zi se shteti i Kosovës paraqet stabilitet për rajonin. Opozita konsideron se nuk është bërë mjaft.


Vendet fqinje i kanë garancat e Kosovës se ajo nuk ka pretendime territoriale ndaj tyre dhe se Republika e Kosovës angazhohet për raporte të mira e korrekte me fqinjët, thonë në qeverinë e Kosovës.

Duke i komentuar disa deklarata kontradiktore të këtyre ditëve nga Shkupi zyrtar, ku mes tjerash presidenti maqedonas është përfolur të ketë thënë se shteti i Kosovës paraqet dhe kërcënim për rajonin, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se deklaratat e tilla mund të kenë qenë edhe në funksion të fushatës elektorale në këtë vend.

Kuçi pret që Maqedonia të reflektoj politikë korrekte ndaj Kosovës dhe ta njoh realitetin e ri.

“Mendoj se kjo çështje ka të bëj me zhvillimet brenda përbrenda Maqedonisë, por deklaratat e tilla nuk i kontribuojnë raporteve ndërshtetërore po me siguri që mund të kenë edhe elemente të deklaratave elektorale”, theksoi Kuçi.

Në anën tjetër, opozita në Prishtinë konsideron se qeveria është dashur të angazhohet më shumë në raport me Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dy vende fqinje, për një njohje me të shpejt.

Vonesa e njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë nuk e lehtëson, por e vështirëson procesin, thotë nënkryetari i AAK-së, Bajram Kosumi. Sipas tij, nuk mungojnë qëndrimet e drejta verbale të liderëve të Maqedonisë, por mungojnë hapat konkret për ta njohur realitetin e ri kushtetues në Kosovë.

Kosumi thotë se qeveria e Kosovës megjithatë në situata të tilla e ka për obligim që të angazhohet më shumë dhe të mos pres vetëm nismat amerikane të BE-së për njohjen e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera publike e kanë për obligim që të bëjnë gjithçka që mund të bëhet që të lehtësohet njohja e shtetit të Kosovës nga të gjitha vendet në përgjithësi, por sidomos nga vendet e rajonit. Qeveria nuk duhet të kënaqet me punën që bëjnë të tjerët për ne, në radhë të parë diplomacia amerikane, BE-ja e tjera, por duhet të marrë nismën vet që t’ia lehtësoj punën edhe qeverisë së Maqedonisë edhe asaj të Malit të Zi, për ta njohur Kosovën”, tha Kosumi.

Në çdo rast, Bajram Kosumi thotë po ashtu se opozita do të ishte e gatshme ta ndihmoj qeverinë e Kosovës në çështjet e interesit mbarë kosovar, siç është njohja. Por, ai nuk sheh se deri më tash, qeveria dhe kryeministri kanë marrë ndonjë nismë në këtë drejtim.

“Pajtohem se janë disa gjera që nuk lidhen më pozitën e opozitën. Çështja e njohjes apo ajo e pranimit të Kosovës në OKB është prioritet i qeverisë, por natyrisht edhe opozita, çdo parti politike, duhet ta ndihmoj aty ku mundet. Në çdo moment, jo vetëm, pas periudhës tranzitore, por edhe tash ne jemi të gatshëm dhe besoj se e ndihmojmë. Por, qeveria e ka përgjegjësinë, ajo duhet ta marrë nismën, ajo duhet t’i nisë këto procese”, tha Kosumi.

Por, për dallim nga Kosumi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qeveria dhe institucionet i kanë kryer obligimet e veta në raport edhe me vendet fqinje të cilave Kosova u ka ofruar bashkëpunim e marrëdhënie korrekte duke mos pasur asnjëherë pretendime territoriale apo pretendime tjera ndaj fqinjëve.

“Në momentin e shpalljes së pavarësisë, ne nuk kemi shpallur pretendime territoriale ndaj askujt. Kemi ofruar miqësi të mirë, në këtë kuptim edhe me Maqedonisë e Malin e Zi. Por kanë qenë zhvillimet e brendshme dhe balansi i forcave brenda tyre që ndoshta për disa ditë e kanë vonuar njohjen”, pohoi Kuçi.

Kosova është njohur deri më tash nga rreth 40 vende. Nga fqinjët, mungon ende njohja nga Maqedonia, Mali i Zi si dhe nga Serbia që deklarohet krejtësisht kundër pavarësisë së Kosovës. Përderisa nga vendet e ish Jugosllavisë, Sllovenia dhe Kroacia e kanë njohur shtetin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG