Ndërlidhjet

logo-print

WP: Një sinjal kërcënues nga Moska?


Washington Post



Përpara se të ndodhte askush nuk e besonte se vrasja e Franz Ferdinandit në Sarajevë do të shërbente si shkak për të filluar Luftën e Parë Botërore. Shembuj të ngjashëm gjen dhe në historinë amerikane. Kjo të vjen në mend pas raportimeve nga agjencitë ruse të lajmeve, fundjavën që lamë pas, se Gjeorgjia po përgatitet të pushtojë Abkazinë.

Shumë njerëz nuk kanë dëgjuar për Abkazinë, pjesë e rajonit të harruar të Kaukazit. Aty gjenden dhe Nagorni Karabak, Dagestani, dhe Osetia Jugore.
Abkazia është rajon i Gjeorgjisë që shpalli pavarësinë në vitin 1992. Shpallja e pavarësisë u pasua nga një luftë e përmasave të vogla dhe më pas Abkazia u pastrua etnikisht nga gjeorgjianët.

Kombet e Bashkuara janë përpjekur disa herë të arrijnë një marrëveshje paqeje, por pa rezultat. Gjeorgjia i ka ofruar autonomi të gjerë Abkazisë, por megjithatë raportet mes tyre mbeten të vështira.

Marrëdhëniet mes Abkazisë dhe Tbilisit vështirësohen veçanërisht kur një gjë e tillë është shumë e dobishme për Rusinë. Moska është aleati më i ngushtë ushtarak, ekonomik dhe politik i Abkazisë dhe dihet interesi i Rusisë për të destabilizuar Gjeorgjinë, vend me orientim pro perëndimor, pro amerikan dhe pro NATO-s.

Në këtë kuptim lajmi i agjencive ruse se Gjeorgjia synon të pushtojë Abkazinë mund të nënkuptojë se realisht Rusia mund të jetë e interesuar për të pushtuar Gjeorgjinë.

Pyetja është e thjeshtë: Pse do ta bënte Rusia një gjë të tillë?

Politika ruse është bërë e vështirë për tu shpjeguar. Disa thonë se Rusia po nxit trazirat në Abkazi gjatë javëve të fundit si hakmarrje ndaj NATO-s për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Një tjetër arsye është për t'iu kundëpërgjigjur angazhimit të Aleancës, që u shpreh në takimin e Bukureshtit për t'i hapur rrugën e anëtarësimit të Gjeorgjisë. Presidenti Bush ishte mbështetës shumë i zjarrtë i këtij opcioni.

Ka nga ata që besojnë se roli i Rusisë në Abkazi gjatë javëve të fundit ka të bëjë me marrjen e postit të presidentit javën e ardhshme nga Dimitri Medvedev. Ndoshta ky i fundit do të tregojë se sa i ashpër është, ose dikush tjetër do ta bëjë këtë gjë në emër të Medvedevit.

Për momentin Gjeorgjia po tregohet e përmbajtur. Por nëse ndodh që Rusia ta pushtojë Gjeorgjinë, një demokraci e re, një vend që synon të anëtarësohet në NATO, një vend që kontribuon me trupa në Irak atëherë Perëndimi duhet të dalë me një përgjigje të madhe. Nëse jo ushtarake duhet të jetë përgjijge e fuqishme politike dhe diplomatike.

Tensionet e fundit nuk mund të kishin ardhur në një kohë më të keqe. Shtetet e Bashkaura janë në vit zgjedhor dhe nuk dihet nëse presidenti aktual do jetë në gjendje për përgjigjen e duhur ndaj një pushtimi të mundshëm rus të Abkazisë.

Por nga një këndvështrim tjetër, nuk mund të gjendet moment më i mirë se sa ky për të destabilizuar një vend aleat të Shteteve të Bashkuara. Nëse rusët nuk e përdorin këtë mundësi, dikush tjetër do ta bëjë.

XS
SM
MD
LG