Ndërlidhjet

Njohja e Kosovës si shtet dhe anëtarësimi i saj në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, konsiderohet si një interes i përbashkët që lidh pozitën dhe opozitën.


Opozita do ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në planin e angazhimeve për njohjen e shtetit të Kosovës. Ndërkohë që paralajmëron se nuk do t’i kursejë as kritikat ndaj punës dhe mospunës së ekzekutivit në planin e zhvillimit të brendshëm, si në aspektin politik, ashtu dhe në atë ekonomik.

Pas shpalljes së pavarësisë dhe kalimit të 100 ditëve të para të qeverisjes në Kosovën e pavarur, opozita konsideron se askush më nuk mund të fshihet pas statusit.

Andaj, si interes i përbashkët tani shihet angazhimi në politikën e jashtme në kuadër të njohjes së Kosovës si shtet dhe në çështjet e zbatimit të planit të Ahtisaarit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se kryeministri Hashim Thaçi do të zhvillojë këtë javë takime të ndara me liderët e opozitës, me qëllim të koordinimit të veprimeve si në raportet ndërmjet pozitës e opozitës, ashtu edhe të interesave të përbashkëta.

“Çështjet që kanë të bëjnë me shtetin e Kosovës janë të përbashkëta, ndërsa ato që kanë të bëjnë me raportet pozitë – opozitë, me siguri se janë të ndara. Por, besoj se ka shumë gjëra që mund të jenë ende të përbashkëta, si tani, ashtu edhe në të ardhmen”, tha Kuçi.

Ndërkohë, Besnik Tahiri, zëdhënës i AAK-së, thotë se kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, është i gatshëm të diskutojë me kryeministrin Thaçi çështjen e përshpejtimit të njohjes së Kosovës si shtet, si edhe për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova me veriun dhe pozitën e pakicës serbe.

“Janë tri pika themelore. E para, për një njohje sa më të shpejtë, angazhim të të gjithë spektrit politik për lobim në shërbim të njohjes ndërkombëtare. E dyta ka të bëjë me çështjet lidhur me integrimin e pakicës serbe në veçanti me veriun e Kosovës dhe pika e tretë ka të bëjë me implementimin e zotimeve si subjekte politike, që kanë të bëjnë me pakon e Ahtisaarit”, tha Tahiri.

Në anën tjetër, AKR e Behxhet Pacollit shprehet e gatshme të inkuadrohet në aspektet e politikës së jashtme të Kosovës, me qëllim të përshpejtimit të njohjes së Kosovës, si dhe me qëllim që të angazhohet për krijimin e ambientit, që investitorët e jashtëm të investojnë më shumë në Kosovë.

Arbër Geci, nga kjo parti, shpreh qëndrimin e këtij subjekti politik.

“AKR-ja është e interesuar që të bëhet pjesë e politikës së jashtme, të diplomacisë së Kosovës dhe Ministrisë së Jashtme, sepse besojmë se mund të kontribuojmë edhe në aspektin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, por edhe të krijimit të ambientit më të favorshëm për investitorët e huaj. Dhe, këtu ne duam të jemi pjesë e fuqishme edhe në aspektin e krijimit të politikave fiskale për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, theksoi Geci.

Nga partitë opozitare, më e ashpër në raport me qeverinë paraqitet LDD-ja e Nexhat Dacit.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Lulëzim Zeneli, thotë se LDD-ja, që nga përfundimi i 100 ditëve të para të punës së qeverisë, do të jetë një opozitë e vërtetë, duke mos pranuar që faji i punës apo mospunës së qeverisë, tash e tutje t’i vishet edhe opozitës.

“Ajo çka ne mund ta definojmë si qasje, si koncept apo edhe si sjellje opozitare, ne do të jemi konstruktivë, por nuk mund të pritet më që opozita të rezervohet dhe ta paguajë edhe më faturën e mospunës së qeverisë, duke i dhënë shans vazhdimisht qeverisë që ta dëshmojë veten”, tha Lulëzim Zeneli.

Në mandatin e kaluar, pozita dhe opozita në Kosovë kanë luajtur rol të përbashkët, sidomos në çështjet e negociatave për statusin, përgatitjen e ligjeve që buronin nga pakoja e Ahtisaarit, Kushtetutës, simboleve e deri te shpallja e pavarësisë.

Ndërkaq, tani konsiderohet se pozita dhe opozita mund të kenë si interes të përbashkët politikat shtet-formuese të Kosovës, njohjen dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, si dhe zbatimin e obligimeve të marra me miratimin e pakos së Ahtisaarit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG