Ndërlidhjet

Programi qeveritar në aspektin ekonomik



Përfaqësues të opozitës dhe ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se programi i qeverisë, sa i përket zhvillimit ekonomik, është i paqartë, pasi, sipas tyre, nuk jep sqarime se si do të zbatohet ai.

Berim Ramosaj, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, thotë se programi nuk e ka kuptimin e një programi afatmesëm, por më shumë i ngjason ndonjë strategjie afatgjate.

Ai pohon se programit qeveritar, i cili është prezantuar në 100 ditshin e parë të qeverisë, i mungojnë elementet përmbajtjesore dhe qeveria nuk ka vënë theks të veçantë në ndonjë segment të caktuar.

“Duhet t’i tregojë qytetarëve të Kosovës, por edhe neve si Parlament, se këto janë synimet në aspektin kohor, këta janë treguesit e natyrës së caktuar. Kështu që edhe në aspektin përmbajtjesor nuk kemi elemente përmbajtjesore. Do të thotë, i mungon shumëçka. Më se paku është një program operativ i një qeverisjeje”, thotë Ramosaj.

Por, Avni Arifi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se programi qeveritar më shumë paraqet një vizion, sesa një program të mirëfilltë ekonomik.

Ai thotë se në program nuk ka asgjë konkrete dhe, sipas tij, deri në vitin 2011, nga ky program nuk pret ndonjë rezultat sa i përket zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

“Thjesht, ky nuk është program qeveritar dhe ne duhet ta quajmë ashtu siç është. Ai mund të jetë platformë, mund të jetë vizion. Si vizion është i bukur, sepse flet për një jetë shumë të mirë. Mirëpo, si program, i cili tregon se çfarë do të bëhet dhe kush është përgjegjës, nuk është. Nuk do të realizohet, sepse nuk ka as metodologji, nuk ka koncept dhe thjesht është një ëndërr e mirë”, shprehet Arifi.

Ndryshe, edhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se programi qeveritar, edhe pse është i bukur, është shumë i paqartë.

Ibrahim Rexhepi thotë se programi nuk është i ndarë në faza kohore, se sa për qind do të rritet zhvillimi ekonomik, shkalla e punësimit, sa do të zvogëlohet shkalla e varfërisë në intervale të caktuara vjetore.

“Programi është bukur i përgjithësuar dhe nuk jep qartë modalitetin se si do të zbatohet ai. Unë shpresoj se, megjithatë, qeveria e ka të qartë se si ka hyrë dhe si do të dalë prej këtij programi”. thotë Rexhepi.

Ndryshe, një ndër katër shtyllat prioritare në programin qeveritar të Kosovës është zhvillimi ekonomik.

Sipas këtij programi, resurset natyrore që ka Kosova dhe shfrytëzimi i tyre do të rrisë zhvillimin ekonomik, do të ulë shkallën e papunësisë, do t’i përmirësojë kushtet sociale dhe do të zvogëlojë varfërinë.

Por, Ibrahim Rexhepi pohon se në këtë fushë mungon sqarimi se në çfarë formash do të shfrytëzohen këto resurse.

“Format se si do të bëhet eksploatimi i tyre, valorizimi i tyre, a do t’i ketë shteti për vete, do t’i shesë apo do t’i japë me koncesion, ato janë probleme që qeveria duhet t’i definojë në të ardhmen”, thekson Rexhepi.

Sidoqoftë, në program thuhet se qeveria do të ofrojë edhe mundësinë për krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja dhe që Kosova të jetë konkurruese me vendet e rajonit.

Synimi i qeverisë, thuhet në program, është që këto prioritete të jenë të përballueshme dhe të qëndrueshme në aspektin fiskal.

Kostoja e tyre, sipas programit, do të përcaktohet me kornizën afatmesme të shpenzimeve, si dhe me mundësinë e aplikimit të projekteve konkrete në Konferencën e Donatorëve.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG