Ndërlidhjet

Për secilin nga një fitore

  • RFE /RL

Barack Obama dhe Hillary Clinton

Barack Obama dhe Hillary Clinton

Dy rivalët e Partisë Demokratike për kandidimin presidencial në Shtetet e Bashkuara kanë dalë me nga një fitore për secilin, në zgjedhjet e fundit brenda-partiake. Por, derisa Barack Obama ka fituar me një dallim të mjaftueshëm në Karolinën Veriore, Hillary Clinton ka fituar me një rezultat të ngushtë në Indiana. Të dy kandidatët vazhdojnë të mbeten në garë për në Shtëpinë e Bardhë.


Ishin këto zgjedhjet e fundit në shtetet e mëdha që do të ndihmojnë zgjedhjen e kandidatit presidencial të Partisë Demokratike.

Hillary Clinton ka fituar zgjedhjet brenda-partiake në Indiana, me 51 për qind të votave, përballë rivalit të saj, Barack Obama, i cili fitoi 49 për qind.

"Jo para shumë kohësh, rivali im ka bërë një parashikim, duke thënë se unë do ta fitoj Pensilvaninë, ai Karolinën e Veriut, kurse Indiana do të jetë vendi që do ta zgjidhë këtë nyje. Pra, me këtë ditë e kemi zgjidhur nyjen dhe duke ju falënderuar, gara jonë për në Shtëpinë e Bardhë vazhdon me shpejtësinë e plotë", ka thënë zonja Clinton.

Megjithatë, ekspertët thonë se matematika nuk është në anën e saj.

Kanë mbetur vetëm edhe gjashtë shtete për të mbajtur zgjedhjet brenda-partiake dhe asnjëri nga kandidatët nuk mund të fitojë në këto zgjedhje numrin e mjaftueshëm të delegatëve për t'u emëruar si kandidat presidencial.

Kjo do të thotë se vendimi mbase do t'i mbetet 800 super-delegatëve, zyrtarë të zgjedhur partiakë, të cilët janë të lirë të marrin anën e cilitdo garues.

Disa analistë thonë se rezultatet e fundit kanë zbehur shpresat e zonjës Clinton për t'i bindur super-delegatët që ta mbështesin atë.

Senatori Barack Obama në Karolinën e Veriut ka fituar me një dallim prej 14 për qind të votave kundruall zonjës Clinton.

Ai tani duhet t'i bindë super-delegatët se është kandidati më i mirë për të mposhtur kandidatin republikan, John McCain, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

"Është e vërtetë se ka pasur lëndime në të dyja anët. Është e vërtetë se secila palë ka synuar që kandidati i saj të fitojë. Por, në fund të fundit, kjo garë nuk ka të bëjë me Hillary Clintonin, as me Barack Obaman, as me John McCainin. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me ju, me popullin amerikan", ka thënë zoti Obama.

Disa demokratë janë të shqetësuar se gara e gjatë dhe ndarëse midis kandidatëve demokratë mund t'i zbehë gjasat e tyre për të fituar zgjedhjet e nëntorit.

Në këtë kuadër, Hillary Clinton mund të përballet me presion për të hequr dorë nga gara në të mirë të partisë.

Por, edhe pse një gjë e këtillë nuk ndodh deri në garën e fundit më 3 qershor, analistët thonë se super-delegatët mund ta bëjnë hapin e tyre pikërisht atëherë.

Me një vendim të këtillë, demokratët do të fitonin një kandidat presidencial, dy muaj para Kuvendit të Partisë Demokratike në muajin gusht, kohë e mjaftueshme për partinë që të bashkojë përpjekjet në mbështetje të garës më të madhe, atë për të fituar Shtëpinë e Bardhë.
XS
SM
MD
LG