Ndërlidhjet

Deri kur do të vlejnë pasaportat e UNMIK-ut?


Pasaporta e UNMIK-ut
Pasaporta e UNMIK-ut

Pasaportat e para të Republikës së Kosovës pritet të lëshohen në muajin korrik. Por, i paqartë mbetet fakti se deri kur do të kenë validitet dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut.


Ministria e Punëve të Brendshme njofton se në muajin korrik, në Kosovë, do të arrijë kontingjenti i parë prej 10 mijë pasaportave të reja të Republikës së Kosovës.

Ministri Zenun Pajaziti është i kënaqur me procesin e shpejtë të prodhimit të këtyre dokumenteve, por pranon se jo të gjitha problemet e udhëtimit zgjidhen me pasaportat e reja.

Kosovën, deri më tash, e kanë njohur rreth 40 shtete, që nënkupton se vetëm këto shtete e pranojnë pasaportën e re.

Qytetarët e Kosovës me pasaportën e re nuk do të mund të udhëtojnë as në vendet fqinje, si Maqedoni dhe Mal të Zi, meqë ende ka hezitim nga këto shtete për njohjen.

Megjithatë, ministri Pajaziti është optimist se pasaporta e re do të pranohet edhe nga shtetet qe nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

"Ne i kemi marrë përgjegjësitë tona si shtet me aktin e shpalljes së pavarësisë dhe po i marrim përgjegjësitë tona dhe për ta rregulluar shtetin tonë me të gjithë infrastrukturën përcjellëse, e kjo nënkupton edhe me dokumentet tona”.

“Ka sakrifica në këtë drejtim, sepse disa nga shtetet kanë hezituar të na njohin ende, por kjo nuk do të thotë se ata nuk do të na i njohin dokumentet tona, sidomos pasaportat”.

“Në një rast kemi Malin e Zi, i cili presim që të na njohë së shpejti, mirëpo nëse kjo do të bëhet, nëse ne do t'i kemi dokumentet tona para se të na njohë shteti malazez, besoj se ata do të na i njohin dokumentet tona të udhëtimit dhe kanë dhënë një sinjal të tillë", tha Pajaziti.

Një gjë tjetër që nuk është sqaruar ende, është vlefshmëria e dokumenteve të udhëtimit të UNMIK-ut, të cilat zakonisht kanë vetëm nga 2 vjet vlefshmëri.

Vetë ministri Pajaziti nuk e di se çfarë do të bëhet me dokumentet e tashme të UNMIK-ut, me të cilat kosovarët mund të udhëtojnë në rreth 40 shtete të botës.

"UNMIK-u nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në këtë drejtim dhe kjo ishte çështja që ne jemi ngutur sa më shpejt që t'i nxjerrim pasaportat tona”.

Nuk e dimë, do të ishte mirë që të kishte një vendim që validiteti i pasaportave të UNMIK-ut të vazhdonte me afatin që e kanë të shtypur në dokument, për shkak se procesi i ndërrimit të dokumenteve do të zgjasë shumë”.

“Ne nuk do të kemi mundësi fillimisht, me një shpejtësi të madhe, t'i ndërrojmë të gjitha, sepse kjo është diçka e pamundur. Do të ishte një ndihmesë e madhe, meqë UNMIK-u nuk ka dhënë përgjigje, por, me siguri, ata do ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje", tha Pajaziti.

Mbetet po ashtu e paqartë nëse qytetarët e Kosovës, me fillimin e shtypjes së pasaportave të Republikës së Kosovës, do të jenë të obliguar që t'i marrin ato dhe se sa kohë do të mund t’i përdorin dokumentet e UNMIK-ut.

Sidoqoftë, ministri Pajaziti heq dilemën se kosovarët do të izolohen, siç ndodhi në kohën e pasluftës, kur dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut nuk kishin filluar të jepeshin ende.

Atëherë, alternativë e vetme për shumë qytetarë patën mbetur pasaportat jugosllave.
XS
SM
MD
LG