Ndërlidhjet

Zgjedhjet serbe s'do pengohen me forcë


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë
Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë i cilëson jolegjitime zgjedhjet lokale serbe, por s'do t'i pengojë me forcë ato, thanë zyrtarët e UNMIK-ut. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi nuk ka dashur t'i komentojë ato.


Zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë do të shpallen të pavlefshme, thonë zyrtarët e UNMIK-ut.

Por, ata tërheqin dhe vërejtjen se UNMIK-u dhe askush në Kosovë nuk mendon t’i ndalë me forcë serbët, që më 11 maj të votojnë nëpër komunat ku ata jetojnë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, tha sot se shenjat e para tregojnë se do të ketë një numër të madh të serbëve që do të votojnë në veri të Kosovës, përderisa në pjesët tjera parashihet se do të ketë një dalje më të vogël të tyre në këto zgjedhje, tha Ivanko.

“Pavarësisht se sa njerëz do të marrin pjesë në këto zgjedhje, ato janë jolegjitime dhe nuk kanë vlefshmëri ligjore”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut.

Sidoqoftë, ai tha se administrata ndërkombëtare nuk do të pengojë mbajtjen e tyre, të dielën e ardhshme.

“Nuk mendoj se do të ishte ide e mirë nëse do të provonim që t’i pengonim këto zgjedhje me anë të forcës dhe nuk mendoj se dikush e dëshiron këtë”, theksoi Ivanko.

Sipas tij, edhe Qeveria e Kosovës, si dhe mekanizmat e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, pajtohen se kjo është çështje politike, që përgjigjen e vetme e ka se këto zgjedhje do të cilësohen të pavlefshme, por nuk do të përdoret forca për të penguar mbajtjen e tyre.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka folur për efektet e zgjedhjeve lokale serbe.

Ai është përqendruar vetëm në disa mesazhe politike në mbështetje të fitores së forcave demokratike në Serbi, çka, sipas tij, do të ishte pozitive për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Thaçi shprehu edhe bindjen e tij se me forcat demokratike në Serbi, edhe Kosova do të mund të ndërtonte raporte të mira fqinjësore.

“Kosova dhe Serbia janë dy shtete të veçanta, të pavarura. Kush do jetë udhëheqës, apo kush do të zgjidhet dhe kush do të jetë fitues i ardhshëm i zgjedhjeve në Serbi, kjo do të përcaktohet nga qytetarët e Serbisë”, tha Thaçi.

“Natyrisht se çdo mesazh demokratik edhe nga Beogradi, ka reflektimet e mira edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, ka reflektimin edhe për investimet të komunitetit ndërkombëtar në gjithë rajonin”, theksoi ai.

Kryeministri kosovar, megjithatë, nuk ka dashur të komentojë asgjë në lidhje me vizitën e sotme në veri të Kosovës të kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, e cila cilësohet se ka të bëjë pikërisht me fushatën zgjedhore serbe.

Ngjashëm me të, edhe ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka vizituar disa pjesë tjera të banuara me serbë në Kosovën qendrore.

Për t’i analizuar efektet e zgjedhjeve lokale serbe, sot, në Prishtinë, nën dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave, është mbajtur edhe takimi i Grupit Drejtues për Kosovën.

Në takim kanë marrë pjesë diplomatë që janë në krye të ambasadave apo zyrave të shteteve anëtare të Grupit Drejtues për Kosovën.

Nga Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar u tha se një takim tjetër i nivelit më të lartë parashihet të mbahet më 22 maj, me ç’rast vendet anëtare do të përfaqësohen nga drejtorët politikë të ministrive të jashtme, të cilët u tha se pritet të dalin me vlerësime lidhur me efektet e zgjedhjeve, të cilësuara si ilegale serbe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG