Ndërlidhjet

Problemet e investitorëve të huaj



Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës është rritur dukshëm numri i investitorëve të huaj, të cilët interesohen që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.

Udhëheqës të Agjencisë për Promovimin e Investimeve thonë se që nga 17 shkurti, mbi 40 kompani të huaja, kryesisht nga vendet që tashmë kanë njohur Republikën e Kosovës, kanë vizituar Kosovën dhe janë interesuar për klimën investive.

Remzi Ahmeti, nga kjo agjenci, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, megjithatë, pohon se tashmë kanë filluar edhe investimet e para në mënyrë konkrete.

Ai përmend fillimin e punimeve të parkut teknologjik në Shtime, për ndërtimin e të cilit parashihen 20 milionë euro investime.

Ky projekt është si bashkë-investim në mes kosovarëve dhe slloveneve.

“Po, ka pasur disa investime konkrete dhe atë në Shtime, ku vlera e projektit është 20 milionë euro. Pastaj kemi në hyrje të Prishtinës, një kompani austriake për prodhimin e profileve të aluminit”, thotë Ahmeti.

Por, ekspertë të ekonomisë pohojnë se këto investime janë një nismë e mbarë, por nuk janë të mjaftueshme.

Skënder Berisha, profesor i ekonomisë ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, pohon se investitorët e huaj, tashmë pas shpalljes së pavarësisë, hezitojnë të investojnë në Kosovë, derisa Kosova të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

“Investitorët e huaj kërkojnë siguri, nëse dëshirojnë të investojnë në ndonjë vend. Nëse ai vend nuk është anëtar i këtyre institucioneve, nuk ua merr mendja që janë investime të shëndosha dhe të sigurta”, thotë Berisha.

Remzi Ahmeti thotë se investitorët potencialë, kryesisht kompanitë që janë paraqitur pas shpalljes së pavarësisë, nuk e kanë ngritur problemin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare.

Por, megjithatë, ai pohon se ky fakt më tepër i paraqet problem vetë Kosovës.

“Neve na nevojitet mbështetje nga këto institucione financiare, mirëpo Qeveria dhe Ministria e Financave janë në dialog e sipër për anëtarësim në këto fonde”, thekson Ahmeti.

Shqetësimet kryesore që i kanë paraqitur investitorët e interesuar pas shpalljes së pavarësisë, kanë qenë jostabiliteti me energji elektrike dhe çështjet legjislative, thotë Ahmeti.

“Pengesat e shumta janë me furnizimin me energji elektrike; është në pyetje harmonizimi i infrastrukturës ligjore, ose shkurtimi i procedurave administrative për marrjen e lejeve të punës. Mirëpo, besoj se gjatë këtij viti, të gjitha ato pengesa do të eliminohen dhe Kosova do të jetë një vend atraktiv për investitorët e jashtëm”, shprehet Ahmeti.

Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës duhet jetë shumë fleksibile, thotë Skënder Berisha.

“Ato taksa të jenë fleksibile; duhet t’i tërheqin investitorët e jashtëm, sepse nëse taksat janë të larta, investitorët heqin dorë shumë shpejt. Pra, Qeveria duhet të jetë shumë fleksibile, t’i caktojë taksat që janë të kapshme për investitorët e huaj”, thotë Berisha.

Sidoqoftë, sipas udhëheqësve të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, një interesim më i madh i investitorëve të huaj pritet pas mbajtjes së Konferencës së Donatorëve, e cila thuhet se do të mbahet gjatë kësaj vere.

Megjithatë, deri më tani, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, bizneset e tyre i kanë regjistruar mbi 2400 kompani të huaja.

XS
SM
MD
LG