Ndërlidhjet

“OKB, BE – nën një ombrellë?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Ideja e futjes së pranisë së Bashkimit Evropian nën një ombrellë me praninë e Kombeve të Bashkuara, tashmë veç është elaboruar si një çështje, e cila do të mund të gjejë pajtimin e gjerë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Burime perëndimore të gazetës, ndërkaq, thonë se jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe kosovarët janë duke u sjellë pozitivisht ndaj një nisme të tillë, e cila do të mund të largonte vakuumin ligjor që i nevojitet EULEX-it për të zbarkuar në tërësi pas 16 qershorit. "Meqë nuk ka variante të tjera për të mbushur këtë boshllëk, atëherë ideja e futjes së OKB-së dhe BE-së nën një ombrellë, dita-ditës po fiton më shumë argumente dhe në prag të pritjes së fundit të zgjedhjeve (të Serbisë) të 11 majit, ajo po kompletohet me detaje plotësuese për rolin që do ta ketë njëra dhe tjetra", thotë një burim i gazetës nga selia e OKB-së në Nju Jork. Kjo, ndërkaq, siç shpjegojnë burimet e gazetës, është edhe një argument tjetër për perëndimorët në "konfliktin" e tyre me Federatën Ruse, e cila po përdor Kosovën si një adut, siç shpjegojnë ata...

ZËRI
Sipas të gjitha gjasave, emri i shtetit të Kosovës, pas 15 qershorit do të mund të modifikohej, ashtu që të jetë në përputhje me realitetin. Kështu, emri i Kosovës do të duhej të ishte: Republika e Kosovës - UNMIK. Dhe, shteti i Kosovës do të ketë si dokumente themelore legale të tij, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ndërsa, sa i përket mbikëqyrjes ndërkombëtare të jetësimit të detyrimeve ndërkombëtare dhe vendore të autoriteteve të Kosovës, do të kemi UNMIK-un, ICO-në dhe EULEX-in. Ban Ki-Mun, i ndihmuar nga Zhan-Mari Geno, do të duhej të bënin "miksimin" (përzierjen) e të gjitha këtyre dokumenteve dhe strukturave, nën një të vetmën ombrellë: atë të UNMlK-ut (OKB-së). Sipas këtyre parashikimeve, e vetmja strukturë që do të kishte një zinxhir të qartë komandues dhe të funksionimit, do te mbetej KFOR-i (dhe Pakti NATO). Të gjitha të tjerat do të kenë një lëmsh prej lidhjeve njëra me tjetrën...

KOSOVA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shfaqur edhe një herë pakënaqësinë e institucioneve të vendit lidhur me sjelljet e Beogradit zyrtar, në raport me zgjedhjet e parakohshme atje, të cilat pretendohet të mbahen edhe në territorin e Kosovës. Ai i vlerësoi vizitat e politikanëve serbë, pretendimin për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, si dhe në përgjithësi politikat e Beogradit karshi Prishtinës, si tentativa të qarta për ndarjen e Kosovës. "Iluzione le të mbajnë ata që duan ta ndajnë Kosovën, por Kosova do të funksionojë si unike, në një qasje progresive, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare", tha Sejdiu. Duke komentuar vizitën e kryeministrit serb, Koshtunica, dhe ministrit Samarxhiq në Kosovë, Sejdiu tha se këto vizita janë të papranueshme. "...të gjithë personat që dëshirojnë me qasjen e tyre të vijnë në Kosovë, të instruktojnë tensionet për ndërtim të strukturave paralele dhe të strukturave ilegale në format çfarë Serbia dëshiron t'i ndërtojë, janë të papranueshme, janë realisht persona non grata për ne", tha Sejdiu...

LAJM
Zgjedhjet serbe që do të mbahen të dielën, më 11 maj, janë kundërshtuar nga institucionet e Kosovës, ndërsa nga UNMIK-u cilësohen jolegjitime. Por, me gjithë këto deklarata të Qeverisë dhe të UNMIK-ut, zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare do të mbahen në Kosovë. E vetmja është Lëvizja "Vetëvendosje", që përveç me deklarata, mbajtjen e zgjedhjeve e kundërshton edhe me protesta. Një e tillë do të mbahet dy ditë para zgjedhjeve, të premten, më 9 maj. Lideri Lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, tha se heshtja e shqiptarëve për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë do të kuptohet si pajtim ose dobësi e tyre. "Duke demonstruar kundër kësaj shkeljeje flagrante të sovranitetit të Kosovës, jo vetëm që dëshmohet konkretisht dhe praktikisht kundërshtimi ynë, por edhe zmbrapsen planet për kantonizimin e Kosovës, të cilat përndryshe do të marrin hov pas zgjedhjeve serbe të 11 majit, nëse ne s'bëjmë asgjë". UNMIK-u, Qeveria dhe KFOR-i, sipas Kurtit, kanë mundësi t'i ndalin vajtje-ardhjet e politikanëve të Serbisë, duke e mbyllur kufirin për ta; kanë mundësi t'i konfiskojnë materialet dhe dokumentacionin zgjedhor; kanë mundësi t'i arrestojnë zyrtarët e Komisionit Zgjedhor Republikan të Serbisë, të cilët po operojnë brenda territorit të Kosovës, dhe kanë mundësi të mos lejojnë që ndërtesat publike të përdoren si vendvotime...

EXPRESS
Slobodan Samarxhiq u kthye në enklavat e thella serbe në Kosovë, në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, duke premtuar se territori do të mbetet prioritet i Qeverisë së Serbisë edhe pas 11 majit. Ministri serb për Kosovën ka vizituar të mërkurën Komunën e Sharrit dhe atë të Shtërpcës. Ai ka thënë se zgjedhjet e së dielës janë të rëndësishme pasi do të zgjidhin problemet e Qeverisë së Serbisë përkitazi me Kosovën. Samarxhiq, gjatë një vizite në Shtërpcë, u angazhua për një Qeveri që do të ketë "prioritet mbrojtjen e kufijve dhe sovranitetit".
"Partitë, të cilat do ta bëjnë Qeverinë, duhet të vazhdojnë me politikën kombëtare, e që para së gjithash ka një prioritet - mbrojtjen e kufijve dhe sovranitetit", ka thënë Samarxhiq, i cili ka qenë ndër figurat kryesore serbe gjatë negociatave për statusin e Kosovës. Zyrtari nga Beogradi është pritur nga një numër i vogël i serbëve të Shtërpcës, në një lokal në qendër të qytetëses...

BOTA SOT
Asociim-stabilizimi si tradhti radikalizmit pashiqian të Serbisë, nisi që dje t’i vjelë frutat e parë të privilegjeve për lirim taksash për viza dhe investime (nga “Fiati” italian) për një miliard euro, që do të mundësojë punësimin e 10 mijë punëtorëve serbë. Lehtësitë (pa taksa dhe të tjera lehtësi) për vizat e 17 shteteve të Evropës për “Serbinë pa kufi”, jepen pikërisht sa më shumë eulexsohet apo unmiksohet kufiri “integral” i Getos ndërkombëtare që quhet Kosovë. Ata që e kanë Bibël 1244-shin do të duhej ta kishin të qartë së sovranitetin e pranuar, së paku në lehtësime dhe privilegje politike, do të duhej të mos e copëtojnë. Sa ka buxhet Kosova, ata marrin investim për një fabrikë. Cila është porosia e këtyre alkimeve politike, nuk mund të themi “një Zot e di”, sepse e dinë të gjithë, të gjithë e kanë të qartë. Nuk është e rëndësishme “çka ndodh”, por “kur ndodh”, në ç’kohë ndodh?! Ndodh para zgjedhjeve të 11 majit, më shumë se kaq, në kohën e dikotomive deklarative (zyrtare) në forumet më të larta botërore, që jepen për “të ardhmen” e Kosovës...

EPOKA E RE
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka deklaruar të mërkurën, në Strasburg, se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk e ka zgjidhur asnjë problem, por ka shkaktuar ndasi, jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. "Shpallja e njëanshme e pavarësisë
nuk ka zgjidhur asgjë, nuk i ka bërë gjërat më të mira, nuk i ka fuqizuar vlerat, nuk e ka përmirësuar bashkëpunimin, nuk i ka kontribuar pajtimit, nuk ka sjellë stabilitet dhe siguri", ka thënë Jeremiq, duke iu drejtuar Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës...

INFOPRESS
Kosova dhe Serbia janë dy shtete të veçanta të pavarura. Kush do të jetë udhëheqës, apo kush do të jetë fitues i ardhshëm i zgjedhjeve në Serbi, kjo do të përcaktohet nga qytetarët e Serbisë. Këto komente i ka bërë të mërkurën, në Prishtinë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes së Sucdisë, Sten Tolgfors. Me ministrin Tolgfors, ndër të tjera, kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se ka diskutuar për të ardhmen e kontingjentit të ushtarëve suedezë në kuadër të KFOR-it që gjenden në Kosovë. Ndërsa ministri suedez i Mbrojtjes i ka konfirmuar kryeministrit Thaçi se vendi i tij nuk planifikon të shtojë numrin e trupave në kuadër të KFOR-it. Ndryshe, Tolgfors, gjatë ditës, është takuar edhe me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, dhe Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith...



XS
SM
MD
LG