Ndërlidhjet

Formimi i parlamentit serb sfidon sovranitetin e Kosovës


Pas zgjedhjeve lokale serbe, që parashihet të mbahen më 11 maj në Kosovë, tani paralajmërohet edhe formimi i parlamentit serb. Në Prishtinë, këto paralajmërime shihen si kërcënim serioz mbi tërësinë territoriale të Kosovës.


Ndërtimi i institucioneve paralele dhe bashkimi i tyre në një organ të vetëm është kërcënim shumë serioz për tërësinë territoriale të Kosovës, thonë deputetë dhe analistë kosovarë, në lidhje me paralajmërimet e përfaqësuesve të komunitetit serb për formimin e parlamentit serb në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se organizimi i jetës jashtë institucionale ishte paraqitur nga serbët edhe gjatë fazës së negociatave për statusin në Vjenë dhe tani po bëhen përpjekje që këto synime të realizohen.

“Ajo strategji e humbur në negociatat ndërkombëtare për statusin e Kosovës, tash në një Kosovë të pavarur ndërkombëtarisht, po pretendohet të imponohet njëanshëm në emër të shpalljes së njëanshme të deklaratës së pavarësisë, e cila nuk qëndron, sepse Kosova ka shpallur deklaratën në mënyrë të koordinuar, apo është deklaratë e koordinuar për pavarësinë e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë”, thotë Haziri.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se institucionet e Kosovës dhe prania ndërkombëtare mund t’i bëjnë të pavlefshme veprimet e tilla të Beogradit dhe të strukturave paralele në Kosovë.

Ndërkaq, serbëve të Kosovës, ai u preferon që të mësojnë nga e kaluara që është përshkuar edhe me formimin e institucioneve të tilla nëpër vise të ndryshme të ish-Jugosllavisë.

“Mendoj se të gjithë në rajon është dashur të mësojnë nga e kaluara, është dashur të mësojnë se ku çojnë veprimet e tilla. Ne kemi pasur parlamente të tilla në Sllavoninë lindore, në pjesë të tjera të Jugosllavisë dhe e dimë se si kanë përfunduar. Mendoj se në rajon, në Serbi, por edhe në Kosovë ka nevojë që disa njerëz të shkyçen nga format e tejkaluara të veprimit”, thekson Gjini.

Në anën tjetër, analisti Driton Lajçi konsideron se formimi i parlamentit serb do të ishte sfida më e madhe dhe më e dëmshme që mund t’i bëhet sovranitetit dhe shtetit të Kosovës, si dhe bashkësisë ndërkombëtare që ka ndihmuar dhe përkrahur lindjen e shtetit të Kosovës.

“Është një bandë e kurdisur, e cila mund të iniciohet sa herë që do Beogradi zyrtar ta destabilizojë Kosovën dhe të krijojë një situatë të pasigurt, të paparashikueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke i shkaktuar dëm edhe një pjesë të qytetarëve serbë”, thotë Lajçi.

Driton Lajçi konsideron se Beogradi po e shfrytëzon dhe gjendjen aktuale të tranzicionit, kur në Kosovë nuk ka një prerje kompetencash mes UNMIK-ut, EULEX-it dhe Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Serbisë është duke e shfrytëzuar për mrekulli nga këndi vet, apo, thënë ndryshe, është duke shfrytëzuar hendekun, boshllëkun e kompetencave, të cilat janë në njëfarë mesi, as nuk janë në tërësi të UNMIK-ut, e as akoma nuk i kanë marrë Qeveria e Kosovës dhe EULEX-i. Këtë hendek është duke e shfrytëzuar, është duke e manipuluar Beogradi zyrtar, për të shtrirë edhe më shumë prezencën e vet institucionale në territorin e Kosovës”, shprehet Lajçi.

Paralajmërimet serbe për formimin e institucioneve paralele, sipas deputetit Lutfi Haziri, duhet të hasin edhe në parandalimin e tyre nga ana e institucioneve të Kosovës dhe pranisë aktuale ndërkombëtare.

“Ne jemi zot shtëpie – së paku kështu është thënë vazhdimisht dhe duhet të sillemi si të tillë. Ne duhet të udhëheqim, duhet të jemi liderë të këtyre politikave. Duhet të kemi strategji të qartë, duhet të kemi qëndrim të qartë politik dhe duhet definitivisht ta kthjellojmë deri në fund rolin tonë. Mos të vazhdojmë t’i prijmë vendimet e të tjerëve se shpeshherë po bëhet vonë”, thotë Haziri.

Ndryshe, njëri nga liderët e serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, ka paralajmëruar, këto ditë, se serbët do të formojnë parlamentin e vet në Kosovë, pas zgjedhjeve më 11 maj.

Organizimi i tillë i jetës dhe institucioneve paralele, sipas tij, do të ishte mënyra e vetme që serbët të mbesin dhe të jetojnë në Kosovë.

Zgjedhjet serbe të 11 majit, sidomos ato në nivelin lokal, janë paralajmëruar se do të shpallen të pavlefshme nga ana e shefit të UNMIK-ut.
Sidoqoftë, serbët nuk kanë hequr dorë nga organizimi i tyre, të dielën e ardhshme.
XS
SM
MD
LG