Ndërlidhjet

Sa zbatohen ligjet në Kosovë?



Ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, shumë pak zbatohen në praktikë. Kështu thotë ushtruesi i detyrës së Ombudspersonit të Kosovës, Hilmi Jashari.

Ai thotë se në sistemin ligjor është krijuar një kaos i vërtetë, madje, sipas tij, në Kosovë nuk mund të flitet për sundim të ligjit.

“Sundimi i ligjit është një ndër temat e preferuara në retorikën politike të shumë zyrtarëve tanë dhe të institucioneve të ndryshme. Por, shpesh harrohet që në Kosovë nuk mund të flitet për një sistem të mirëfilltë të sundimit të ligjit, pasi një gjë e tillë nuk ekziston tani për tani”, thotë Jashari.

Por, ekspertë të drejtësisë pohojnë se problem në këtë fushë paraqet ekzistimi i mëtejmë i tri llojeve të ligjeve.

Ismet Salihu thotë se ky është një problem që cenon funksionimin e shtetit ligjor.

“Paralelisht nxirren edhe rregulloret në fuqi të ligjit nga ana e zyrës së UNMIK-ut, nga Kuvendi i Kosovës dhe njëherësh, me një rregullore të posaçme, është paraparë që në Kosovë të vlejnë edhe ligjet e Jugosllavisë së mëparshme, nëse nuk janë diskriminuese, deri sa të nxirren ligjet e Kosovës”, pohon Salihu.

Moszbatimi i ligjeve në Kosovë e vështirëson dhe e bën të pamundur funksionimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, thotë Hilmi Jashari.

Por, ai thotë se vetë institucionet që miratojnë ligjet, ndikojnë në moszbatimin e tyre.

“Në anën tjetër, edhe të jetë sistemi, kjo nuk mjafton, derisa të mos ketë vullnet pushteti, sidomos të qeverisë, që të këmbëngulë në zbatimin e ligjeve që janë në fuqi. Ne jemi të vetëdijshëm dhe shumica e sondazheve kanë treguar se pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës e kanë humbur besimin në këto institucione, mu për faktin se kanë dështuar në zbatimin e ligjeve në fuqi në Kosovë”, shprehet Jashari.

Sipas tij, për shkak të interesave të grupeve të caktuara, në disa raste anashkalohet zbatimi i ligjeve.

“Ligjet janë shumë të qarta dhe kërkojnë pëlqimin e Kuvendit. Askush nuk merret me këtë punë, pasi ka interes dhe prapavija të caktuara një kategori e njerëzve që e anashkalon zbatimin e ligjeve”.

“Favoret e ndryshme që bëhen në të njëjtën kohë, nepotizmi, kuptohet që krijojnë këtë situatë. Mungesa e institucioneve publike ose ndërhyrja që bëjnë institucionet publike kur dëshirojnë dhe kanë vullnet të ndikojnë, e amortizojnë dhe e krijojnë një situatë të tillë, ku nuk kishim pasur fjalë tjetër, vetëm ta quajmë një lloj parajse për elementet negative”, thotë Jashari.

Në anën tjetër, ekspertët e drejtësisë pohojnë se për zbatimin e ligjeve në Kosovë, duhet patjetër të krijohen mekanizma që mbikëqyrin zbatueshmërinë e tyre.

Sidoqoftë, gjatë administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara, ligjet kanë hyrë në fuqi pas miratimit të tyre nga Kuvendi dhe pas nënshkrimit nga ana e shefit të UNMIK-ut.

Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, më 15 qershor, parashihet që ligjet të hyjnë në fuqi, pasi që ato të miratohen në Kuvend dhe të certifikohen nga Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe nënshkruhen në fund nga presidenti i Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG