Ndërlidhjet

Neumann: Serbia ka paralizuar gjithë rajonin


Janja Bec Neumann
Janja Bec Neumann

Janja Bec Neumann është ndër zërat e rrallë në Serbi që fton për pranim të gjenocidit ndaj boshnjakëve gjatë viteve 1992-95. Ishte nominuar për çmimin Nobel më 2005. Është autore e librit 'Errësira në mesditë-krimet e luftës, gjenocidi dhe kujtimet'.


RADIO EVROPA E LIRË
Jeni autore e librit "Errësira në mesditë". Cili është mesazhi për lexuesit?

JANJA BEC NEUMANN
Është e rëndësishme të thuhet se ne, tash pas luftërave, kemi rreth 100 deri 200 universitete private dhe shtetërore në rajon, por askush nuk ka rrëfyer për këto gjëra.

Unë jam e para. Jam grua nga një familje patriarkale dhe nuk e kam lehtë.

Libri "Errësira në mesditë" është dokument për 5 vjetët e luftës dhe vajtimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kujt i dedikohet ky libër?

JANJA BEC NEUMANN
Libri i dedikohet fëmijës tim, Sara Tahiroviq.

Unë nuk jam nënë biologjike e Sarës. Unë dhe bashkëshorti, Sarën e takuam në një kamp refugjatësh për boshnjakët në Slloveni në vitin 1993.

Ajo ishte 18 vjeçare dhe kujdesej për 10 fëmijë të moshës 6 deri 12 vjeç. Ajo u bë, siç ne e quanim, fëmija ynë i luftës.

Pas luftës ajo u kthye në Bosnjë, ku u bë studente e shkëlqyeshme. Por, ajo vdiq më 1 qershor të vitit 2006. Ajo u sëmur dhe vdiq brenda dy ditëve.

Pas disa muajve thashë – 'Sara, unë do të shkruaj këtë libër'.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumica e serbëve nuk duket të jenë të trazuar për faktin që Vojislav Shesheli, një kriminel i akuzuar, tash është i madhëruar në Serbi. Shumë thonë se ishte pikërisht Shesheli që krijoi bllokun nacionalist ndërmjet Koshtunicës dhe Nikoliqit. Sa ju brengos kjo e dhënë?

JANJA BEC NEUMANN
Është e pakuptimtë që një i akuzuar për krime lufte siç është Shesheli, të bëhet idhull.

Ka dëshmi për krime të mëdha lufte që ai i ka bërë. Kjo është e turpshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. A do të thotë kjo se Serbia tash gjendet në fazën e fundit të gjenocidit. Çfarë pason?

JANJA BEC NEUMANN
Politika zyrtare e Turqisë pohon se gjenocidi kundër armenëve kurrë nuk ka ndodhur.

Serbia gjithashtu mund të vazhdojë të gënjej dhe mohojë. Por, kjo nuk është mirë, sepse i gjithë rajoni është paralizuar për shkak të këtij mohimi.

Megjithatë, ekziston një shpresë e vogël se Serbia do lëvizë nga ky pozicion dhe do të thotë: "Ne e dimë se çfarë ka ndodhur".

Hapi tjetër do të ishte të thonë: "Ne turpërohemi", dhe përfundimisht: "Na vjen shumë keq".

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë keni për të shtuar?

JANJA BEC NEUMANN
Pajtohem me Marlene Dietrich, që e pyetur pas Luftës së Dytë Botërore nëse ishte e vetëdijshme për atë që kishte ndodhur në Gjermani gjatë Holokaustit, tha se të gjithë ata që dëshiruan të dinin, e dinin se çfarë po ndodhte.

Në rastin e Serbisë, nuk e di se në cilin drejtim janë duke shkuar gjërat.

Por, asgjë nuk do të ndodhë spontanisht, sepse nëse ne pranojmë heshtjen, ne kemi pranuar fajësinë kolektive dhe me këtë kemi amnistuar kriminelët e vërtetë.
XS
SM
MD
LG