Ndërlidhjet

“Berisha: OKB të përmbushë misionin në veri të Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u ka kërkuar Kombeve të Bashkuara që ta përmbushin misionin e tyre në pjesën veriore të Kosovës. Sipas Berishës, zgjedhjet serbe që janë paralajmëruar për datën 11 maj, mund të jenë një ndarje e butë e Kosovës. Kryeministri shqiptar, në një intervistë për radion britanike "BBC", po ashtu ka deklaruar se ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme. Ai ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara t'i përmbushin misionet e tyre në veriun e Mitrovicës. "Do të ishte një gjë shumë e rrezikshme nëse dikush mendon se ne mund të pranojmë një ndarje të butë. Kjo është një gjë tepër e gabuar", ka deklaruar Berisha ndër të tjera në ketë intervistë. Ai i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të jetë i qartë me Serbinë dhe t'i ndalojë Beogradit praktikën e manipulimit të komunave serbe në Kosovën veriore. I pyetur nëse ndarja e Kosovës do ta ringjallte Shqipërinë e madhe, kryeministri Berisha ka hedhur poshtë një tezë të tillë dhe mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë...

INFOPRESS
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, administrata ndërkombëtare do të ketë një adresë të qartë në Kosovë, mirëpo rolin drejtues të Kosovës do ta marrin institucionet e vendit. Këto komente i ka bërë të premten në Istog, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Gjatë mbledhjes së rregullt të kabinetit qeveritar, e cila këtë radhë është mbajtur në Kuvendin Komunal të Istogut, kryeministri Thaçi ka ftuar edhe njëherë serbët e Kosovës që t'i respektojnë institucionet, sepse, siç është shprehur ai, zgjedhjet serbe që janë paraparë të mbahen edhe në Kosovë, do të jenë të papranueshme për institucionet e Kosovës, në të njëjtën kohë do të injorohen edhe nga faktori ndërkombëtar. Duke injoruar deklaratat e para një dite të liderëve serbë për formimin e parlamentit serb në Kosovë, kryeministri Thaçi ka thënë se një gjë e tillë është e papranueshme. "Kosova i ka institucionet e veta legjitime, në të cilat janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet, përfshirë edhe komunitetin serb. Andaj, ato janë të injoruara dhe të papranueshme si për Kosovën, ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar", theksoi kryeministri Thaçi...

EXPRESS
Heshtja e subjekteve politike në Serbi përpara zgjedhjeve të së dielës nisi, por lidershipi në Kosovë vazhdon të jetë i zëshëm kundër organizimit të tyre në territorin e vendit tonë. Krerët e institucioneve vendore janë shprehur sërish, të enjten, kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, por nuk do të ndërmarrin gjë për pengimin e tyre, përveç se zotohen që rezultati nuk do të mund të implementohet. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i cili ende është autoriteti kryesor në Kosovë, ka deklaruar se zgjedhjet lokale serbe janë të paligjshme dhe nuk mund të ketë administratë paralele në Kosovë. "Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, ne do të mbajmë qëndrimin që e kemi mbajtur që nga viti 1999, që këto zgjedhje nuk do të jenë të penguara, por as të mbështetura", ka thënë Ruecker, për Zërin e Amerikës. "Kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, ato do të jenë në kundërshtim me Rezolutën 1244, nuk janë të autorizuara nga UNMIK-u dhe rezultati i tyre do të jetë i pavlefshëm nëse zgjedhjet e tilla mbahen"...

LAJM
Rreth 45 për qind e popullsisë në Kosovë ka në dispozicion më pak se 1.5 euro në ditë, që tregon se shkalla e varfërisë nuk ka ndryshuar në krahasim me katër vjetët e fundit. Këto të dhëna i publikoi, të enjten, Banka Botërore, e cila ka realizuar hulumtimin së bashku me Entin e Statistikës së Kosovës. "Rritja e dobët ekonomike ka bërë që shkalla e varfërisë të mos shënojë ulje", thuhet në raport. Varfëria më e pranishme paraqitet në mjediset rurale. "Dy nga tre të varfrit jetojnë në fshatra, ndërsa 15 për qind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri të skajshme, të cilët kanë vështirësi për t'i plotësuar nevojat e tyre ushqyese". Sipas këtij raporti, varfëria në fshatra ka shënuar rritje më të madhe, ndërsa në qytete ka një ngritje të vogël. Vetëm familjet, të cilat kanë të paktën një anëtar në emigracion dhe që pranojnë remitenca, nuk kanë probleme në sigurimin e ushqimit. Por, Banka Botërore nuk sugjeron emigracionin për të dalë nga varfëria e thellë. "Rritja ekonomike është strategjia më efikase për ta përmirësuar gjendjen, ashtu si edhe përmirësimin e shërbimeve, infrastrukturës dhe programet efikase sociale", tha drejtuesi i Bakës Botërore në Prishtinë, Ranjit Nayak...

KOSOVA SOT
Këshilli Drejtues Qendror i partisë, në mbledhjen e vet të fundit, ka vendosur që të fillojë mbajtjen e zgjedhjeve nëpër nivele nëndegësh dhe degësh,ku do të zgjidhen strukturat e reja dhe delegatët, të cilët do të vijnë në Kuvendin Qendror, i cili do të zgjedhë Këshillin Drejtues dhe kryetarin e PDK-së, por data e saktë nuk është përcaktuar ende. Partia më e madhe politike, PDK, sipas rezultatit të fundit zgjedhor, pasi është rehabilituar mirë pas zgjedhjeve të fundit, duke i gjetur pozitat e përshtatshme drejtuese në institucionet e reja të Kosovës, në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues e ka marrë vendimin që viti 2008 të jetë vit i fillimit dhe finalizimit të zgjedhjeve brenda-partiake, të cilat nuk janë mbajtur vitin e kaluar. Duke folur rreth përcaktimit për rikonfirmimin e legjitimitetit udhëheqës brenda-partiak, eventualisht edhe për fuqizimin me figura të reja drejtuese të të gjitha niveleve drejtuese në PDK, zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, e vlerësoi këtë proces zgjedhor si shumë të rëndësishëm për rikonsolidimin e radhëve partiake...

ZËRI
Bashkëdyzimi i UNMIK-ut, ICO-së dhe EULEX-it, pos tjerash, do të nënkuptonte, sipas burimeve diplomatike perëndimore të informuara mirë, që të gjendet vendi edhe për Pieter Feitin, i cili aktualisht ka dy mandate (ICR, Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dhe EUSR, Përfaqësues Special i BE-së), por, realisht, nuk kryen ndonjë punë konkrete në Kosovë, në pritje të ndryshimeve të parapara më 15 qershor, të cilat, së paku bazuar në rrethanat e tanishme, nuk do të jene të tilla çfarë janë planifikuar nga BE-ja në shkurt të këtij viti, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe fillimit të periudhës transitore (katërmujore). Pos posti i Feitit, ka të ngjarë që edhe ai i gjeneralit, Iv de Kermabo, shefit të EULEX-it, është tani nën pikëpyetje, nëse do të ndodhë unifikimi i faktorit ndërkombëtar, nën ombrellën e UNMIK-ut, OKB-së. Ky unifikim do të mund të bëhej edhe duke miratuar një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por e tëra mund të ngjajë edhe pa një rezolutë të re, sepse UNMIK-u vetëm do të vazhdonte punën e tij me të cilën ka nisur në qershorin e vitit 1999...

BOTA SOT
Zyrtarë të Ministrisë së Shërbimeve Publike, në një konferencë për gazetarë, kanë njoftuar për letrën që ka pranuar, të mërkurën, MSHP-ja nga Zyra Norvegjeze, Zyra Zvicerane si dhe Sida suedeze në Kosovë, për qëndrimet e tyre rreth përkrahjes së donatorëve për Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Zëdhënësja e MSHP-së, Majlinda Sinani, tha se ministri Arsim Bajrami ka pranuar një letër përkrahjeje nga donatorët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në të cilën thuhet se e përkrahin punën dhe angazhimin e kësaj ministrie. Dhe donatorët që përkrahin Kadastrën e Kosovës (Sida, Qeveria Zvicerane, Qeveria norvegjeze si dhe Banka Botërore) janë takuar për t'i diskutuar rezultatet e punëtorisë së strategjisë, të organizuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, më 21 -23 prill 2008, në tak-imin e fundit të Grupit Drejtues më 22 prill 2008, si dhe gjetjet e vlerësimit të jashtëm nga komponenta zvicerane e programit për përkrahjen e kadastrës së Kosovës...

KOHA DITORE
Pavarësisht se si do t'i bëjnë aranzhimet Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për rregullimin e ri të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë, EULEX-i ka nxjerrë vijën e kuqe definitive se Nju Jorkut nuk do t'i japë llogari, por Brukselit. Në parim, shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, edhe më parë e ka thënë këtë gjë se nuk pranon që të jetë nën komandën e OKB-së gjatë mandatit të tij në Kosovë, por pikërisht për këtë çështje edhe është "robëruar" ecja e detajeve për aranzhmanet e marrëveshjes parimore OKB-BE, për zbarkimin e EULEX pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Këmbëngulja e ish-gjeneralit francez dhe komandant i dikurshëm i KFOR-it, Yves de Kermabon, ka bërë që në Bruksel jo të gjithë të jenë të kënaqur nga deklarata e tij, por as nga qëndrimi i pandryshuar se duhet bërë koncesione në këtë drejtim, për të nxjerrë një rezultat që i shërben BE-së. "Çështja është tek Yves de Kermabon, dhe qëndrimi i tij madje e rrezikon edhe postin e tij në Kosovë, sepse nuk është vetëm një zë në Bruksel, i cili nxjerr rezultatet. Ka të tillë që, madje, për hir të suksesit apo asaj që ata e quajnë sukses, mund ta sakrifikojnë De Kermabon, vetëm për të arritur pëlqimin e Rusisë," i kanë thënë gazetës burime nga Brukseli...

XS
SM
MD
LG