Ndërlidhjet

Rritet shkalla e varfërisë



Mbi 45 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri, 15 për qind prej tyre në varfëri të skajshme, ndërkaq 18 për qind të qytetarëve tjerë janë të rrezikuar nga varfëria.

Këto janë të dhënat e fundit që ka publikuar Banka Botërore në bashkëpunim më Entin e Statistikave të Kosovës.

Arsye e thellimit të varfërisë është ngecja ekonomike, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Shpend Ahmeti, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, pohon se pa rritje ekonomike dhe pa hapje të vendeve të reja të punës, nuk do të ketë zvogëlim të nivelit të varfërisë.

“Kanë kontribuar disa faktorë të ndryshëm, mirëpo ajo që ndikon më se shumti në rritjen e varfërisë në Kosovë, është ngecja në zhvillimin ekonomik. Ne, në Kosovë, kemi një rritje të popullatës, ndërsa zhvillimi ekonomik ka mbetur mbrapa. Dhe, për këtë arsye do të shohim rritje të varfërisë”, pohon Ahmeti.

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se rritja e shkallës së varfërisë ka filluar qysh para dy dekadave.

Behxhet Haliti, këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, pohon se kjo gjendje është vështirësuar pas përfundimit të luftës, e cila ka ndikuar më pas edhe më moszgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Kosova si shtet në Evropën Juglindore, konsiderohet në shkallën më të lartë të varfërisë, që është një problem jo vetëm i Kosovës, por i tërë rajonit. Ne besojmë se tash, me integrimet rajonale që janë duke u bërë dhe me përgatitjet për investimet, sidomos në infrastrukturën rrugore dhe energjetike, do të krijohen parakushte që të krijohen vende të reja të punës”, thotë Haliti.

Megjithatë, Shpend Ahmeti pohon se institucionet kosovare duhet të merren më seriozisht me këtë çështje, në mënyrë që të zbutet shkalla e varfërisë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë reforma në shumë fusha, në mënyrë që të ketë sukses në këtë fushë.

“Këto janë reformat që duhet të bëhen në fusha të ndryshme, duke filluar prej infrastrukturës, problemeve me energji elektrike, arsimit, aftësimit të fuqisë punëtore që t’i përgjigjet nevojave të tregut dhe zhvillimit të sektorit privat. Neve na nevojiten investime të huaja dhe pa i bërë këto reforma në sundim të ligjit, në infrastrukturë, në arsim, ne nuk do të kemi rritje ekonomike”, thotë Ahmeti.
Ministria e Ekonomisë, në aspektin ekonomik, është duke përgatitur një pako, e cila inkurajon investitorët potencialë, kryesisht në ato fusha ku do të krijohen mundësi më të mëdha të punësimit, thotë Behxhet Haliti.

Sipas tij, kjo më pas do të ndikojë në ngritjen e standardit jetësor, rrjedhimisht edhe në zvogëlimin e shkallës së varfërisë.

“Është duke u menduar që të punohet në një pako fiskale, në bashkëpunim me të gjithë partnerët në këtë drejtim, që situatën aktuale sociale ta trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të ndalet trendi i rritjes së varfërisë. Më konkretisht, MEF është duke punuar në sistemin tatimor, i cili do të jetë joshës edhe para Konferencës së donatorëve - një ambient më të përshtatshëm për biznese, që do të krijonin mundësi të reja të punimit, të zhvillimit dhe në një mënyrë automatike ndaljen e trendit të varfërisë”, thotë Haliti.

Nëse punët shkojnë sipas dinamikës së planifikuar të Ministrisë së Ekonomisë, Haliti thotë se shenjat e para të zbutjes së shkallës së varfërisë duhet të vërehen qysh nga viti i ardhshëm.

“Është prioritet në programin e qeverisë - një ekonomi e qëndrueshme drejt integrimeve evropiane, një standard më i lartë, zbutje e varfërisë dhe stabilitet social”, thekson Haliti.

Ndryshe, sipas raportit të mëhershëm të Bankës Botërore, është thënë se 37 për qind e popullsisë jeton me më pak se 1.47 euro në ditë, ndërkaq mbi 15 për qind me më pak se 0.93 centë në ditë.
XS
SM
MD
LG