Ndërlidhjet

Integrimi në BE s’ka alternativë


Flamuri i BE-së
Flamuri i BE-së

Shënimi i Ditës së Evropës ka qenë edhe një rast që liderët kosovarë të shprehin përkushtimin e tyre për integrim në Bashkimin Evropian. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se Kosova po e rigjen vendin e saj politik në Evropë. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka thënë se e ardhmja e Kosovës është evropiane, pasi që Kosova ka potencial për të luajtur rol stabilizues në rajon.


Nëntë Maji, Dita e Evropës, përveç se është shënuar me manifestime të ndryshme, është shfrytëzuar nga liderët kosovarë për të paraqitur vizionin se për Kosovën nuk ka alternativë tjetër, veçse integrimi në BE.

Presidenti Fatmir Sejdiu është i bindur se Kosova ka marrë dritën jeshile për anëtarësim në BE nga vendet anëtare të këtij unioni, që nga koha kur u shpall pavarësia.

“Dua të ritheksoj se Kosova po e rigjen vendin e vet politik në Evropë, duke kujtuar se kulturalisht e shpirtërisht kemi qenë këtu, në Evropë, prej fillimeve, pra që nga lashtësia”.

“Sot, Kosova është e gatshme të lëvizë fuqishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të saj me BE-në dhe kështu më shpejt të kapërcejë rrugën për anëtarësimin e saj në BE dhe në NATO”, tha presidenti Fatmir Sejdiu, në manifestimin qendror kushtuar Ditës së Evropës.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se tani është koha kur duhet përveshur punës, për përmbushjen e standardeve, të domosdoshme për integrim në BE.

“E ardhmja e rajonit tonë në Evropën e bashkuar nuk do të thotë vetëm hyrje në familjen e popujve të integruar, por edhe garanci e një jete në paqe, duke lënë pas, njëherë e përgjithmonë, historinë e dhimbshme të luftërave e të konflikteve të vazhdueshme”, tha Krasniqi.

Qeveria e Kosovës ka hartuar planin për integrim në BE për periudhën 2008-2010.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thekson se ky plan do të ndihmojë Kosovën që t’i ngrejë mekanizmat e duhur, për të përmbushur detyrat, që i vihen secilit shtet para anëtarësimit nga ana e Komisionit Evropian.

“Kosova ka të ardhme evropiane jo vetëm për shkak të pozitës gjeografike, por për shkak të potencialit për të luajtur rol stabilizues në rajon. Ne jemi të vetëdijshëm se rruga për anëtarësimin në BE është e gjatë dhe kërkon përkushtim maksimal të institucioneve dhe të shoqërisë në përgjithësi”.

“Vlerësojmë të arriturat e deritashme dhe mbesim të përkushtuar për të avancuar procesin e integrimit të Kosovës në BE. Për ne integrimi në BE nuk ka alternativë", tha Kuçi.

Në anën tjetër, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë kanë inkurajuar institucionet që të ecin rrugës që tashmë kanë nisur, drejt integrimeve evropiane.

"Kosova është edhe zyrtarisht në rrugën e BE-së. Jo vetëm pse ka premtime politike në Samitin e Selanikut më 2003, që gjithë Ballkani perëndimor mund t'i bashkohet BE-së, por në Kosovë ka qenë mekanizmi përcjellës i stabilizim asociimit, i cili siguron se gjithë legjislacioni i Kosovës është në përputhshmëri me standardet evropiane", thotë shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker.

Përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Peter Faith, shpreh bindjen se Kosova ka një të ardhme evropiane.

"Unë e di që Qeveria e Kosovës e ka kuptuar shumë seriozisht çështjen e perspektivës evropiane. Rruga përpara është e gjatë dhe duhet të pranojmë se Kosova përballet me shumë sfida”.

“Këto arsye për optimizëm të besueshëm bëjnë që Kosova të vazhdojë në këtë rrugë dhe e përkushtuar. Ky përkushtim u dëshmua sot. BE-ja është në Kosovë derisa Kosova të hyjë në BE", tha Faith.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë mbetur jashtë kësaj marrëveshjeje vetëm Bosnja dhe Kosova.

Mospranimi i pavarësisë nga të gjitha vendet e BE-së, sipas qeverisë dhe ekspertëve për integrime evropiane, do të jetë një nga problemet kryesore për ecjen e Kosovës kah integrimet evropiane.
XS
SM
MD
LG