Ndërlidhjet

logo-print

Protestë kundër zgjedhjeve serbe


Pamje nga protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje

Pamje nga protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar protestë, në Prishtinë, në kundërshtim të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. "Vetëvendosja" ka akuzuar drejtpërdrejt UNMIK-un dhe Qeverinë e Kosovës për lejimin e organizimit dhe ngritjes së strukturave paralele serbe.


Nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje, qindra veta kanë protestuar sot në rrugët e Prishtinës, për të kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Protestuesit kanë hedhur mbeturina dhe ujëra të zeza të kanalizimit në ndërtesën e UNMIK-ut, duke i hedhur fajin për lejimin e organizimit të këtyre zgjedhjeve.

Ndërkohë që njësoj është vepruar edhe ndaj Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë se po pajtohet me gjithçka që i servohet nga Serbia dhe UNMIK-u.

Ndërsa një kamion me mbeturina po zbrazej dhe hidhej në oborrin e selisë së administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, derisa po hidheshin dhe ujëra të zeza në këtë ndërtesë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës, me vetë faktin se po lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, po lejojnë cenimin e integritetit të Kosovës.
Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti, në krye të protestuesve

“Strukturat e Serbisë në Kosovë e kanë kontrolluar për nëntë vjet me radhë një të katërtën e territorit të Kosovës. Tash këto struktura po
zyrtarizohen përmes zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë brenda Republikës së Kosovës. Pas 11 majit, në 23 komuna të vendit do të ketë kryetar paralel”, iu drejtua masës Kurti.


Gjatë gjithë kohës, ndërtesat e institucioneve të Kosovës dhe administratës ndërkombëtare janë siguruar nga policia vendore dhe ajo ndërkombëtare.

Ndërkaq, protestuesit në vazhdimësi kanë brohoritur kundër UNMIK-ut, Qeverisë së Kosovës, kundër pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës, por kishte edhe brohoritje tjera që mbështesnin vetëvendosjen dhe thirrjet “UÇK”..., UÇK”.

Albin Kurti tha se protesta e sotme nuk është kundër bashkësisë ndërkombëtare, por ajo kërkon që komuniteti ndërkombëtar të mos qeverisë dhe administrojë me Kosovën, por ta ndihmojë atë që të qeveriset vet.

Ndërkohë që shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha sot se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, më 11 maj, është "e papranueshme" dhe se qëllim i mbajtjes së tyre është formimi "i strukturave paralele dhe ilegale të Serbisë".

Ai përsëriti se mbajtja e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe se rezultati i tyre nuk është i vlefshëm.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG