Ndërlidhjet

Bogdanoviq: Po - parlamentit paralel serb, përmes procesit zgjedhor


Goran Bogdanoviq

Goran Bogdanoviq

"Ne duhet t'i krijojmë institucionet tona, sepse nuk mund të marrim pjesë në ato institucione që e kanë shpallur pavarësinë e Kosovës", thotë Goran Bogdanoviq, përfaqësues i Partisë Demokratike në Kosovë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bogdanoviq, Serbia synon mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar dhe Qeveria e Kosovës i kundërshtojnë ato dhe thonë se janë jolegjitime. Cili është qëndrimi juaj si përfaqësues i Partisë Demokratike në Kosovë?

GORAN BOGDANOVIQ
Keni të drejtë, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale dhe parlamentare.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, të gjithë e dimë se më 17 nëntor, kur u mbajtën zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës, serbët nuk kanë qenë pjesëmarrës të këtyre institucioneve dhe rrjedhimisht nuk kanë përfaqësues legjitimë, që do të mund t'i përfaqësojnë interesat e tyre.

Arsyetimi i atëhershëm i mosdaljes sonë në zgjedhje ka qenë se për herë të parë që nga ardhja e UNMIK-ut dhe e KFOR-it, më 1999, institucionet e Kosovës i kanë organizuar zgjedhjet, gjë që për ne ka qenë thyerje e Rezolutës 1244, sepse me këtë rezolutë vetëm UNMIK-u ka të drejtë të mbajë zgjedhje lokale dhe parlamentare.

Meqë zgjedhjet i shpallën institucionet e Kosovës, ne nuk deshëm të marrim pjesë në atë proces zgjedhor, sepse me këtë paragjykohej statusi final i Kosovës, ndërkohë që në këtë kohë zhvilloheshin bisedimet për statusin final.

Tash, ne do të marrim pjesë në zgjedhje, për të zgjedhur ata që do t'i përfaqësojnë interesat e komunitetit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË

Si do të funksionojnë këto pjesë, duke marrë parasysh se të zgjedhurit nuk do të njihen ndërkombëtarisht?

GORAN BOGDANOVIQ
Bashkësia ndërkombëtare ka qenë e para, e cila ka filluar të shkelë Rezolutën 1244, duke lejuar institucionet e Kosovës që t'i organizojnë zgjedhjet e 17 nëntorit, duke e sjellë kështu komunitetin serb në një pozicion të vështirë.

Ne nuk kemi dashur që të pranojmë një gjë të tillë, sepse për ne ka qenë paragjykim i statusit final, sepse as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës nuk kanë mandat as me kornizën kushtetues, e as me Rezolutën 1244, që të bëjnë një gjë të tillë.

Kështu që nëse dikush duhet të fajësohet për këtë situatë, atëherë një pjesë të përgjegjësisë e bartin edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, Kosova tash është e pavarur dhe shtet i pranuar ndërkombëtarisht. Si e shihni ju këtë Kosovë?

GORAN BOGDANOVIQ
Së pari, Kosova nuk është e pavarur dhe nuk është e pranuar ndërkombëtarisht, sepse një shtet njihet ndërkombëtarisht kur njihet nga shumica e shteteve botërore, e jo vetëm nga 37.

E dyta, kjo pavarësi duhet të pranohet në Këshillin e Sigurimit dhe të gjithë e dimë se kjo nuk ka ndodhur dhe se ka ndarje të mëdha edhe në Këshillin e Sigurimit, edhe në OKB, por edhe në Bashkimin Evropian rreth pavarësisë së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë paralajmëruar formimin e parlamentit serb, pas zgjedhjeve të 11 majit. E mbështesni ju këtë ide?

GORAN BOGDANOVIQ
Qëndrimi i partisë sime nuk është që të formohen institucione, të cilat nuk janë rezultat i procesit zgjedhor.

Ne do të marrim pjesë në zgjedhjet lokale dhe krijimi i parlamentit serb aktualisht nuk është temë që diskutohet brenda subjektit tonë.

Megjithatë, ne kemi pasur qëllim që të krijohet një diçka e tillë, meqë nuk e njohim pavarësinë.

Natyrisht se ne duhet t'i krijojmë institucionet tona, sepse nuk mund të marrim pjesë në ato institucione që e kanë shpallur pavarësinë e Kosovës.

Pra, i themi po krijimit të parlamentit serb, por vetëm përmes një procesi zgjedhor dhe institucioneve legjitime.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka qenë në fokus të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Mendoni se kjo ka ndodhur vetëm për të fituar poenë politikë?

GORAN BOGDANOVIQ
Jo vetëm në kohën e fundit, por që 15-20 vjet Kosova ka qenë pjesë e fushatave.

Por, Partia Demokratike nuk ka dashur asnjëherë që të shfrytëzojë pozitën e keqe të komunitetit serb për qëllime të politikës ditore.

Ne, pikësëpari, duam që këtu të mbretërojë paqja dhe stabiliteti, që të ketë sërish bisedime, që të arrihet pajtimi mes shqiptareve dhe serbëve.

Është lehtë që të manipulosh me popullin, i cili nuk ka liri të lëvizjes, që jeton në enklava dhe që nuk gëzon të drejtat pronësore, përderisa i ka të uzurpuara banesat apo shtëpitë.

Ne këtë nuk e dëshirojmë. Ne duam që serbëve dhe joshqiptarëve tjerë në Kosovë t'u ndihmojmë ekonomikisht, t'i kthejmë ata që janë zhvendosur në 99-ën dhe ajo që është më e rëndësishmja, së bashku me komunitetin ndërkombëtar dhe me shqiptarët, t'u mundësojmë serbëve lëvizjen e lirë në tërë territorin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni vlerësimet se këto zgjedhje do ta caktojnë drejtimin e Serbisë, kah Perëndimi apo Rusia?

GORAN BOGDANOVIQ
Këto zgjedhje nuk janë se e caktojnë këtë drejtim të Serbisë – kah BE-ja apo Rusia.
Ne jemi të interesuar për hyrje në BE-në dhe për miqësi me Rusinë.

Mendoj se, para së gjithash, këto zgjedhje janë një lloj referendumi, nëse Serbia shkon kah Evropa, apo kthehet pas, në një izolim dhe konfrontim me komunitetin ndërkombëtar.

Natyrisht që qëndrimi im dhe i partisë sime është integrimi në BE. Ne duam standard evropian, më shumë vende pune dhe duam që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë.

Pra, ta ruajmë Kosovën dhe në të njëjtën kohë të integrohemi në BE.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG