Ndërlidhjet

Mitrovica - qyteti më i varfër në Kosovë


Qyteti i Mitrovicës
Qyteti i Mitrovicës

Mbi 59 për qind e qytetarëve të Mitrovicës jetojnë në varfëri - thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore. Udhëheqës të Kuvendit Komunal të Mitrovicës dhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se arsye e gjithë kësaj janë çështjet politike dhe të sigurisë.


Mitrovica, dikur qyteti gati me numrin më të madh të të punësuarave, sot është qyteti më i godituri nga varfëria në Kosovë.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, 59 për qind e qytetarëve në Mitrovicë jetojnë në varfëri, shifër kjo që qytetin e Mitrovicës e radhit në vendin e parë, sa i përket varfërisë në Kosovë.

Se Mitrovica është me shkallën më të lartë të varfërisë, pajtohet edhe kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Bajram Rexhepi. Ai thotë se në këtë aspekt ka ndikuar situata politike dhe e sigurisë.

Rexhepi thotë se edhe shpërngulja e qytetarëve shqiptarë nga pjesa veriore në atë jugore ka ndikuar në këtë drejtim, ndërkaq ka bërë që shumë qytetarë të largohen nga qyteti i Mitrovicës.

“Vetë situata e tensionuar e sigurisë, ajo politike dhe një amulli për perspektiven e pjesës veriore, kanë ndikuar edhe në biznese, që njerëzit të mos rrezikojnë dhe të mos investojnë”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në qershor të vitit 1999, qyteti i Mitrovicës vazhdon të mbetet i ndarë në dy pjesë.

Në jug, i dominuar nga popullata shqiptare, dhe në veri, i dominuar jo vetëm nga popullata serbe, por edhe nga strukturat paralele të dirigjuara nga Beogradi, çka tash e disa vite është konfirmuar edhe nga autoritetet e Kombeve të Bashkuara.

Për ekspertët e ekonomisë, këtu edhe qëndron problemi kryesor pse mitrovicasit ballafaqohen më së shumti me probleme sociale.

Agim Shahini pohon se problemet politike e kanë ngulfatur zhvillimin ekonomik të Mitrovicës.

Ai, ndërkaq, thotë se për shkak të ndarjes së Mitrovicës në dy pjesë, nuk ka pasur investime të huaja, por, sipas tij, edhe udhëheqës të bizneseve nga vetë qyteti i Mitrovicës, në të shumtën e rasteve, veprimtarinë e tyre e kanë shpërngulur në qytete tjera.

”Pjesa veriore ka mbetur nën kontroll të një minoriteti dhe investimet atje janë shumë të vogla. Atje më tepër ka investime nga Serbia, sesa nga Kosova. Në pjesën jugore të Mitrovicës, investimet kanë munguar si neglizhencë e vetë administratës lokale, që nuk mund të përgatisin projekte të përbashkëta për një zhvillim të infrastrukturës”, shprehet Shahini.

Problem tjetër në këtë drejtim, kryetari i Kuvendit të Mitrovicës, Bajram Rexhepi, thotë se është mosfillimi i punës në kombinatin metalurgjik Trepça.

Ky gjigant, sektorët e të cilit gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës, para viteve ’90, ka pasur 25 mijë punëtorë, ndërkaq tash numëron vetëm 2400 punëtorë aktivë.

Ndërkohë që më shumë se 6300 punëtorë tashmë marrin pensione të parakohshme nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, vetëm 40 euro në muaj.

“Shumica e njerëzve kanë qenë të punësuar në kombinatin Trepça. Pas largimit masiv nga puna, një pjesë e tyre nuk kanë mundur të gjejnë veten dhe kanë shkuar jashtë. Kanë mbetur kryesisht njerëzit që nuk kanë pasur rrugëdalje tjetër”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, që nga viti 1999, për bashkimin e qytetit të Mitrovicës ka pasur disa plane, por asnjëri deri më tani nuk ka arritur të zbatohet.

Ekspertët e ekonomisë, ndërkaq, pohojnë se pa zgjidhjen e problemeve politike, në këtë qytet nuk do të ketë as zhvillim të ekonomisë, e cila më pas do të ndikojë në uljen e shkallës së varfërisë.
XS
SM
MD
LG