Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë janë duke u zhvilluar edhe në Kosovë. Shumë nga votuesit serbë të Kosovës presin që pas zgjedhjeve, Kosova të kthehet në kuadër të Serbisë.


Serbët e Kosovës po votojnë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë, të cilat po mbahen edhe në mjediset serbe në Kosovë.

Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor në Kosovë, 23.16 për qind e votuesve, deri në orën 14, kanë marrë pjesë në zgjedhjet, të cilat po mbahen pa bekimin e institucioneve të Kosovës.

Përfaqësues të Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë kanë thënë se procesi i votimit në 23 komuna të Kosovës dhe në mbi 270 vendvotime, ka shkuar në përgjithësi mirë, përveç një incidenti që ka ndodhur në Banjë të Skenderajt.

“Sa i përket procesit të votimit, deri më tash ka qenë i rregullt, përveç një incidenti që ka ndodhur në Skenderaj, për të cilin shpresojmë se do të rregullohet shumë shpejt”, thotë Velko Odaloviq, nga Komisioni Republikan Zgjedhor, duke iu referuar një rrahjeje që ka ndodhur mes anëtarëve të komisionit zgjedhor dhe një votuesi, që të gjithë serbë.

Pas këtij incidenti, një serb është dërguar për mjekim në spital, përderisa për një kohë është ndërprerë procesi i votimit.

Shumë nga votuesit serbë të Kosovës presin që pas zgjedhjeve të fitojnë ato forca, që do të luftojnë për mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë.

“Pres që votat dhe besimi i votuesve të shkojnë për forcat patriote, të cilat duan një Serbi të plotë. Për mua si qytetar, e vetmja dëshirë është që në zgjedhje të fitojnë forcat patriote, që e duan Serbinë të tërë”, tha Millosh Vllahoviq, votues nga Mitrovica.

Millorad Zdravkoviq, pas hedhjes së votës, ka thënë se pas 11 majit pret përmirësim të jetës për serbët e Kosovës në çdo aspekt.

“Më duhet të them se pas gjithë asaj që ka ndodhur, më vjen mirë që sot i zgjidhim disa çështje. Llogaris se do të ndodhë diçka si duhet për ne këtu, edhe në Serbi, por veçanërisht në Mitrovicë”, tha Zdravkoviq.

Zgjedhjet nacionale të Serbisë, sikurse edhe herët e kaluara, nuk janë penguar.

Për hir të respektimit të dyshtetësisë, edhe institucionet e Kosovës nuk kanë kundërshtuar shumë zgjedhjet nacionale, që nënkupton se serbët mund të votojnë edhe për Kuvendin e Kosovës, edhe për atë të Serbisë.

Por, zgjedhjet lokale janë shpallur të pavlefshme si nga institucionet ndërkombëtare, ashtu edhe nga ato vendore.

“Siç kemi thënë, zgjedhjet parlamentare, as nuk do të përkrahen e as nuk do të pengohen. Ndërkaq, sa i përket zgjedhjeve lokale, ne e kemi bërë të qartë se janë ilegale dhe jovalide, sepse nën Rezolutën 1244, vetëm misioni i OKB-së në Kosovë mund të organizojë zgjedhje lokale”.

“Ne, këtë qëndrim ia kemi bërë shumë të qartë Qeverisë serbe, por, megjithatë, ata vendosen që të vazhdojnë dhe të shkelin Rezolutën 1244, të cilën vetë thonë se e mbështesin”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës i quan zgjedhjet lokale në Kosovë, një ‘show’, përmes të cilave manipulohet komuniteti serb i Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i ka quajtur ilegale zgjedhjet e sotme.

“Janë, do të thosha, zgjedhje farsë. Asnjë institucion nuk do të ndërtohet mbi bazën e këtyre zgjedhjeve. Më shumë është një ‘show’ dhe tendencë e Qeverisë dhe e politikanëve në Beograd që ta shfrytëzojnë minoritetin serb për qëllime të tyre politike”, tha Kuçi.

Autoritetet kosovare të rendit nuk janë duke siguruar vendvotimet, ashtu siç bëjnë me zgjedhjet e rregullta që organizohen nga institucionet.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, shpjegon më shumë:

“SHPK-ja nuk gjendet në këto vendvotime, nuk e bën sigurimin e tyre. Jemi në patrullime të rregullta ditore, në kryerje të detyrave tona, gjithnjë duke mbajtur mend se zgjedhjet serbe janë duke u zhvilluar në Kosovë, kështu që nëse ka nevojë për ndonjë reagim, ne të jemi në gjendje që të reagojmë”.

UNMIK-u ka deklaruar se në Kosovë nuk mund të krijohet asnjë institucion, që për bazë ka zgjedhjet e sotme lokale.

XS
SM
MD
LG