Ndërlidhjet

Gashi: Serbët e Kosovës nuk përfitojnë nga zgjedhjet


Arben Gashi

Arben Gashi

"Lidhja direkte e pushtetit lokal në mjediset serbe me institucionet e Serbisë dhe margjinalizmi i pakicës serbe në Kosovë, do të jenë rezultat i zgjedhjeve lokale, që Serbia po i mban në Kosovë", thotë Arben Gashi, ekspert për çështjen e decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, sot po mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale të Serbisë në Kosovë. Përderisa zgjedhjet nacionale nuk kanë ngjallur dilema, ato lokale janë shpallur të paligjshme. Si i shihni të zgjedhurit që do të dalin nga zgjedhjet komunale serbe?

ARBEN GASHI
Për të qenë korrekt, mund të them se sot mbahen zgjedhjet qendrore dhe lokale në Serbi, të cilat synojnë të shtrijnë këtë impakt të vetin edhe në territorin e Kosovës së pavarur. Ky është realiteti.

Kjo shtrirje territoriale e këtij ndikimi politik krijon problematikat e veta si për nivelin qendror, ashtu edhe për nivelin lokal.

Në nivelin qendror, problematika është pak më e thjeshtë, sepse është pranuar si koncept se mund të votohet për institucionet e Serbisë, për njerëzit që mendohet se mund të ndikojnë në politikën serbe.

Problematika është se këta votues në Kosovë janë manipuluar dhe mund të manipulohen për interesa politike të grupacioneve të caktuara në Serbi.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, është një problematikë më e veçantë, sepse synohet që të ndërtohen institucione që kanë lidhje hierarkike direkte me institucionet e Serbisë.

Kjo është e papranueshme, sepse krijon një konfliktualitet institucional dhe margjinalizon pakicën serbe në Kosovë.

Ky margjinalizim i pakicës serbe në Kosovë vjen edhe si rezultat i tendencës së kontrollit të pakicës serbe, të krijimit të problematikave dhe të rritjes së ndikimit të politikës serbe.

Kjo tendencë e kontrollit vjen sepse tentohet të kontrollohen institucionet kosovare dhe të krijohet destabilitet artificial në Kosovë, të humbet karakteri multietnik i institucioneve kosovare.

Dhe, elementi tjetër kryesor është krijimi i kapitalit politik dhe përdorimi i këtij kapitali politik për konsum të brendshëm në Serbi, sepse argumenti i Kosovës, siç është parë në fushatën paraelektorale për zgjedhjet në Serbi, ka qenë shumë i fuqishëm dhe kanë manipuluar të gjithë me argumentin në Kosovë.

Prandaj, mund të themi se është një kapital i madh për politikanët serbë në Serbi dhe shumë pak interesohen për popullatën serbe pakicë që jeton në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa nga kandidatët në zgjedhjet lokale, aktualisht drejtojnë komunat e Kosovës, mandati i të cilëve është shtyrë nga ana e shefit të UNMIK-ut. Çfarë mendoni se duhet të bëjë UNMIK-u me këta kandidatë dhe kush në fakt do t’i drejtojë komunat pas 11 majit?

ARBEN GASHI
Problematika është akoma më komplekse, ku përfaqësues të institucioneve kosovare kanë hyrë në marrëdhënie komunikimi dhe bashkëpunimi direkt, në vijë horizontale, me institucionet e Serbisë, që është një problematikë e veçantë.

Fakti tjetër që këta janë nominuar për t’u zgjedhur në institucione lokale në Kosovë, të nominuar si politikanë ose si përfaqësues të partive serbe të Serbisë, është një problematikë shumë e madhe.

Në institucionet vendore duhet të jenë më të fuqishëm, më argumentues dhe të bëjnë më shumë presion përballë institucioneve ndërkombëtare, duke pasur parasysh elementin e parë që është UNMIK-u, i cili ka një autoritet në rënie dhe një reduktim të përgjegjësive të veta.

Mirëpo, duhet të bëjë presion jashtëzakonisht të madh, që të kemi një qartësim të pozicionit të institucioneve kosovare për këto pjesë të territorit të Kosovës.

Këto janë pjesë të territorit të pandashëm të Kosovës, sepse kështu thuhet me të gjitha konventat ndërkombëtare, me Kushtetutën e Kosovës dhe me pakon e presidentit Ahtisaari, që është pjesë e territorit të Kosovës, që ka një mundësi decentralizimi asimetrik, që jep pak më shumë mundësi dhe kompetenca që komuniteti serb ose komunitetet që jetojnë në zona të caktuara të territorit të Kosovës, të kenë mundësi që të zhvillojnë aktivitete politike dhe institucionale, në mënyrë asimetrike nga pjesët tjera të territorit.

Mirëpo, kjo, në asnjë mënyrë, nuk lejon mundësinë që këto pjesë të institucioneve dhe këto pjesë të territorit të Kosovës të hyjnë në marrëdhënie bashkëpunimi direkt me hierarkinë politike, administrative të Serbisë, e cila do të prodhojë problematika si në aspektin politik, në aspektin territorial, administrativ dhe në aspektin e mirëkuptimit mes njerëzve.

Prandaj, unë mund të them i bindur se kjo lëvizje politike që po bëhet për konsumim të kapitalit politik të brendshëm në Serbi, po rrezikon realisht kualitetin e njerëzve në Kosovë në përgjithësi, e sidomos të pakicës serbe, kryesisht në pjesën veriore të territorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni qeverisjen lokale në mjediset serbe pas 11 majit?

ARBEN GASHI
Unë mendoj se qeverisja lokale në Kosovë, në pjesën e territorit ku jeton pakica serbe, duhet të jetë një qeverisje e zgjedhur në mënyrë institucionale nga institucionet e Kosovës, në kuptimin që do të duhej të shpallen zgjedhjet atje dhe të krijohen institucione legale, që përfaqësojnë autoritetin e institucioneve kosovare dhe përfaqësojnë vullnetin e pakicës serbe në Kosovë.

Kjo do të thotë se pakica serbe në Kosovë duhet të vetëdijesohet se autoriteti institucional dhe autoriteti shtetëror i Kosovës është autoriteti që i përfaqëson ata dhe është autoriteti që mbron interesin e tyre më së miri, e jo autoritetet politike që kanë krijuar një ndërhyrje flagrante në hierarkinë administrative kosovare.

Kjo ndërhyrje flagrante rrezikon kualitetin e jetës së tyre dhe realisht mund të rrezikojë, në të ardhmen e afërt, edhe çështjen e sigurisë së Kosovës, domethënë të krijojë një konfliktualitet artificial, i cili nuk do të ishte i mirëseardhur për askënd në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë efekti në të vërtetë do të ketë shpallja e zgjedhjeve lokale si të paligjshme nga UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, kur edhe strukturat paralele kanë qenë të paligjshme, por kanë funksionuar deri më tash?

ARBEN GASHI
Hapi i parë i shpalljes së paligjshmërisë është një hap i konsiderueshëm pozitiv.

Unë jam i bindur se institucionet kosovare, institucionet e UNMIK-ut dhe prezenca ndërkombëtare në Kosovë duhet të marrin hapin tjetër vendimtar, që do të jetë bllokimi i efektivitetit të këtyre institucioneve paralele, të paligjshme, të cilat do të synojnë që të shtrijnë autoritetin e vet brenda territorit të Kosovës.

T’u bëhet me dije të gjithëve në Kosovë, në Serbi dhe kudo që jetojnë serbë, se brenda territorit të Kosovës nuk mund të krijohen institucione paralele apo institucione që do të kenë ndikim në kualitetin e sistemit administrativ apo në kualitetin e ndërtimit të piramidës institucionale shtetërore.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë thonë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë nënkupton legjitimim të strukturave paralele. Çfarë mendoni ju për këtë?

ARBEN GASHI
Legjitimiteti në konceptin ligjor, absolutisht nuk mund të verifikohet në këtë formë.

E dyta, legjitimiteti demokratik, dhënia e votës për institucione dhe udhëheqje institucionale, prapë është në pikëpyetje dhe nuk mund të konfirmohet si i tillë, sepse legjitimitet demokratik nuk mund të kemi nëse krijohen në mënyrë të paligjshme apo synohet të krijohen institucione paralele në mënyrë të paligjshme.

Kështu që unë mund të them i bindur se legjitimiteti mungon, si demokratik, ashtu edhe institucional, administrativ dhe mungon arsyeshmëria logjike e lidhjes institucionale dhe funksionalitetit institucional.

I bindur për këto fakte, mund të konkludoj se institucionet kosovare dhe prezenca ndërkombëtare duhet të bëjnë me dije, tashmë pas 10 vjetëve të ekzistimit të këtyre institucioneve paralele në territorin e Kosovës, se ka ardhur koha e ndërtimit të një skeme organizative dhe administrative shtetërore, e cila do të jetë funksionale dhe në shërbim të të gjithë njerëzve në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, përkatësinë e tyre territoriale dhe tendencën e lidhjes territoriale etnike apo funksionale me skemat që janë jashtë skemës kosovare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG