Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK nuk njeh zgjedhjet lokale, e as rezultatet e tyre


Zgjedhjet e Serbisë, 11 maj 2008

Zgjedhjet e Serbisë, 11 maj 2008

Përfundoi procesi i votimit për zgjedhjet lokale e parlamentare të Serbisë në Kosovë. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se nuk i njeh zgjedhjet lokale serbe e as rezultatet e tyre.


Kanë përfunduar votimet për zgjedhjet lokale dhe parlamentare serbe edhe në Kosovë.

Sipas Organizatës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, deri në orën 19, në Kosovë kanë hedhur votën 52 për qind të qytetarëve, të cilët kanë votuar kryesisht në mjediset e banuara me shumicë serbe.

Por, përderisa votat e serbëve të Kosovës për zgjedhjet nacionale mund të vlejnë, ato për zgjedhjet lokale, duket se nuk do të kenë efekt ligjor, meqë administrata e UNMIK-ut bëri të ditur se nuk i njeh zgjedhjet e sotme lokale serbe.

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, i quajti ato të paligjshme. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rusell Geekie, citon deklaratën e zotit Ruecker:

"Këto të ashtuquajtura zgjedhje lokale, rezultatet e tyre dhe institucionet komunale serbe, në të cilat ata kanë synuar që t'i zgjedhin përfaqësuesit, janë pa bazë ligjore dhe nuk kanë efekt në Kosovë”.

“Zgjedhjet ilegale nuk mund të kenë konsekuenca legale. Rezultati i tyre nuk mund të njihet. UNMIK-u do të vazhdojë të merret ekskluzivisht me qeveritë legjitime komunale në tërë Kosovën dhe me përfaqësuesit legjitimë të këtyre komunave", citoi deklaratën e zotit Ruecker, zëdhënësi Geekie.

UNMIK-u ka nënvizuar se Republika e Serbisë ka mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë, duke qenë në dijeni të plotë se ato janë në kundërshtim me mandatin ekskluziv të UNMIK-ut, i cili autorizon zgjedhjet nën Rezolutën 1244.

Qeveria e Kosovës i quajti, gjatë ditës, zgjedhjet lokale në Kosovë, një ‘show’, përmes të cilave manipulohet komuniteti serb i Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se zgjedhjet e sotme lokale janë ilegale.

"Janë, do të thosha, zgjedhje farsë. Asnjë institucion nuk do të ndërtohet mbi bazën e këtyre zgjedhjeve. Më shumë është një ‘show’ dhe tendencë e Qeverisë dhe e politikanëve në Beograd që ta shfrytëzojnë minoritetin serb për qëllime të tyre politike", tha Kuçi.

Sidoqoftë, shumica e serbëve që hodhën votën në mjediset serbe në Kosovë, shfaqën shpresën se fitorja do të jetë e atyre që do të luftojnë për mbetjen e Kosovës në kuadër të Serbisë.

"Pres që votat dhe besimi i votuesve të shkojnë për forcat patriote, të cilat duan një Serbi të plotë. Për mua si qytetar, e vetmja dëshirë është që në zgjedhje të fitojnë forcat patriote, që e duan Serbinë të tërë", tha Millosh Vllahoviq, votues nga Mitrovica.

Millorad Zdravkoviq, pas hedhjes së votës, ka thënë se pas 11 majit pret përmirësim të jetës për serbët e Kosovës në çdo aspekt.

"Më duhet të them se pas gjithë asaj që ka ndodhur, më vjen mirë që sot i zgjidhim disa çështje. Llogaris që do të ndodhë diçka si duhet për ne këtu, edhe në Serbi, por veçanërisht në Mitrovicë", tha Zdravkoviq.

Autoritetet kosovare të rendit nuk kanë siguruar vendvotimet, ashtu siç bëjnë me zgjedhjet e rregullta që organizohen nga institucionet.

Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, ka thënë se situata e sigurisë ka qenë e qetë.

"Nuk kemi pasur ndonjë rast për ta veçuar, përpos një rasti në fshatin Banjë të Skenderajt, ku kanë prishur rendin dhe qetësinë publike dy pjesëtarë të komunitetit serb; njëri nga ta ishte dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Skenderaj, ndërsa tjetri është intervistuar nga policia. Por, në përgjithësi, situata ka qenë e qetë", tha Elshani.

Zgjedhjet nacionale të Serbisë, sikurse edhe herët e kaluara nuk janë penguar.

Për hir të respektimit të dyshtetësisë, edhe institucionet e Kosovës nuk kanë kundërshtuar shumë zgjedhjet nacionale, kështu që serbët edhe kësaj here kanë mundur të votojnë për Kuvendin e Serbisë, ashtu siç mund të votojnë edhe për Kuvendin e Kosovës.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG