Ndërlidhjet

logo-print

"Tadiqi shpall fitoren dhe Kosovën prioritet"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Vojislav Koshtunica me siguri kishte besuar se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, në një situatë të ngarkuar emocionalisht nga shkëputja e Kosovës, do ta bënte atë përfundimisht një faktor të përforcuar dhe të pakalueshëm në Serbi. Nëse ky kanë qenë kalkulimi i kryeministrit të deridjeshëm serb, ai doli i gabuar të dielën në votimet për Parlamentin dhe nivelin lokal. Vojislav Koshtunica ka dalë humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve, aq sa edhe po të tentojë një Qeveri me radikalët, nuk ia japin mundësinë shifrat. Ai dhe partia e tij kanë shënuar një rënie të konsiderueshme nga zgjedhjet e kaluara më 2007, ku kishin fituar mbi 16 për qind të votave, ndërsa tash ka arritur vetëm ll,6 për qind. Serbia i është kthyer të dielën rrugës evropiane duke i dhënë më së shumti vota koalicionit të mbledhur rreth Partisë Demokratike të presidentit Boris Tadiq, me mundësinë për të udhëhequr Qeverinë e re të Serbisë. Kosova ka qenë në qendër të debatit zgjedhor në Serbi, ndërsa Tadiq kishte promovuar integrimin e vendit të tij në BE, mirëpo, sipas tij, pa hequr dorë nga Kosova...

KOHA DITORE
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka shpallur te dielën mbrëma veten fitues të zgjedhjeve në Serbi, duke u zotuar se "Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës" dhe se do të kërkojë negociata të reja lidhur me statusin e saj. Partia e Demokratike, kryetar i së cilës është Tadiq, dhe aleatët e saj kanë arritur 39 për qind të votave të përgjithshme të zgjedhjeve të 11 majit në Serbi, por kjo nuk garanton se kjo parti do të mund të formojë qeverinë. Sipas rezultateve të Qendrës për zgjedhje të lira dhe demokraci (CeSID), Partia e Tadiqit me aleatët (me 103 deputetë) ka lënë në vendin e dytë Partinë Radikale Serbe të Tomislav Nikoliqit me 28.5 për qind (76 deputetë) dhe bllokun e nacionalistëve të kryeministrit Vojislav Koshtunica me 11 për qind (30 deputetë). "Koalicioni i Tadiqit ka fituar bindshëm këto zgjedhje", i ka thëne agjencisë së lajmeve Associated Press, zëdhënësi i CESID-it, Zoran Luçiq. Socialistët kanë realizuar rreth 8 për qind të votave, ndërsa liberalët e Çedomir Jovanoviqit kanë kaluar pragun zgjedhor prej 5.2 për qind". Megjithëkëtë, ende mbetet e paqartë nëse partia e presidentit Boris Tadiq do të jetë në gjendje që të formojë qeverinë e re me partitë e vogla, apo nëse radikalët, koalicioni i Koshtunicës dhe Partia Socialiste e ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Milosheviq, do të bëjnë përpjekje për ta formuar qeverinë kundër Tadiqit...

KOSOVA SOT
Zgjedhjet e së dielës i kanë vënë kapakun abuzimit që ka bërë misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Megjithëse në një realitet të ri, por edhe sikur të mos ishte fare ky fakt, zyrtarët e UNMIK-ut e kanë pasur detyrë që të mos lejojnë shkeljen flagrante të Rezolutës 1244, duke lejuar organizimin e zgjedhjeve serbe në territorin kosovar. Është e pafalshme për drejtuesit e këtij misioni. Që me miratimin e tyre kanë lejuar një proces, i cili me siguri do të reflektohet shumë shpejt në thellimin e ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve. Kundërshtimi verbal është vetëm një pikë në ujë, nga ajo që ka mundur të bëjë UNMIK-u, i cili vazhdon t’i ketë edhe më tutje kompetencat e plota në Republikën e Kosovës. Në vend që të ndalohej procesi i zgjedhjeve ilegale të Serbisë në vendin tonë, ndërkombëtarët lejuan që të devalvohet dita-ditës pavarësia dhe sovraniteti i shtetit kosovar. Në vend që të konfiskoheshin materialet e votimit dhe të arrestoheshin personat që u përfshinë në zgjedhjet e paligjshme, UNMIK-u i toleroi ata dhe veprimet e tyre. Misioni i OKB-së i dha mundësinë më të mirë Serbisë dhe pakicës serbe në Kosovë që ta legjitimojnë pushtetin e tyre paralel, t’i legalizojnë enklavat dhe t’i shkatërrojnë, ende pa nisur, përpjekjet për zbatimin e decentralizimit sipas pakos së Ahtisaarit...

BOTA SOT
Shtypi amerikan dhe analistë të zhvillimeve në Ballkan i vlerësojnë zgjedhjet serbe si një test për orientimin e vetë Serbisë ndaj Evropës, si dhe rolin e pavendosur të Evropës karshi Kosovës. Dështimi i BE-së për një politikë unike ndaj Kosovës, qoftë në të kaluarën, qoftë tani, i ka kontribuar ngritjes së nacionalistëve serbë. Për zgjedhjet në Serbi thuhet se gjuha e përdorur dhe pozat e marra nga garuesit për pushtet, kanë elemente të taktikës së frikës, me qëllim të ruajtjes së pushtetit që më tepër i ngjajnë metodave të ish diktatorit Millosheviq. Në këtë kuadër partia e Koshtunicës me qëllim të mobilizimit të mbështetjes, po ngrit tensionet si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, duke i vënë votuesit para zgjedhjes: do të jenë tradhtarë apo patriotë. Ata si tradhtarë tashmë i kanë etiketuar forcat properëndimore, të cilat me qëllim të integrimit në Evropë thonë se kanë shitur zemrën e Serbisë, Kosovën. Thuhet se ky mesazh i Koshtunicës është i njëjtë me atë të Millosheviqit, i mbështjellë me gjuhë nacionaliste dhe kërcënuese, duke iu thënë troç serbëve: "o votoni për mua ose do të ketë telashe"...

INFOPRESS
Zgjedhjet e djeshme në Serbi vazhdojnë të konsiderohen të një rëndësie të veçantë, para së gjithash, edhe për shkak të ndarjeve të thelluara që ka përfshirë klasën politike në Serbi. Shpallja e pavarësisë së Kosovës u pa qartë që ka përshpejtuar dhe nxitur forcat politike atje të tregojnë dhëmbët në garën për pushtetin në Serbinë, tashmë të vetmuar nga ish-pjesët e Jugosllavisë së dikurshme, ku ajo atëherë ndihej keq. Kjo edhe i ka ushqyer ndjenjat serbe për të manifestuar kurs dhe politikë mbi kundërshtitë binare - superiority serb dhe 'padrejtësive' që të tjerët kishin bërë ndaj tyre. Andaj, e gjithë politika serbe e viteve '80 dhe më vonë, rrejshëm, propagandohej si politikë korrigjimi të padrejtësive dhe ekzekutohej si e tillë duke shkaktuar padrejtësi. Megjithatë, atëherë qytetarët serbë patën pranuar një diskurs të atillë, mbase edhe nga nostalgjia për Serbinë në historinë si e kanë shkruar ata vetë. Rezultatet e mbështetjes së tillë të politikës, qoftë hapur, me votë, e qoftë heshturazi, qytetarët serbë e kanë mundësinë që edhe tani, pas me shumë se dy dekadash, t'i shohin, si ne jashtë saj. Serbia vazhdon të jetë në telashe me veten e saj, tash kur nuk i ka të tjerët, e as Kosovën...

ZËRI
Zyrtarë të lartë të institucioneve qeveritare në vend thonë se Qeveria e Republikës së Kosovës ka intensifikuar lobimin për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës, derisa opozita në vend vlerëson se Qeveria ka qenë e kapluar nga vetëkënaqësia pas njohjeve të para dhe si pasojë e kësaj procesi ka stagnuar më vonë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha dje për "Zëri" se procesi i lobimit do të intensifikohet edhe më tej, por, sipas tij, lobimi nuk mund të kuptohet si formë e takimeve formale apo joformale, por nënkupton një aktivitet të tërë diplomatik. "Do të kemi angazhim të të gjitha institucioneve, përfshirë edhe kryeministrin, edhe presidentin, ministrin e Jashtëm, si dhe njerëz me ndikim në rajone të caktuara", tha Kuçi. Në ketë frymë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, dje ka udhëtuar për një vizitë në Panama, ku do të ketë takime me zyrtarë të lartë të Republikës së Panamasë dhe me përfaqësues të vendeve të rajonit...

LAJM
Kërkesën dhe vendosmërinë e institucioneve kosovare që zgjedhjet serbe të mos mbahen në territorin e Kosovës e demantoi koha. Të dielën, Serbia organizoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare edhe në Kosovë. Me lejimin tyre dështoi faktori vendor e ndërkombëtar. Sidoqoftë, për UNMIK-un dhe Qeverinë e Kosovës, rezultatet e këtyre zgjedhjeve janë jolegjitime. Për hir të respektimit të dyshtetësisë, siç thotë Aleksander Ivanko, UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës nuk kanë kundërshtuar zgjedhjet parlamentare... Të zënë ngushtë në situata të tilla, vendorët s'kanë shumë fjalë. "Kemi mekanizma për ta penguar konstituimin e institucioneve paralele", thotë për "Lajm", zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. Por, tash nuk beson askush se deklaratat e udhëheqësve kosovarë, do të mund të kalojnë në veprime konkrete dhe si të tilla në sytë e analistëve politikë, duken si deklarata shterpe, që vënë në një pozicion jo të favorshëm politikën kosovare. Njohësit e rrethanave politike, mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë e cilësojnë si sfidën më të madhe të institucioneve të Kosovës. “Problemet kanë filluar. Le të thonë sa të duan se këto zgjedhje janë jolegjitime për Kosovën. Këto zgjedhje janë legjitime për Serbinë dhe kjo u mjafton serbëve", thotë Agim Zogaj, shef i Departamentit të Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik...

EPOKA E RE
Dy nga udhëheqësit kryesorë të Republikës së Serbisë (Stamboliqi dhe Gjingjiqi) të kohëve të fundit janë vrarë, një tjetër udhëheqës serb i ka shpëtuar du herë atentatit (Drashkoviqi), kurse presidenti aktual serb (Tadiq) është kërcënuar me “një plumb në kokë”. Duke e njohur këtë traditë kriminale të vrasjeve dhe tentim-vrasjeve politike, presidenti aktual serb, Tadiq, do të duhej ta ketë marrë seriozisht kërcënimin. Kërcënimi ka ardhur si pasojë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, i cili nga qarqet ultra-nacionaliste serbe konsiderohet si “akt tradhtie për Kosovën”. Në fakt, ambientin politik të linçimit e ka nxitur vetë kryeministri serb, Koshtunica. Kryeministri serb nuk e ka përballuar dot humbjen e Kosovës dhe vazhdimin e procesit për integrim në Bashkimin Evropian, tetëmbëdhjetë vende të të cilit e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës. Duke qenë i sigurt në një aleancë të ardhshme me Partinë Radikale Serbe, Koshtunica ka vendosur definitivisht ta evitojë koalicionin me Boris Tadiqin...

XS
SM
MD
LG