Ndërlidhjet

Mosbashkëpunimi i serbëve dëmton decentralizimin!


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka nisur nga sot fushatën informuese për decentralizimin e pushtetit lokal, i cili pritet të fillojë pas 15 qershorit, atëherë kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës, e rrjedhimisht edhe legjislacioni i duhur për reformën e pushtetit lokal.


Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Veç është formuar grupi ndërministror, ka formuar katër nëngrupet dhe njëkohësisht grupet udhëheqëse të fushatës. Ka pasur dy takime, i ka aprovuar temat e punës, pastaj planin e veprimit dhe implementimi i komunave të reja do të ndodhë pas zgjedhjeve”.

“Ndërkohë, ka edhe shumë punë për t’u bërë, për të filluar ekipet përgatitore për instalimin e komunave të reja, që në momentin e zgjedhjes të jemi sa më të gatshëm për t’i implementuar edhe komunat e reja. Që tani, të përgatitemi me ngritjen e kapaciteteve”, tha ministri Ferati.

Por, një problem që mund të paraqitet është mungesa e përfaqësuesve legjitimë në komunat me shumicë serbe, ku edhe parashihet krijimi i komunave të reja.

Sadri Ferati thotë se decentralizimi do të jetë i vështirë, nëse nuk do të ketë bashkëpunim të serbëve me institucionet e Kosovës.

“Para zgjedhjeve serbe nuk kemi pasur sinjale të mjaftueshme të këtij bashkëpunimi. Ka qenë një refuzim nga serbët. Institucionet e Kosovës konsiderojnë se kjo është një mundësi shumë e mirë për t’i tejkaluar të gjitha këto situata jo të mira, që ekzistojnë momentalisht në Kosovë”.

“Me vetë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, realisht Beogradi ka pasur më tepër për qëllim që të tensionojë dhe të pengojë funksionalizimin në përgjithësi të Kosovës. Dhe, me këtë është edhe një manipulim tjetër që bëjnë serbët për nevojat e politikës ditore. Pra, nuk do të jetë i lehtë, por ne jemi të vendosur që ta zbatojmë”,
shprehet Ferati.

Nga ana tjetër, Arsim Osmani, zyrtar për komunikim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, thotë se zyrtarë të komunave janë inkuadruar në grupe të ndryshme të Qeverisë së Kosovës për decentralizim.

Por, ai thotë se problemi më i madh për zbatimin e decentralizimit do të jetë mosbashkëpunimi i serbëve me institucionet kosovare.

“Ne, pakënaqësitë i shohim në dy segmente. Segmenti i parë është mosbashkëpunimi i serbëve me grupet për decentralizim dhe me Qeverinë e Kosovës, për të implementuar praktikisht decentralizimin. Pengesa e dytë do të ishte nga ana jonë, konkretisht nga mosbartja e kompetencave të AKM-së tek qeveria qendrore dhe tek pushteti lokal, për kompetencat e shërbimeve publike”, thotë Osmani.

Ndryshe, ministri Ferati thotë se kostoja për krijimin e 8 komunave dhe njësive të reja komunale fillimisht duket të jetë 30 milionë euro.

“Shifrat, të cilat ne momentalisht i kemi në përdorim, dëshmojnë diku rreth 30 milionë euro. Një pjesë e kësaj shume është e projektuar në buxhetin e konsoliduar të Kosovës dhe për pjesën tjetër do të aplikojmë në Konferencën e donatorëve”, tha ministri Ferati.

Ndryshe, Komisioni Evropian, në kuadër të projekteve të tij për vitin 2007-2010, ka ndarë 12. 4 milionë euro për krijimin e komunave dhe njësive komunale.

Fushatë kundër procesit të decentralizimit tash disa kohë është duke zhvilluar Lëvizja Vetëvendosje, meqë, sipas kësaj lëvizjeje, fushata për decentralizim është fushatë për copëtimin e Kosovës përbrenda, si dhe për ta bosnjëzuar.

XS
SM
MD
LG