Ndërlidhjet

logo-print

Tolerancë ndëretnike nëpërmjet zhvillimit ekonomik


Zhvillimi ekonomik në gjithë territorin e Kosovës do jetë mënyra më e mirë për ngritjen e tolerancës ndëretnike. Investimet e përbashkëta dhe punësimi i të gjitha komuniteteve do t’i zbusnin mospajtimet politike.


Ekonomia është një ndër sektorët kryesorë që mund të ndikojë në ngritjen e tolerancës ndëretnike.

Kështu thonë ekspertë kosovarë për çështje ekonomike, sipas të cilëve investimet e përbashkëta dhe punësimi i popullatës shumicë dhe komunitetit pakicë, janë masa stimuluese për ngritjen e tolerancës ndëretnike.

Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se ngritja e zhvillimit ekonomik në të gjitha pjesët e Kosovës, do t’i zbuste edhe mospajtimet politike në mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë.

“Gati gjithmonë kur bëhet fjalë për biznesin dhe interesat ekonomike, harrohen konfliktet ndëretnike”.

Rasti konkret është i Kosovës së paraluftës dhe i Kosovës së pasluftës, ku edhe për shkak të konfliktit shumë të madh politik që ka ekzistuar në mes shqiptarëve dhe serbëve, prapë transaksionet ekonomike nuk janë ndalur, janë zhvilluar edhe më tutje. Madje, sot kemi një sasi të produkteve që importohen nga Serbia”, thotë Kusari Lila.

Ajo pohon se institucionet vendore dhe ndërkombëtare duhet të përqendrohen më tepër në zgjidhjen e këtyre problemeve, konkretisht në enklavat e banuara me shumicë serbe.

Në këtë drejtim, ajo pohon se autoritet kompetente duhet t’u krijojnë shumë mundësi investitorëve të huaj potencialë, por, gjithsesi, sipas saj, duhet të jenë në koordinim me institucionet e Republikës së Kosovës.

“Si hap tjetër është angazhimi në punë i njerëzve që jetojnë në atë zonë, si boshnjakëve, shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve”.


“Kjo me siguri do të nxiste gjuhën e bashkëpunimit, të tolerancës, për arsye se njerëzit që punojnë në një entitet ose njerëzit që merren me aspektin ekonomik në baza ditore, gradualisht do t’i ulnin tensionet politike. Pra, një gjë e tillë prapë nuk është bërë“, thotë Kusari Lila.

Por, një aktivitet të tillë e ka marrë Oda Ekonomike e Kosovës. Besim Beqa, kryetar i kësaj organizate, thotë se duke pasur parasysh faktin se forma më e mirë për tejkalimin e problemeve etnike është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim ekonomik, Oda Ekonomike ka marrë një iniciativë të tillë.

“Ne kemi formuar një qendër në Mitrovicë, ku Oda Ekonomike e Kosovës është nikoqir apo kryesuese e një shoqate që quhet REBAM, e cila grumbullon të gjitha shoqatat e biznesit në rajonin e Mitrovicës, duke përfshirë edhe ato të Mitrovicës veriore, me qëllim që t’i gjejmë interesat e zhvillimit ekonomik të përbashkët. Kjo është duke funksionuar”, shprehet Beqa.

Megjithatë, Mimoza Kusari Lila pohon se edhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare duhet të kenë një plan të zhvillimit ekonomik të asaj zone.

Ky plan i zhvillimit, thotë ajo, duhet t’i përbëjë fazat e zhvillimit gradual, duke përfshirë pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës.

“Duhet të kenë një plan ekonomik dhe një plan për investime për këtë zonë, e cila do t’i bënte të ndiheshin konform të gjitha etnitet që jetojnë atje. Gjithashtu, edhe veriu i Kosovës ballafaqohet me një varfëri të lartë. Kur ke varfëri, do të thotë se të gjitha problemet tjera janë më të rënda dhe më të theksuara”, tha Kusari Lila.

Edhe Besim Beqa pohon se mënyra më e mirë për uljen e tensioneve në Mitrovicë, është që të investohet në aspektin ekonomik..

“Unë mendoj se Kosova duhet të trajtohet si tërësi, prandaj mundësia për të investuar edhe në pjesën veriore dhe atë jugore, do të jetë mundësia më e mirë që përmes zhvillimit ekonomik, tensionet në Mitrovicë të ulen”, theksoi Beqa.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG