Ndërlidhjet

Një i arrestuar për sulmin kundër Ali Ahmetit


Ministria e Punëve të Brendshme, mbrëmë vonë, ka arrestuar Faruk Iljazin nga Reçica e Madhe e Tetovës, nën dyshimin se është pjesëmarrës në sulmin me armë zjarri ndaj veturës me të cilën udhëtonte lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Sulmi kundër Ahmetit ndodhi në fshatin Rakovec të Komunës së Bogovinës.

Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski, tha se i dyshuari do të merret në pyetje rreth motiveve të sulmit, si dhe përfshirjes eventuale të personave të tjerë në incident.

Ahmeti i shpëtoi atentatit falë veturës së blinduar, me të cilën po udhëtonte. Ai për këtë sulm ka akuzuar strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrin Nikolla Gruevski.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim, gjatë ditës, do të mbajë një tubim proteste në Tetovë, me moton "Stop dhunës", për të dënuar, siç thuhet, "sulmin ndaj Ahmetit dhe sulmet ndaj shtabeve të BDI-së, që po kryhen nga strukturat e PDSH-së së Menduh Thaçit".

Incidentet janë dënuar nga Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e BE-së në Shkup.

Në një reagim të Ambasadës Amerikane thuhet se “dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në procesin demokratik".
XS
SM
MD
LG