Ndërlidhjet

logo-print

"BE premton lëshime të reja për Serbinë"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Përpos pavlefshmërisë së zgjedhjeve lokale serbe në Republikën e Kosovës, UNMIK-u vlerëson se edhe çdo tentativë tjetër për jetësimin e autoriteteve të dala nga këto zgjedhje, do të dështojë. Ky rezultat vjen si rrjedhojë se shtrirja e kësaj natyre edhe në Republikën e Kosovës, nuk posedon mbështetje ligjore. Kështu ka vlerësuar edhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Në një deklaratë të tij ka theksuar se "zgjedhjet lokale, rezultati i tyre dhe institucionet komunale serbe, që supozohet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, janë pa një status ligjor dhe nuk kanë ndonjë ndikim në Kosovë". Ai ka deklaruar se rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të pranohet dhe ka shtuar se UNMIK-u do të vazhdojë të punojë vetëm me qeveritë legjitime lokale në gjithë Kosovën dhe me përfaqësues legjitimë të këtyre komunave. Në këtë kontekst, UNMIK-u ka përsëritur se nuk do të njohë asnjë rezultat dhe autoritet që mund të dalë nga ky rast...

KOSOVA SOT
Kosovarët duhet të rropaten me muaj të tërë për të marrë një vizë në ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa për serbët shumë shpejt do të ketë liri lëvizjeje në këtë drejtim. Privilegjet evropiane për Beogradin janë në maksimumin e mundshëm, duke pasur parasysh rirreshtimin pro-perëndimor. Politika serbe e ka shfrytëzuar mirë rastin, duke luajtur me Kosovën, duke siguruar përfitimet më të shpejta në historinë e vendeve ballkanike, megjithëse historia e saj fundshekullit të kaluar është më e shëmtuara që mund të shkruhej. Serbia është shkaktar i luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, ndërsa nuk është ndëshkuar nga drejtësia ndërkombëtare për krimet që i ka bërë ndaj njerëzve të pafajshëm. Por, pavarësisht nga ky pozicion aspak i rehatshëm, Brukseli e ka parë të arsyeshme qe politikën e vet zyrtare ta orientojë nga tolerimet e këtyre fakteve dhe favorizimin e një afrimi rekord të shtetit serb...

KOHA DITORE
Përderisa në Serbi tashmë kanë filluar negociatat për formimin e qeverisë së re, dhe ato jo nga forcat që BE-ja do t'i donte në pushtet (negociatat së pari i kanë nisur Tomislav Nikoliq dhe Vojislav Koshtunica), Bashkimi Evropian në reagimet e veta rreth zgjedhjeve në Serbi ka përshëndetur atë që e kanë quajtur disa si "fitore të qartë te forcave evropiane". Ndonëse matematika nuk dëshmon qartë se kanë fituar forcat pro-evropiane në Serbi, pos nëse si të tilla quhen partitë e Koshtunicës dhe Milosheviqit, BE-ja në reagimet e saj paralajmëron që Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit. Presidenca sllovene e Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë, Javier Solana, komisari për Zgjerim, Olli Rehn, dhe dy grupimet më të mëdha partiake në Parlamentin Evropian kanë përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve në Serbi. Por, pakkush nga këta donin të hënën të përgjigjeshin në pyetjen se a e konsiderojnë edhe SPS-në e Milosheviqit si "parti pro-evropiane". Në Bruksel presin numërimin përfundimtar të votave dhe të shohin se si do të shkojnë negociatat për formimin e qeverisë. Vetëm atëherë kur të formohet qeveria, do të dihet edhe përgjigjja e saktë nëse kanë fituar apo jo forcat pro-evropiane në Serbi...

INFOPRESS
Fitorja eventuale e partisë së presidentit serb, Boris Tadiq, dhe e koalicionit të tij në zgjedhjet e 11 majit në Serbi, paraprakisht ishte vlerësuar si një mundësi e mirë për shtensionimin e rajonit dhe mundësi e re për qasje më konstruktive të Beogradit karshi Kosovës. Dalja e partisë së tij si parti me më së shumti vota atje, nuk i jep mundësi atij krijimin e qeverisë pa koalicione me partitë e tjera. Ne kalkulime përflitet të jenë sërish partia e Koshtunicës dhe Partia Socialiste. Këto dy mundësi do ta linin jashtë Partinë Liberal-Demokratike të Çedomir Jovanoviqit. Në anën tjetër, kreu i radikalëve, Tomisllav Nikoliq, ka paralajmëruar mundësinë e koalicionit me Koshtunicën dhe socialiste, në të kundërtën, mund të ketë krizë qeveritare dhe sërish zgjedhje të parakohshme. Sidoqoftë, në secilin variant, analistët nuk parashohin ndryshime në politikën serbe karshi Kosovës. Ata thonë se retorika e të gjitha partive politike atje ka qenë përafërsisht e njëjtë. Rezultati i zgjedhjeve serbe dhe fitorja e Tadiqit është vlerësuar pozitivisht nga politika zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë. Ndërsa studiuesi Agim Zogaj, shef i Departamentit të Shkencave Politike në UP, e quan të habitshëm qëndrimin mbivlerësues të faktorit shqiptar lidhur me zgjedhjet në Serbi dhe sidomos rezultatin e tyre...

ZËRI
Derisa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke menduar që në kuadër të të gjithë liderëve të partive politike opozitare ta takojë edhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka qenë më i shpejtë për ta takuar ish-partnerin qeverisës gjatë mandatit të kaluar. Në një pritje zyrtare qe i ka bërë të hënën në kabinetin e tij, një muaj pas shpalljes i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, presidenti Sejdiu e ka vlerësuar lart rolin e Haradinajt si në proceset aktuale që po kalon Kosova, ashtu edhe për lirinë dhe pavarësinë e vendit. "Unë vlerësoj rolin e veçuar qe ka zoti Haradinaj edhe në proceset institucionale, edhe në proceset e mëhershme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe në këtë kuadër të bashkëpunimit qe ka me ne", ka thënë Sejdiu. Ndërkaq, kreu i AAK-së ka premtuar bashkëpunimin e tij si partia e tretë opozitare dhe e pesta për nga fuqia politike në të gjitha proceset që po kalon Kosova dhe me theks të veçantë në fazën e tranzicionit...

EPOKA E RE

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Kosovën, Piter Feith, ka thënë të hënën, në Prishtinë, se misioni i EULEX-it do të jetë i pranishëm në Kosovë pas 15 qershorit, kur edhe hyn në fuqi Kushtetuta, ndërkohë që janë duke u diskutuar modalitetet për vendosjen e misionit civil ndërkombëtar në gjithë territorin e Kosovës. Këto komente, Feith i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pas 15 qershorit, Zyra Ndërkombëtare Civile do të jetë në Kosovë si autoritet i posaçëm për të asistuar dhe për ta këshilluar qeverinë dhe për të ndihmuar në implementimin e planit të Ahtisaarit, ka thënë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith. "Sa i përket EULEX-it, unë nuk kam asgjë për të shtuar. Ju e dini se çfarë ka thënë Iv de Kermabo, se ne jemi duke diskutuar modalitetet për vendosjen e EULEX-it në gjithë Kosovën", ka thënë Feith...

LAJM
Bazuar në rezultatet e para jozyrtare në zgjedhjet e 1 majit, në Komunën e Preshevës numrin më të madh të votave e ka fituar Partia për Veprim Demokratik (PVD), k njoftuar kryetari i Komisionit Zgjedhor Komunal, Zeqirja Miftari. PVD-ja ka fituar 5473 vota, apo 35 për qind të votave, që do të thotë se ka fituar 13 këshilltarë në Asamblenë e ardhshme komunale të Preshevës, më pas Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) me 4807 vota, ose 30 për qind – 12 këshilltarë, Bashkimi Demokratik i Luginës me 1999 vota, ose 13 për qind – 5 këshilltarë, grupi i qytetarëve me 1532 vota, ose 10 për qind – 4 këshilltarë, Lëvizja Kombëtare Shqiptare me 880 vota, ose 5 për qind – 2 këshilltarë, si dhe koalicioni serb me 848 vota, ose 5 për qind – 2 këshilltarë, ndërsa Aleanca Demokratike 316 vota, ose 2 për qind, nuk k arritur të fitojë asnjë këshilltar...

EXPRESS
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur, të hënën, që për seancën e radhës të legjislativit, më 16maj, të fusë në rend të ditës edhe një propozim të Qeverisë për ndarje të mjeteve financiare për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj i ka thënë Express-it se këto mjete ndahen për fillimin e punës në ministrinë më të re të vendit, e cila duhet të jete aktive menjëherë pas 15 qershorit. "Bëhet fjalë për shumën prej 1 milion eurosh për fillimin e punës në Ministrinë e Jashtme. Këto mjete do të kalojnë nëpër komisionin për buxhet dhe financa dhe do të votohen në Parlament", ka thënë Manaj...
XS
SM
MD
LG